“Opozita e ka humbur rrugën në oborr”

Aktuale

“Opozita e ka humbur rrugën në oborr”

Ridvan Emini Nga Ridvan Emini Më 22 gusht 2016 Në ora: 17:46
Foto arkiv: Ramush Haradinaj, Visar Ymeri, Fatmir Limaj

“Nuk është fare me rëndësi cila është strategjia e opozitës për ngjarjet që do pasojnë, veprimet e tyre i kemi parë deri më tani dhe kjo duket qartë se është e pamjaftueshme për pozitën, njëherit pozita po e shfrytëzon çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i ikur problemeve reale që e preokupojnë qytetarin e vendit; papunësia, gjendja e rëndë sociale, pabarazia, krimi i organizuar e korrupsioni, reformat në gjyqësi e kështu me radhë”, ka thënë politologu, Nexhmedin Mustafa.

Demarkacioni me Malin e Zi është kthyer në problem kombëtarë. Si çështje ajo ishte dashur të kryhet në procedurë të rregullt.  Komisioni  shtetëror ish dashur të kryente punën e vet ashtu siç edhe kërkohej e jo të neglizhohet deri në atë masë sa që ajo çështje të kthehet në problem nacional. Opozita në pamundësi për ta sfiduar pozitën, ka shfrytëzuar për mrekulli mospunën e komisionit shtetëror për demarkacion, kështu ka kapur edhe momentin për ngritje të emocioneve edhe në masë, pasi që bëhet fjalë për pronë pavarësisht se a bëhet fjalë këtu për pronë private apo shtetërore.   Pas debatit publik të organizuar në Kuvendin e Kosovës për demarkacionin, u pa qartë se as pozita e as opozita  nuk flasin me gjuhën e fakteve dhe si i tillë ky debat u pa që ishte vetëm humbje kohe dhe ngritje të emocioneve edhe më tej dhe po ashtu një polarizim edhe më të madh mes pozitës dhe opozitës. Nga ana tjetër është bërë me dije, se ky demarkacion me Malin e Zi do të ratifikohet me 1 shtator. Se a i ka votat e mjaftueshme pozita për ta ratifikuar mbetet të shihet, ndërsa opozita ka paralajmëruar se pozita nuk i ka votat për ta quar më tutje këtë çështje dhe se do të jenë në gjendje që ta bllokojnë në çfarëdo forme ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Gazeta “Bota Sot” ka shtruar pyetje partive opozitare lidhur me atë se cila është strategjia e opozitës për ta bllokuar ratifikimin e kësaj marrëveshje, por se një përgjigje të tillë ka marrë vetëm nga përfaqësues të Nismës për Kosovën.  Deputeti z.Zafir Berisha për gazetën është shprehur se strategjia e Nismës tashmë është publike dhe se metodat janë po ato të njëjtat të cilat janë përdorur në Kuvendin e Kosovës kohëve të fundit,(duke aluduar në gazin lotsjellës dhe metodat e tjera): “Strategjia jonë është tash publike dhe angazhimi ynë falë edhe metodave jo shumë parlamentare kemi krijuar hapësirën që disa deputetë të mazhorancës që s’kanë qenë të njoftuar shumë për situatën tashmë janë në dijeni që komisioni “Meha”, ka gabuar dhe kemi një numër të madh të deputetëve që s’kanë për të votuar këtë version të demarkacionit, kështu që s’po besoj se ka nevojë për veprime shtesë kur jemi të bindur se demarkacioni nuk do të kalojë”.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat