Mustafa reagon ndaj deklaratave të ish zyrtarit të lartë të LDK-së: Ka mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë

Aktuale

Mustafa reagon ndaj deklaratave të ish zyrtarit të lartë të LDK-së: Ka mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë

Nga: I.J. Më: 23 gusht 2016 Në ora: 23:34
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një postim në profilin e tij në Facebook ka vazhduar sqarimet për demarkacionin, kësaj radhe duke ironizuar me deklaratat e ish kryetarit të Pejës Ali Lajçit, i cili në një intervistë ka deklaruar se me demarkacion "Territor po humbet Kosova e jo komunat".

Sipas Kryeministrit kjo flet për një mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë,sepse, Kosova nuk ka territor që nuk përfshihet në një komunë, nuk ka territor të veçuar të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës./BS

Postimi i plotë

Fjalia më e përfolur e atyre që kundërshtojnë shënjimin e kufirit me Malin e Zi është: “Kosova rrezikon të humbë 8200 hektarë”. Pastaj vazhdohet me konkluzionin se , komunat nuk po humbin, duke iu referuar Pejës, por po humb Kosova. 

Kjo flet për një mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë. Sepse, Kosova nuk ka territor që nuk përfshihet në një komunë, nuk ka territor të veçuar të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës. Ai është një. Shuma e territoreve të komunave e përbëjnë territorin e Kosovës. Ndryshon vetëm pronësia, e cila mund të jetë private, publike (komunale , e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve qendrore), shoqërore (e firmave që nuk janë privatizuar). Tjetër territor nuk ka. 

Gabimi është kur keqpërdoret shkenca për të mbrojtur një kauzë të trilluar politike. Shkenca dhe trillimet politike janë si karriga dhe fizkultura. S’kanë asgjë të përbashkët. Veç se e devalvojmë shkencën. 

Shkenca definohet si veprimtari njohëse dhe përgjithësim teorik i dijeve objektive për natyrën, shoqërinë dhe të menduarit, të cilat paraqiten në trajtën e sistemeve të njohurive në fusha e degë të caktuara. Çfarë deri sot është prezantuar nga ata që thirren se janë shkencëtarë të fushës së shënjimit të kufijve (gjeografë, gjeodetë, juristë) nuk përngjan në shkencë. Është një grumbull hartash, që përdoren pa burime empirike dhe pa një metodologji shkencore që do të mundësonin që faktet të paraqiten në trajtën e sistemeve dhe të jenë të krahasueshme me rastet e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat