Protesta kundër Demarkacionit shtrihet edhe në Tiranë

Aktuale

Protesta kundër Demarkacionit shtrihet edhe në Tiranë

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 08:42
Ilustrim

Protesta kundër shënimit të vijës së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është shtrirë edhe në Tiranë. Profesorë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë njoftuar mbajtjen ditën e hënë në mesditë të një manifestimi përpara selisë së Ambasadës së Kosovës kundër këtij projekti.

“Kosova dhe kombi shqiptar nuk ka tokë për të falur. Ne bëjmë thirrje për bashkim në tubimin-protestë para Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, të hënën, më 29 gusht 2016, në ora 12:00, në kundërshtim të Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Në njoftimin në fjalë nënvizohet se, personalitete dhe qytetarë nga Republika e Shqipërisë e kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

“Ekspertë të shquar të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të së drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë, me argumente dhe fakte të pakontestueshme tregojnë se shqiptarët me këtë akt të fundit ndërkombëtar vijojnë të humbin territore, sovranitet, subjektivitet politik, në Ballkan dhe Evropë”, vijon njoftimi.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve dhe shoqërisë civile, dëmi në territore vlerësohet të jetë të paktën 8.200 hektarë (82 km2) territor nga rajoni i Dukagjinit. “Territor, që Komisioni Shtetëror i Kosovës ia dorëzon arbitrarisht Malit të zi”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat