Mediat ndërkombëtare raportojnë për granatën që u hodh në RTK

Aktuale

Mediat ndërkombëtare raportojnë për granatën që u hodh në RTK

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 08:47
Mediat

Media të shumta e të fuqishme ndërkombëtare kanë raportuar për sulmin me granatë mbi Radiotelevizionin e Kosovës, akt që ndodhi të hënën në mbrëmje.

Në të gjitha rastet, mediat raportojnë se sulmi ka të bëjë me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, e cila kundërshtohet nga opozita dhe disa deputetë të pozitës.

Agjencia e lajmeve Reuters, raporton se grupi që mori përsipër përgjegjësinë për sulmin duke dërguar një e-mail, është i njëjti që ka marrë përsipër sulmin para disa javësh edhe mbi Kuvendin e Kosovës, po për të njëjtën arsye.

Televizioni publik austriak, ORF, duke raportuar për sulmin deklaron se arsyet e këtij sulmi, zyrtarisht ende janë të panjohura. Por televizioni duke cituar nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti, deklaron se  sulmi është dënuar nga të gjithë liderët dhe organizatat e ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë, seksioni në gjuhën angleze rikujton se  sulmi mbi transmetuesin publik ka ndodhur pas tensioneve politike të kohës së fundit.

Ky tension derivon nga marrëveshjet për demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshjes për Asociacionin e cila serbëve etnikë u jep më shumë pushtet.

Madje për këtë, opozita disa herë në Parlament ka protestuar duke hedhur edhe gaz lotsjellës për të kundërshtuar marrëveshjet.

Për sulmin mbi RTK-në ka raportuar edhe televizioni amerikan FOX News si dhe gazeta më e madhe indiane në gjuhën angleze, The Indian Express. Kjo e fundit raporton se ndaj sulmit ka reaguar edhe Unioni i Transmetuesve Publikë Evropianë (EBU).

Për sulmin me granatë dore mbi RTK-në kanë raportuar edhe mediat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar në forma të ndryshme por ne thelb njësoj se shkas i tërë kësaj është përshkallëzimi i gjuhës politike në vend.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat