Çela: Me demarkacionin Kosova nuk humb territor, por Malit të Zi i është shtuar sipërfaqja

Aktuale

Çela: Me demarkacionin Kosova nuk humb territor, por Malit të Zi i është shtuar sipërfaqja

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 21:24
Ilustrim

Profesori i gjeografisë, Tomor Çela thotë se sipërfaqja e Kosovës me marrëveshjen e shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, disa gjëra profesionale nuk janë duke u servirur në opinion ashtu siç duhet dhe se për këtë ai thotë se është  krijuar konfuzitet tek qytetarët.

“Sipërfaqja e Kosovës nuk ka lëvizur por thuhet se sipërfaqja e Malit të Zi është rritur. Pas analizës që kam bërë, mund të llogaritet  se bëhet fjalë për rreth 42 km katrorë. Këto janë probleme teknike të hartave të cilat duhet të analizohen rreth të dhënave”, tha Çela në një debat në televizionin publik.

Sipas Çelës, problemi i krijuar rreth demarkacionit ka të bëjë me mënyrën  se si është ndjekur kjo çështje nga ekspertët.  Ai thotë se Komisioni Shtetëror për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, është bazuar mbi të dhënat kadastrale, gjë që sipas tij nuk paraqet asnjë problem.

“Për mendimin tim nuk është krahasimi i të dhënave problem, por se si ekspertët e kanë ndjekur atë. Disa ekspertë, janë bazuar në të dhëna kadastrale, e disa të tjerë në të dhëna të hartave të tjera.  Kriteri kadastral për herë të parë është përdorur në Kosovë. Por praktikat kanë treguar se shtetet e ish Jugosllavisë kanë marrë si kriter kadastrin. Kriteri nuk është vendosur prej malazezëve, ose palës kosovare, por është marrë si kriter përmes marrëveshjes”, ka thënë Çela.

Ai ka shtuar se territori i Kosovës është i pandryshueshëm qysh nga  viti 1974.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat