Shqiptari i vrarë nga tërmeti, kushëriri: “Erjoni punonte në ndërtim, ishte i vetmi krah pune në familje”

Aktuale

Shqiptari i vrarë nga tërmeti, kushëriri: “Erjoni punonte në ndërtim, ishte i vetmi krah pune në familje”

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 22:32
Xhoni Toro dhe bashkëshortja

Tragjedia që tronditi mëngjesin e sotëm familjen shqiptare Toro, banuese në fshatin Amatrice në zonën e Umbrias afër lokalitetit të Perugias në Itali, ka prekur edhe të afërmit e familjes. Xhoni Toro, kushëriri i tij i dytë, banues në Milano, në një bisedë ekskluzive me Opinion.al ka rrëfyer momente nga jeta e Erjonit në Itali dhe punën e rëndë që ai bënte për të mbajtur familjen prej pesë frymësh.

“Erjoni iku si të gjithë shqiptarët në Itali. Ai jetonte në fshatin Kurjan të Roskovecit. Mesa mbaj mend në vitin 2001, kur ishte 18 vjeç,  ishte daja e tij që e tërhoqi, pasi gjendja e tyre ekonomike në fshatin ku banonte nuk ishte e mirë”

Më tej kushëriri i tij thotë se që në fillimet e tij në Itali, Erjoni ishte vendosur në fshatin Amatrice, aty ku edhe u shua në gjumë, në gërmadhat e shtëpisë ku banonte.

“Erjoni ka punuar gjithë kohës në ndërtim. Ashtu si çdo shqiptar, me halle shumë në emigrim. Flisnim pothuaj çdo ditë, po nga ta dinim se fati do të ishte aq i padrejtë me të. Gruaja e tij nuk punonte pasi duhet të mbante fëmijët e vegjël, kështu që i vetmi krah pune ishte Erjoni”.

Më tej kushëriri i të ndjerit thotë se Erjoni ishte kthyer për tu martuar në Shqipëri. Aty ku më pas kishte bërë edhe bashkimin familjar, ku nga martesa kishte sjellë në jetë edhe tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

“Ajo që mund të them aktualisht nga informacionet që kam është se bashkëshortja ka fraktura të shumta në trup, ndërsa vajzat janë disi më mirë”, ka informuar kushëriri, mbi gjendjen e pjesës tjetër të familjes së të ndjerit. Ndërkohë që në bisedë telefonike të mëhershme me Opinion.al, kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, na ka informuar se një mrekulli kishte shpëtuar djalin e familjes i cili e kishte kaluar natën te të afërmit e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat