Prokuroria: Grabovci shkeli të drejtat e qytetarëve

Aktuale

Prokuroria: Grabovci shkeli të drejtat e qytetarëve

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 20:20
Adem Grabovci

Adem Grabovci që nga kjo e premte është nënë hetime.

Ish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, po hetohet nga Prokuroria Speciale madje me dyshimin se ka kryer dy vepra penale.

Gjithë këto hetime kanë nis pas publikimit të përgjimeve  e ku Grabovci është akteri kryesor.

Ai që në opinion njihet si “shefi i shefave”  fillimisht po dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Madje Adem Grabovci dyshohet se përmes veprimeve të tij, ua ka shkelur të drejtat shumë qytetarëve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Speciale.

Gjithë këto veprime Grabovci dyshohet se i ka kryer në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Por, përmes një komunikate për media Prokuroria Speciale, ka bërë të ditur se hetimi është në fazë fillestare, dhe varësisht nga rezultati në ndjekje penale do të përfshihen edhe persona të tjerë.

Ndërkohë pas publikimit të këtyre përgjimeve Adem Grabovci, ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, dhe tani mban vetëm post të deputetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat