Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka zhvilluar takimin lamtumirës me ambasadorin norvegjez Jan Braathu, të cilin e ka falënderuar për punën e tij si ambasador i akredituar në Kosovë dhe po ashtu për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës.
“Ministri Hyseni falënderoi ambasadorin Braathu për përkrahjen financiare që ka bërë Mbretëria e Norvegjisë në projekte konkrete në përmirësimin e sigurisë në disa komuna të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Falënderime për Ministrin Hyseni ka pasur edhe Braathu, i cili i është mirënjohës qeveritarit kosovar për bashkëpunimin e derimëtashëm, e po ashtu e ka rikonfirmuar vendosmërinë e Norvegjisë, për të mbështetur edhe më tutje Kosovën.