BE: Prishtina e Beogradi të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Aktuale

BE: Prishtina e Beogradi të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 13:26
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Institucionet në Prishtinë dhe Beograd duhet të punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. 

Kështu u tha në tryezën me temë "Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur-rasti i Kosovës”, organizuar nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se është e drejtë humane që të gjithë të dinë për fatin e familjarëve të tyre.

Ai tha se zyra e BE-së do t’i monitorojë angazhimet e qeverive në Kosovë dhe Beograd, që të punojnë më shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Gnocchi: Duhet punuar më shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

“Është e drejtë humane për familjarët, që të dinë për fatin e  familjarëve të tyre dhe që t’u mundësojnë familjarëve të personave të zhdukur t’i kenë familjarët  e tyre pranë vetës. Ky është dhe një parakusht për pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe fqinjëve dhe për një të ardhme paqësore. ..Duhet të punojmë më shumë në kërkimet dhe t’i gjejmë lokacionet, ku mund të jenë këta persona...Duhet të punohet më shumë nga të dy anët që të gjinden personat e zhdukur. Autoritetet duhet të angazhohen që t’i gjejnë kriminelet, që kanë kryer këto vepra dhe t’i sjellin para drejtësisë, për t’i ndëshkuar ata për krimet e kryera. BE po mundohet të ofrojë fonde dhe mbështetjen e saj, për zbardhjen e fatit të këtyre personave. Mirëpo puna duhet të kryhet në Prishtinë dhe Beograd”, tha ai.

Ndà «rsa Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit të Kosovës, në grupin punues për persona të zhdukur bëri apel tek bashkësia ndërkombëtare, që të bëjë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

Ndërsa tha se ka mbetur dhe një numër i lokacioneve  në territorin e Kosovës, ku dyshohet se mund të ketë të varrosur,  trajtimi i të cilave do të bëhet në një të ardhme jo të largët.

Sipas tij së shpejti pritet të rifillojnë dhe punimet e ndërprera në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet të ketë të varrosur trupa të shqiptarëve të vrarë.

Makolli: Të vazhdohet trysnia mbi Beogradin

“Në shumë raste politika e ka keqpërdorur angazhimin e akterëve për të zbuluar fatin e të pagjeturve, sikurse që ishte rasti i fundit i adresimit para Këshillit të Sigurimit të OKB- së në trajtimin e raportit për Kosovën e ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçic, i cili e them pa asnjë keqardhje gënjeu pjesëmarrësit duke deklaruar se hulumtimi për varrezë të mundshme në kompleksin universitar të Prishtinës, është bërë me kërkesë të Beogradit, që është dhe një gënjeshtër e radhës së tij para Këshillit të Sigurimit...Këto vite ka pasur shumë kërkesa e apele, por po shfrytëzojë nga ky rast edhe njëherë të apeloj në radhë të parë  tek bashkësia ndërkombëtare, që të vazhdojë trysninë mbi Beogradin, për t’i hapur arkivat e ushtrisë, policisë dhe administratës shtetërore, ku besojmë që fshihen të dhënat e plota për fatin e të zhdukurve. K am bindjen e plotë se po të kishte vullnet më të madh të faktorit ndërkombëtar, kjo çështje do të merrte një kahje për një zgjidhje pozitive”, tha ai.

Ndërsa Bajram Qerkini nga Këshilli Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, tha se për 17 vjet me radhë, familjarët kanë të njëjtat dhimbje dhe pritje.

Sipas tij, përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, janë zotuar se do të angazhohen, por fati i të pagjeturve mbetet i njëjtë.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit, që të bëjnë më shumë rreth fatit të personave të zhdukur, duke thënë se familjarët e tyre nuk do të ndalen në kërkim të tyre.

Qerkini: Për 17 vjet më radhë të njëjtat shpresa dhe brenga

“ Për 17 vjet me radhë kemi të njëjtat shpresa, të njëjtat brenga. Të njëjtat shqetësime, të njëjtat dhimbje e të njëjtat pritje. Edhe ky gusht për fat të keq na gjen gati të njëjtë të gjendjes me atë të vitit të kaluar. Kur kështu sikur sot përfaqësues vendor e ndërkombëtar gati të njëjtën përbërje u patën zotua se  do të angazhohen maksimalisht për zbulimin e fatit, atëherë dhe të 1700 personave të pagjetur. Fati i të cilëve edhe pas kaq vitesh të përfundimit të luftës vazhdojnë të jenë të pa ndriçuar..Si familjar tash e 17 vjet jemi detyruar të vrapojmë nga një institucion në tjetrin. Fjalë të mbështetura herë pas here me veprime, kanë qenë të zbehta, e rezultatet janë kanë të pakënaqshme.   Përveç fjalëve të mbështetura moralisht, kemi nevojë edhe për veprimet tuaja, angazhimin tuaj institucional”, tha ai.

E Nebi Morina nga Samadraxha e Suharekës, i cili ka të zhdukur vajzën e tij, kishte ardhur në këtë tryezë, për të kërkuar nga institucionet e vendit, që të bëjnë diçka, për vajzën e tij 26 vjeçare, e cila ishte masakruar dhe zhdukur.

Morina: Nuk do të ndalem, derisa ta gjej vajzën time

“Mevludja është bash vajza ime... Unë e kërkoj Mevluden dhe Hajdinin, i cili është kunati i saj. Këta tjerët i kemi varros...Unë për vete nuk do të ndalna deri ta gjej vajzën time deri në fund. Populli është lodhur. Kujdesi i shtetit nuk është aq sa duhet”, tha ai.

***

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një tryezë në të cilën është diskutuar për personat e zhdukur gjatë luftës së Kosovës.

Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se është e drejtë humane që të gjithë të dinë për fatin e familjarëve të tyre.

Zyra e BE-së, thërret që të ngritën angazhimet rreth kësaj çështje.

“Duhet të punohet më shumë për informata për të zbuluar fatin e personave të zhdukur. Duhet të punohet qe te gjinden personat e zhdukur dhe sqarimin e kësaj situate. BE po mundohet të ofrojë fonde dhe mbështetje për zbardhjen e fatit të pagjeturve por puna duhet të bëhet në Prishtinë dhe Beograd. Ne do ti monitorojmë qeveritë në Prishtinë dhe Beograd që të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Gnocchi.

Bajram Qerkini nga Këshilli Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Bajram Qerkini tha se për 17 vjet me radhë kemi të njëjtat dhimbje e pritje. Sipas tij, përfaqësues vendor e ndërkombëtar janë zotuar se do të angazhohen, por fati i të pagjeturve mbetet i njëjtë.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që të bëjnë më shumë rreth fatit të personave të zhdukur, duke thënë se familjarët e tyre nuk do të ndalen deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurit të fundit.

“Ne familjarët po kërkojmë të mësojmë për fatin e më të dashurve tanë dhe të sjellen para drejtësisë ata që kanë marrë pjesë në zhdukjen e tyre”, tha Qerkini.

Ai tha se familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, po vrapojnë nga një institucion në tjetrin dhe rezultatet kanë qenë të  pakënaqshme.

“Adresa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është Beogradi. Ju Bashkësia Ndërkombëtare dhe institucionet vendore i keni mekanizmat për të vënë drejtësinë në vend. Pse nuk e bëni këtë,  ne nuk mund ta dimë. Këta familjarë që tash e 17 vjet jetojnë ne ankth presim nga ju që këtë çështje ta merrni seriozisht e jo te na përkrahni moralisht vetëm në këto data. Kërkoj nga ju të ndërmerrni veprime për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Pa mësuar për fatin edhe të të zhdukurit të fundit s’keni bërë asgjë. Ne nuk ndalemi në kërkim të zbulimit të fatit të tyre. Kriminelet duhet të marrin dënimin e merituar”, ka thënë ndër të tjera Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat