54 të rinjët nga Kosova nisen për punë në Gjermani, do përkujdesen për të moshuarit

Aktuale

54 të rinjët nga Kosova nisen për punë në Gjermani, do përkujdesen për të moshuarit

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 17:20
54 kandidatët nisen për Gjermani

Pas përmbylljes së suksesshme të fazës së parë të projektit për Arsim dhe Aftësim Profesional të infermiereve në Gjermani, Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit Kosovë - APPK ka organizuar takimin përshëndetës me 54 kandidatë kosovarë të cilët, në fillim të shtatorit 2016, do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin trevjeçar profesional në profesionin “Përkujdesës/e ndaj të moshuarve” në Gjermani.

Në takim morën pjesë: ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale- Arban Abrashi, zëvendës ambasadorja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë- Christina Gehlsen, drejtori i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ - James Macbeth, bashkëpunëtori ndërkombëtar i Diakonisë- Johannes Flothow si dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Drejtori gjeneral i APPK-së, Bedri Xhafa, falënderoi organizatën Diakonie për partneritetin dhe për iniciativën për të filluar këtë projekt në Kosovë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim si dhe Ambasadën Gjermane për mbështetjen e dhënë për implementimin e projektit. Z. Xhafa një falënderim të veçantë ua drejtoi kandidatëve për përkushtimin e tyre, dhe me këtë rast theksoi se APPK ka bërë përpjekje që të krijojë një program i cili ka për qëllim të mbështesë rininë kosovare dhe t’i bëjë ata të besojnë se ekzistojnë programe serioze “Ne kemi dashur që kandidatët përfundimisht të kuptojnë se bëhet fjala për një program me transparencë, pavarësisht interferencave tjera që janë përreth.” tha Xhafa.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se ndihet i gëzuar që është prezent në këtë takim përshëndetës dhe se ajo çka është filluar para një viti sot përmbyllet me sukses “Jam i gëzuar dhe krenar që ndodhem këtu sot. Diçka që kemi filluar një vit me parë me z. Bedriun ka qenë një përpjekje që qytetarëve tanë të ju ofrojmë vende të punës në Gjermani, pikërisht edhe për shkak të diasporës që e kemi ne.” tha Abrashi. Ai po ashtu theksoi se ky projekt është kurorëzim i punës që është bërë për t’i treguar Gjermanisë që ne kemi rini që dinë dhe duan të punojnë.

Ndërsa, zv. Ambasadorja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë kosovarë “Përmes shkollimit dhe aftësimit në Gjermani ju mund të mblidhni përvoja shumë të mira dhe pastaj t’i sillni në vendin tuaj. Shkëmbimi në mes të dy shteteve funksionon më së miri kur dy persona komunikojnë me njëri tjetrin. Dhe ju atje, nuk jeni vetëm për marrë por edhe për të dhënë.” Drejtori i GIZ, James Macbeth ju tha kandidatëve se GIZ së bashku me ministrin dhe ambasadën do të mundohen të krijojnë vende pune ne Kosovë “Ju uroj shumë suksese. Unë, ministri dhe zonja Gehlsen do të provojmë të ju kthejmë në Kosovë dhe gjithashtu do të ju përkrahim juve.” u shpreh ai.

Gjithashtu, suksese kandidatëve ju uroj edhe përfaqësuesi i Diakonisë, Johannes Flothow, i cili tha se në bashkëpunim me APPK-në vazhdimisht kërkojmë mundësi të reja për të ju ndihmuar njerëzve. “Në bashkëpunim me partneret e mi në Kosovë, ne vazhdimisht kërkojmë mundësi për të ju ndihmuar njerëzve në Kosovë dhe për të plotësuar kërkesat e punëdhënësve në Gjermani” tha Flothow.

Ndërsa, në emër të kandidatëve, të cilët do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin profesional në Gjermani, një fjalë rasti mbajtën Festina Zogaj dhe Dibran Aliu. Ata u shprehen shumë të lumtur që kanë pasur mundësinë të jenë pjesë e projektit, dhe që ky projekt ju ka kthyer shpesën se në Kosovë mund të ketë programe transparente dhe serioze “Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti, dhe e falënderoj shumë APPK-në që ka mundësuar një projekt të tillë ku gjithçka është transparente, dhe ne të njëjtën kohë na ka bërë të besojmë se organizata serioze mund të gjinden edhe në Kosovë.” u shpreh Festina.

Ndërsa Dibrani shprehi dëshirën për të folur në gjuhën Gjermane “unë kam shprehë dëshirën që të flasë në gjuhën Gjermane, dhe në ketë mënyrë të ju tregoj se sa shumë kam mësuar dhe përvetësuar gjuhën Gjermane, dhe krejt kjo falë trajnerëve dhe menaxhmentit të APPK-së.” u shpreh ai. Manifestimi u mbajt në sallën e konferencave të APPK-së sot, me 29.08.2016, nga ora 11.00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat