'Qeveria po e ndez situatën, s’duhet ta sjellë demarkacionin në Kuvend'

Aktuale

'Qeveria po e ndez situatën, s’duhet ta sjellë demarkacionin në Kuvend'

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 09:53
Dardan Sejdiu

Është koha që zëri i qytetarëve të jetë më i fuqishëm se sa zëri i uzurpatorëve dhe njerëzve të aferave ‘Pronto’, të cilët duan të shesin tokën e Kosovës. Ky është një pushtet i cili din të funksionoj vetëm në situata dhune që ushtrojnë ndaj qytetarëve. Dhe përderisa ky pushtet qëndron dhunshëm në pushtet, aktivizmi politik dhe qytetar nuk do të ndalet.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Sejdiu, sipas të cilit mbetet i papranueshëm ratifikimi i demarkacionit me Malin e zi, i cili pritet të vije në Kuvend këtë të enjte. Sejdiu thotë se ky dokument nuk duhet të ratifikohet, pasi që ka gabime të mëdha dhe i humb Kosovës 8200 hektarë tokë. Në rast se Qeveria e sjellë këtë dokument në Kuvend, Sejdiu thotë se po kontribuon në polarizim të situatës.

Sejdiu: Qeveria po polarizon situatën, s’duhet ta sjellë demarkacionin në Kuvend

“Me datën 1 shtator, kjo nuk duhet të sillet fare në Kuvend. Jo vetëm me një shtator, por në asnjë datë tjetër nuk duhet të sillet ky dokument në Kuvend. Ajo çka duhet të ndodh është që të niset një punë e re e demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Kjo punë të jetë gjithëpërfshirëse. Në Komision të jenë ekspert prej shumë fushave, jo vetëm ekspert të kadastrit, por edhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, hartografisë dhe temave që lidhen me problematiken e kufirit dhe të sigurohemi që ajo që dërgojmë në Kuvend të jetë një dokument i cili kërkon miratimin ashtu siç duhet të bërë dhe të sigurohemi që mos të kemi telashe sot e asnjëherë me Malin e Zi.  Pra ne jemi për demarkim, por jo për demarkim i cili fal 8200 hektar tokë të republikës së Kosovës. Ky shtet është i joni. Kjo tokë është e jona. Dhe meqë edhe shteti edhe toka janë tonat, është populli ai i cili me protesta e peticione dhe me a në të subjekteve opozitare e ka bërë të qartë që nuk duhet të kaloj ky demarkacion. Në momentin që qeveria sjellë këtë demarkacion në Kuvend, atëherë Qeveria po vepron në polarizim të situatës. Pra po e ushqen polarizimin e situatës. Dhe është qeveria ajo që është përgjegjëse, atëherë për çdo protestë dhe aktivizëm qytetar. Pra në fakt ne si opozitë kemi shter çdo mundësi për të bindur këtë Qeveri, që nuk duhet sjellë këtë dermarkim në Kuvend”, tha Sejdiu.

Ndërsa e quan të rrezikshme për vendin këtë lojë të Qeverisë, e cila sipas tij po vepron në kundërshtim me interesin nacional të vendit.

Sejdiu: Kjo është lojë e rrezikshme e qeverisë

“Kjo është një lojë e rrezikshme e Qeverisë së Kosovës. Është saktësish Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që po polarizojnë shoqërinë, po veprojnë në kundërshtim me interesin nacional të republikës së Kosovës. Po veprojnë në kundërshtim me interesin për stabilitet dhe siguri. Pra ata janë ata që po polarizojnë dhe po krijojnë telashe. Po të ishte një qeveri normale, një presidencë normale, vet fakti që ekziston ky lloj debati, atëherë duhet të silleshin në mënyrë tjetër... Ky pushtet është pushtet i cili vetëm në situatë dhune, që ushtron ndaj qytetarëve, din të funksionoj dhe mundohet të funksionojë”, thotë kështu numri dy i VV-së.

Sejdiu paralajmëroi se  VV do të protestojë dhe do të përdor çdo mjet të aktivizmit politik, për të ndal këtë marrëveshje. Ai tha se për çfarëdo pasojash, Qeveria do të jetë  përgjegjëse për eskalim apo përshkallëzim të situatës.

Sejdiu: I ftoj popullin në protestën e 1 shtatorit

“Ne do të jemi në protestë me datën 1 shtator. I ftoj të dalin të gjithë pa dallim partie. Në Pejë patëm protestë të shtunën, aty kishte dhe aktivistë të LDK-së dhe PDK-së. I ftoj të gjithë të na bashkohen. Të gjithë popullin të na bashkohen. Sepse kjo tokë është e jona dhe nuk i kemi borxh as Hashim Thaçit as Isa Mustafës asgjë. Përkundrazi ata na kanë neve borxh. Na kanë borxh 15 vjet të humbura për popullin. Përderisa për ta kanë qenë 15 vjet pasurim dhe forcim”, tha ai.

Sejdiu thotë se përderisa ky pushtet qëndron dhunshëm në pushtet, aktivizmi  politik e  qytetar nuk do të ndalet, pasi  i kanë argumentet, vullnetin dhe bindjet që të ballafaqohen me ta. Sejdiu thotë se kjo qeveri duhet të bie dhe të shkohet në zgjedhje, për të parë nëse populli është  për demarkacion, afera Pronto apo për Zajednicë.

Ai shprehet i bindur që beteja e tyre për ndalje të demarkacionit, është e drejtë dhe se falja e territorit të Kosovës është e papranueshme dhe rrjedhimisht duhet bërë çmos që të ndalet. Ndërsa thotë se qeverisja e klanit Pronto, është e padijshme dhe pa vullnet sa i përket interesit nacional.

Sejdiu: Qeveri e padijshme e klanit Pronto

“E kemi një qeverisje të klanit Pronto, që janë të padijshëm dhe pa vullnet sa i përket interesit nacional. Por të dijshëm dhe me shumë vullnet për të keq menaxhua e keqpërdor publikun. Dhe një opozitë, shoqëri civile, ekspertë që kanë dëshmuar që ky dokument është i keq. Është në dëm të vendit. Unë e them shpesh që përballë një profesori si Zejnullah Gruda dhe akademik Isa Mustafës, e kisha zgjedh një profesor si Zejnullah Gruda. Me lehtë është ti besoj Zejnullah Grudës,  që krejt jetën i ka kushtu të drejtës ndërkombëtare, se sa një akademiku i cili çdo të dytin postim në FB e ka duke ofendu qytetarët e vet... Është koha që të sigurohemi që zëri i qytetarëve të jetë më i fuqishëm se zëri i uzurpatorëve”, thotë ai.

E sa i përket sulmeve që kanë ndodhur së fundi në Kuvend e institucione tjera ai thotë se  sulmet e tilla janë të papranueshme. Sipas Sejdiut, e gjithë kjo po bëhet që të tërhiqet vëmendja nga demarkacioni, kapja e shtetit dhe afera Pronto. Sipas tij sa herë ka tensione politike dhe rrezikohet pushteti, shfaqen momente të tilla të sulmeve në institucione.

Sejdiu: Bombat shpërqendrim i vëmendjes

“Ajo çka është për keqardhje që na sjellë në situatë të mirë është që MB dhe elementet e sigurisë në këtë vend po dështojnë plotësisht. Dështimi mund të jetë në dy mënyra. Ose nuk kanë dije dhe aftësi për të menaxhuar, e atëherë duhet të dorëhiqen. Ose dinë diçka e nuk po flasin. Janë bërë të shpeshta dhe po bëhen thuajse iu duhet një shpërqendrim i vëmendjes, një shmangie nga demarkacioni, nga kapja, nga Pronto. Ose MB nuk është duke punuar mirë, ose janë të informuar e nuk po donë me vepru. Ne mendojmë që kushdo që është shkaktar i tyre duhet të kapet, të gjykohet. Aktivizimi duhet të jenë në sheshe assesi në këtë formë. Sepse kjo nuk na ndihmon as neve si kauzë politike, as vendit si ecje përpara. Por është e qartë se për 13 vite sa qeverisin këta bashkë, sa herë ka tensione politike dhe këtyre u rrezikohet pushteti, disa na shpërfaqen këto momente. Ajo çka është e qartë, është se sulmet po ndodhin në Prishtinë, në qendër, dhe askush s’po kapet. Kjo lë shumë pikëpyetje sidomos karshi qeverisë, e cila ka mjaftueshëm instrumente të sigurisë, të cilat po dështojnë në veprim”, thotë ai.

Sejdiu shprehet i bindur që Kosova duhet të çlirohet nga qeverisja aktuale dhe kushdo që vjen në pushtet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se ky popull është i organizuar dhe do të mendoj dy herë për çdo veprim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat