Kurti paralajmëron Qeverinë e Kosovës

Aktuale

Kurti paralajmëron Qeverinë e Kosovës

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 14:23
Albin Kurti

(E plotësuar) -  Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë e ka konfirmuar organizimin e protestës së një shtatorit për ta kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, e cila do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Ish kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për medie se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është marrëveshje e Thaçit, Mustafës, Hysenit e Mehës dhe jo e qytetarëve të Kosovës, andaj sipas tij kjo nuk do të lejohet të kalojë.

Kurti: Nuk do ta lejojmë të kaloj tradhtia për demarkacionin

“VV ka paralajmëruar demonstratë, protestë gjithëpopullore paqësore për nesër, të enjten e 1 shtatorit, sepse ne nuk mund të lejojmë që tradhtia dhe krimi të legjitimohen në Kuvendin e Republikës. Pra ky demarkacion i kufirit me Malin e Zi është marrëveshje personale e Thaçit, Mehës, Hysenit, Mustafës por kurrsesi e popullit të Kosovës, kurrsesi e Republikës sonë dhe e kombit shqiptar në përgjithësi. 205 mijë nënshkrime të qytetarëve, dhjetëra aksione opozitare, qindra tubime publike e manifestime për Republikën, qindra mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës dhe jashtë saj, në protesta e demonstrata të ndryshme përfshirë këtu edhe ato më të mëdhatë në Kosovën e pasluftës që u mbajnë pikërisht në këtë vit, tregojnë e dëshmojnë që e drejta edhe fuqia janë në anën tonë. Kjo e drejtë dhe kjo fuqi kundër këtij regjimi në fuqi, i cili po na e sjellë këtë demarkacion të padrejtë, do të vije në shprehje nesër në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për ta ndaluar legjitimimin e krimit dhe tradhtisë”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur se në ata tetë hektarë tokë të Koosvës, të cilët sipas tij Kosova do t’ia falë Malit të Zi, janë zhvilluar beteja të rëndësishme dhe kanë ra edhe dëshmorë, por ka edhe bukuri dhe pasuri natyrore.

Në konferencë ka marrë pjesë edhe sekretari për marrëdhënie me jashtë në VV, Boiken Abazi, i cili ishte dëbuar nga shteti i Kosovës para disa muajve për shkak të shkeljeve të ligjit që i ka bërë.

Abazi: Të rinjtë e arrestuar nuk blihen e as tuten regjimit

“Dje pushteti i arrestoi gjashtë aktivistë të VV-së, Frashërin, Adean, Atdheun, Atritin, Egzonin, Petritin. Është e qartë pse ky regjim arrestoi pikërisht këta aktivistë të rinj, regjimi nuk i duron dot të rinjtë e përgatitur dhe të ditur që as nuk blihen dhe as nuk i tuten regjimit. Me angazhimin e tyre në komunitet këta janë shembull jo vetëm për bashkëkombësit e tyre por edhe për bashkëmoshatarët e tyre edhe në Evropë dhe më gjerë. Prandaj edhe arrestimi i tyre nga regjimi ishtebrutal dhe duke zbatuar praktikat e montazhit që zbatonte një herë e një kohë Serbia në Kosovë”, është shprehur Abazi.

Mirëpo, Abazi ka deklaruar se hyrjen e tij në Kosovë e ka mundësuar një polic, i cili nuk është i kapur nga pushteti dhe i cili sipas tij e zbaton ligjin në vend.

Abazi i cili nuk tregoi se në cilën pikë kufitare ka hyrë, tha se polici i cili ishte në kufi madje e ndali që të fotografohej me të.

Abazi: Erdha që ta organizoj protestën e një shtatorit

“Unë erdha nga Tirana për të ndihmuar në organizimin e protestës historike të një shtatorit që do të mbahet nesër në Prishtinë kundër demarkacionit me Malin e Zi. E quaj protestë historike,  sepse data 1 shtator do të mbahet mend dhe do të shënohet në historinë e popullit shqiptarë, ose si dita e tradhtisë ose si kthesa e madhe drejt çlirimit të dytë të Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti e Abazi janë shprehur se nesër protesta do të jetë gjithëpopullore, paqësore dhe e cila do të mbahet në mend për kthesën që do t’i bëhet vendit tonë.

****

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një konference për media është shprehur i vendosur në lidhje me protestën e nesërme kundër demarkacionit si dhe i bindur që do të arrijnë ta ndalojnë marrëveshjen si të tillë.

“Edhe e drejta edhe fuqia janë në anën tonë, kjo e drejte edhe kjo fuqi kundër këtij regjimi në fuqi, që po e sjell demarkacionin e padrejte do të vijë ne pah nesër në shesh në Prishtinë”.

“Kosova nuk ka tokë e as gjak për të falur. Nuk mund të heqim dorë nga ai territor që ka pasuri e bukuri natyrore e edhe peshë të madhe historike për Kosovën. Secili prej nesh duhet ta pyesin veten se ku kemi qenë më 1 shtator të 2016-ës, të gjithë kemi përgjegjësi ta ndalim krimin dhe tradhtinë e këtij pushteti”.

“Kjo është betejë e gjithë popullit të Kosovës që nuk e do krimin e korrupsionin e tradhtinë e mashtrimin. Kjo është beteja e brezit tonë.”

Në lidhje me sigurinë në protestën e ditës se nesërme, Kurti ka theksuar që protesta do te jete e qetë dhe masive, dhe se do te ndërmarrin veprime brenda dhe jashtë kuvendit.

“Do të jetë protestë e qetë, do të jetë protestë masive, dhe me vendosshmërinë tonë do të arrijmë ta ndalojmë demarkacionin”

Sa i përket ardhjes se Bojken Abazit në Kosovë, Kurti ka thënë që kanë të drejtë dhe se kjo është legale ngaqë kane kaluar 130 ditë dhe gjykata nuk ka ndërmarrë asgjë.

“Bojkeni ka të drejtë që është këtu. As nuk e presim e as nuk e mirëpresim policinë këtu”

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat