Policia me plan operativ për protestën e nesërme

Aktuale

Policia me plan operativ për protestën e nesërme

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 16:52
Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për hartimin e planit operativ për menaxhimin e sigurisë gjatë protestës e cila pritet të mbahet nesër për kundërshtimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paraparë të mbahet nesër me 1 shtator 2016, në Prishtinë gjatë zhvillimeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, protestë e cila megjithatë nuk është e lajmëruar ashtu siç parashihet me procedurat dhe Ligjin mbi tubimet publike, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas këtyre zhvillimeve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës thotë se njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike.

Policia po ashtu u bën apel edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie.

Ata gjithashtu u kanë rekomanduar gazetarëve që të jenë të pajisur me shenja (apo xhaketa) dalluese “PRESS” apo nese parashihet ndryshe, në menyrë që identifikimi dhe qasja e tyre të jetë më e lehtë në funksion të marrjes së informacioneve reale dhe percjelljes së të gjitha zhvillimeve që mund te konsiderohen të rëndësishme për publikun dhe mediat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat