Thaçi: KFOR-i jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton atë

Aktuale

Thaçi: KFOR-i jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton atë

Më: 1 shtator 2016 Në ora: 12:02
Hashim Thaçi, Giovanni Fungo

Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, nga gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta tek gjenerali Giovanni Fungo.

Numri një i Kosovës falënderoi komandantin e deritashëm dhe tërë KFOR-in për punën dhe angazhimin e tyre në ruajtjen dhe forcimin e paqes në Kosovë dhe në rajon.

“KFOR-i vazhdon të mbetet organizata që gëzon besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është e rastësishme. Është rezultat i punës profesionale, të paanshme, të suksesshme që trupat e KFOR-it kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se kjo punë nuk është aspak e lehtë.

“KFOR-i mbron kufijtë e jashtëm të Kosovës, por edhe përkrah Kosovën përbrenda. KFOR-i ofron ndihmë humanitare të gjithanshme për të gjitha komunitetet. KFOR-i përkrah shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare, mediat. KFOR-i mbështet drejtpërdrejt çdo qytetar të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo rajonin ku ata jetojnë. Pra, KFOR-i në Kosovë jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton paqen”, tha presidenti Thaçi.

“Mbi këto parime është ndërtuar edhe miqësia jonë, e qytetarëve të Kosovës dhe KFOR-it”, shtoi ai.

Thaçi vlerësoi lart edhe punën e gjeneralmajorit Miglietta.

Për punën e tij në Kosovë, për thellimin e besimit dhe të përkrahjes për të gjithë banorët e Kosovës, në fund presidenti Thaçi e dekoroi gjeneralmajorin Miglietta edhe me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat