Ndërrohet komanda e KFOR-it

Aktuale

Ndërrohet komanda e KFOR-it

Më: 1 shtator 2016 Në ora: 19:27
KFOR

Është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Gjeneral Majorit në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo ,në Shtabin e Përgjithshëm e KFOR-it, në Kampin “Film City.

Gjatë kësaj ceremonie foli Gjeneral Majori në largim, Guglielmo Luigi Miglietta, cili tha se siguria dhe stabiliteti i Kosovës është faktor kyç për sigurinë e rajonit.

Miglietta tha se është falënderues ndaj institucioneve të Kosovës të cilat sipas tij treguan obligim dhe përgjegjësi për ta bërë Kosovën një vend të mirë, si dhe kanë demonstruar miqësinë siç tha ai të fortë të KFOR-it.

Sipas shefit të deritanishëm të KFOR-it në Kosovë, trendet e zhvillimit në Kosovë, nuk janë të natyrës ushtarake, të paktën jo në tërësinë e tyre.

 Guglielmo Luigi Miglietta: Siguria në Kosovë, kyç për sigurinë e gjithë rajonit

“Siguria dhe stabiliteti në Kosovë, sot si kurrë më parë, është kyç për sigurinë e gjithë rajonit, dhe përfundimisht edhe vendeve tjera. Natyrisht, qëllimi nuk është për t’i mbajtur gjërat statike, por për të lejuar misionin të zhvillohet në drejtimin e duhur. Me fjalë të tjera, shumica e trendëve të zhvillimit në Kosovë nuk janë më të natyrës ushtarake, të paktën jo në tërësinë e tyre”, tha ai.

Gjatë numërimit të rezultateve të arritura të KFOR-it ai tha se misioni i KFOR-it është duke u zhvilluar me një ritëm më të shpejtë se në të kaluarën.

Miglietta: KFOR-i do të vazhdojë të bëj më të mirën nga vetja

 “Tani duhet që ne, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet në Kosovë, të jemi shumë të kujdesshëm të mos e pengojmë procesin me sasi të tepërt të optimizmit apo duke siguruar rezultate të shpejta dhe të lehta politike për audiencën e brendshme përkatëse. Ne duhet ë vazhdojmë të përpiqemi t’i kthejmë sfidat në mundësi. Tani më shumë se kurrë, udhëheqja ushtarake dhe politike duhet të përdorin gjithë kapacitetin e tyre për të punuar së bashku për t’i arritur qëllimet e shumëpritura. KFOR-i do të vazhdojë të bëj më të mirën nga vetja”, shtoi ai.

Ndërsa shefi italian i mbrojtës Gjenerali Claudio Graziano, ka thënë se Kosova që nga viti 1999 ka pasur një progres të madh. Ai tha se kjo është arritur për shkak të bashkëpunimit të mirëfilltë në mes qytetarëve, forcave multi-etnike gjë që sipas tij, ka çuar në stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë.

Shefi italian i mbrojtjes Gjenerali Claudio Graziano:

“Që nga viti 1999 situata në këtë vend është përmirësuar dukshëm dhe ky është një konfirmim i një pune të rëndësishme dhe të një iniciative të ndërmarrë mirë, tani natyrisht situata është shumë më e mirë dhe më e përmirësuar, dhe kjo ka ardhur si rezultat i shpirtit të bashkëpunimit të shpërndarë nga të gjitha palët si nga autoritetet dhe qytetarët, forcat multietnike nga vendet fqinje, dialogu dhe bashkëpunimi natyrisht dëshmuan se ishin të dobishme për stabilitetin e të dyja vendeve”, tha ai.

Në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Thaçi falënderoi komandantin e deritashëm dhe tërë KFOR-in për punën dhe angazhimin e tyre në ruajtjen dhe forcimin e paqes në Kosovë dhe në rajon.

Thaçi: KFOR-i jo vetëm që ruan paqen, por edhe e ndërton atë

“KFOR-i mbron kufijtë e jashtëm të Kosovës, por edhe përkrah Kosovën përbrenda. KFOR-i ofron ndihmë humanitare të gjithanshme për të gjitha komunitetet. KFOR-i përkrah shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare, mediat. KFOR-i mbështet drejtpërdrejt çdo qytetar të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo rajonin ku ata jetojnë. Pra, KFOR-i në Kosovë jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton paqen.....Mbi këto parime është ndërtuar edhe miqësia jonë, e qytetarëve të Kosovës dhe KFOR-it”, tha ai.

Miglietta mori detyrën e koamandantit të KFOR-it në 7 gusht 2015 nga gjeneral major Francesko Paolo Figliuolo, i cili nga 3 shtatori 2014, pasoi Gjeneral Majorin Salvatore Farina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat