Apostolova: BE kërkon tolerancë zero për korrupsionin dhe barazi ndaj të gjithëve para ligjit

Aktuale

Apostolova: BE kërkon tolerancë zero për korrupsionin dhe barazi ndaj të gjithëve para ligjit

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 11:14
Nataliya Apostolova

(E plotësuar) - Tash e më shumë së gjashtë muaj nga ratifikimi i Marrëveshjes për Asociim dhe Stabilizim, vëmendja është kthyer në drejtimin e zbatimit të saj dhe reformave të kërkuara.

Rol të theksuar mbikëqyrës në këtë proces do të ketë Komisioni parlamentar për Integrime, por Jo vetëm.   Për këtë ky komision parlamentar dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizuan sot Diskutim publik me temë Progresi në zbatimin e MSA-së.

Shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se MSA ka rëndësi ekonomike dhe politikë për Kosovën. Sipas tij, shtetet e BE-së janë të përkushtuara dhe kanë kritere që Kosova të funksionalizojë shtetin ligjor, funksionimin e kuvendit me tolerancë zero korrupsion, dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të korrupsionit.  

Apostolova: Duhet ta shohim sundimin e ligjit të fuqizuar në Kosovë me një kuvend funksional

“Marrëveshja është një deklaratë që BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të përkushtuara për Kosovën dhe progresin e saj. Ne duhet ta shohim demokracinë në Kosovë, ne duhet ta shohim sundimin e ligjit të fuqizuar në Kosovë me një kuvend funksional dhe me tolerancë zero për korrupsionin dhe barazinë e të gjithëve para ligjit dhe institucioneve. Sundimi i ligjit është në thelb të marrëveshjes së MSA-së njëkohësisht sundimi i ligjit paraqet sfidat më të mëdha për Kosovën, si: pavarësi e gjyqësorit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Apostolova.

Ajo tha se efektet e MSA-së ndikojnë në balancimin tregtar dhe në shtimin e numrit e vendeve të reja të punës.

Kryetarja e Komisionit për Integrime, Njomza Emini, tha se me gjithë simbolikën që ka kjo marrëveshje, fokusi tani duhet të vendoset tek zbatimi dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Ajo tha se në këtë vazhdë,  kuvendi i Kosovës dhe veçanërisht Komisioni për Integrime do të luaj një rol kyç në këtë proces.

Sipas saj, përafrimi i ligjeve me legjislacionin e  BE-së dhe mbikëqyrja e zbatimit të marrëveshjes nga institucionet qeveritare dhe Agjencitë e pavarura do të jenë detyrat kyçe të komisionit.

Emini: Për zbatimin e MSA-së fatkeqësisht bilanci i punës tonë nuk është pozitiv

“Për këto gjashtë muaj të hyrjes në fuqi të marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe miratimit të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së fatkeqësisht bilanci i punës tonë nuk është pozitiv. Na duhet të punojmë shumë më shumë që ta arrijmë objektivat tona dhe të përmbushim obligimin tonë ndaj qytetarëve të vendit, integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Emini.

 Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa  Osmani, duke folur për procesin e marrëveshjes së MSA dhe integrimet Kosovës në BE, vlerësoi se investitorët e huaj po pengohen të investojnë në Kosovë, duke iu kërkuar ryshfet 25 përqind me të ardhur në aeroport.

Osmani: Investitorët e huaj pengohen nga shteti dhe iu kërkojnë 25 përqind ryshfet për invetime

“Janë gjëra të thjeshta që kanë penguar investitorët e huaj, e mos të flasim pastaj për njerëzit që i presin në aeroport dhe ua kërkojnë 25 përqindëshin. Kjo që ka të bëjë me krim të pastër të organizuar”, tha Osmani.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Dren Doli vlerësoi në hapje të debatit se pas hyrjes në fuqi të MSA-së, fatkeqësisht debati publik, por edhe politik trajton tema tjera në krahasim me nevojat që ka procesi i Integrimit Evropian.

Sipas tij, kjo tryezë ka për qëllim debatin mbi prioritetet e shtetit të Kosovës dhe mbi nevojën që ka Kosova ta orientojë drejt MSA-së dhe obligimeve që ka Kosova.

Doli tha se pa dashur të mohuar rëndësinë e çdo debati publik dhe politik në Kosovë, është e nevojshme që të gjitha partitë politike, por edhe institucionet e Kosovës të tregojnë vullnet politik në çështjen e zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të tregojnë përkushtimin e tyre të duhur në këtë proces. Për ndryshe, sipas tij, rruga e Kosovës deri në anëtarësimin e BE-së do të jetë e gjatë.

Ndërsa, anëtarja e komisionit parlamentar të Integrimeve, Donika Kadaj-Bujupi, tha se tregtia e jashtme edhe pas MSA-së ka mbetur njësojë, pa ndikime. Pra, sipas saj, importi nga vendet e BE-së për në Kosovë janë shtuar për 7 për qind.

Apostolova: BE kërkon të shohë dënime në rastet e korrupsionit

Shefja e Re e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka ftuar liderët politik në Kosovë që të kalojnë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku për ta quar Kosovën drejt BE-së.

Apostolova ka thënë se vetëm në atë mënyrë do të ishte e mundur realizimi i marrëveshjeve në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

“I ftoj udhëheqësit politik që të kalojnë dallimet dhe të punojnë së bashku për të ardhmen e Kosovës në Evropë. Shpresoj që ngjarjet e sotme do të na ndihmojnë që ta sjellin më afër marrëveshjeve të mira në mes të BE-së dhe Kosovës të cilat sjellin vetëm të mira për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Apostolova.

Megjithatë ajo ka pasur edhe një porosi konkrete për Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të siguroj një të ardhme evropiane.

“Ne duam të shohim demokraci në Kosovë. Duam progres por edhe sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit është sfida më e  madhe për Kosovën aktualisht. Këto probleme nëse nuk adresohen mirë mund të dëmtojnë shumë afrimin e Kosovës me BE-në.  BE dëshiron që të shoh rezultate të qarta në luftimin e korrupsionit. Hetime dhe dënime në këtë drejtim”, ka thënë Apostolova

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat