Kishë politike apo kishë e politizuar?

Aktuale

Kishë politike apo kishë e politizuar?

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 17:02
Objekti ortodoks "Krishti Shpëtimtar" në Prishtinë

Çështja e objektit të papërfunduar të faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, objekt ky i cili gjendet brenda hapësirës së kampusit të Universitetit të Prishtinës, është politizuar skajshëm dhe pa nevojë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, por edhe ekspertë të sociologjisë së religjionit.

Pretendimet se ditë më parë në brendësi të këtij objekti, themelet e të cilit janë vënë në vitin 1992 dhe forma aktuale e të cilit është përfunduar në vitin 1999, është ndezur zjarr, ka nxitur reagimin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Një grup murgjish dhe besimtarësh ortodoksë serbë javën e kaluar bënë përpjekje për të pastruar objektin. Këta të fundit u ndaluan nga zyrtarët e komunës së Prishtinës, që thanë se “punimet nuk mund të kryhen pa një leje paraprake nga komuna”.

Për më tepër, një numër studentësh të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar kundër, siç është thënë, funksionalizimit të këtij objekti fetar, me ç’rast ka pasur edhe përplasje me Policinë e Kosovës.

Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se çështja e objektit të faltores ortodokse serbe në kampusin universitar është politizuar skajshëm, por sipas tij, edhe panevojshëm.

“Tashmë e kemi kuptuar se çështja në fjalë është e ndjeshme në shumë aspekte. Situatës aktuale politike dhe jo vetëm asaj, duket se nuk i duhen, por edhe shihet se nuk i janë të nevojshëm as ata që paraqiten si viktima e as ata që duan të paraqiten si mbrojtës”, ka theksuar Abullahu.

Ditë më parë, objekti i Kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës ka nxitur menaxhmetin e UP-së, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që “përmes rrugëve politike dhe juridike të qartësojë situatën, duke e kthyer pronën prapa”.

Edhe igumeni Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, vlerëson se çështja e objektit të faltores ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar” është politizuar skajshëm dhe panevojshëm. Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ai objekt nuk është politik.

“Bëhet fjalë për objektin, të cilin ka ndërtuar Kisha Ortodokse Serbe, e në përputhje me të gjitha ligjet e atëhershme dhe jo politikanët. Ky është objekt fetar dhe jo politik dhe për këtë arsye duhet të sigurohet që Kisha Ortodokse Serbe ta shfrytëzojë atë”, ka thënë igumeni Janjiq.

Ai ka shtuar se në Prishtinë janë ndërtuar dhe po ndërtohen objekte fetare edhe të konfesioneve tjera, islame dhe katolike, sikurse katedralja katolike “Nëna Terezë”, por edhe Xhamia qendrore, e cila është planifikuar të ndërtohet në afërsi të objektit kryesor të Postës së Kosovës, në Prishtinë.

Por, Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, vlerëson se reagimet e studentëve dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, por edhe reagimet me tone të nxehta në rrjetet sociale nga qytetarët e Kosovës, nuk janë shprehje e averzionit ndaj një objekti të kultit ortodoks, për faktin se sipas tij, një pjesë e bashkëkombësve të tyre i takojnë po këtij kulti.

“Por, ambienti në të cilin është ndërtuar dhe rrethanat në të cilat është ndërtuar japin të kuptojmë dhe asociojnë në ngritjen e tensioneve, përkatësisht në shpërfaqjen e reagimeve qytetare, të cilat këtë objekt e shohin si diçka që asocon në regjimin e Millosheviqit, të keqes më të madhe të Ballkanit. Këtu nënkuptohet edhe vendi, përkatësisht ambienti, në të cilin është ndërtuar ky objekt, i cili i ka zënë frymën kampusit universitar”, ka thënë Hasani.

Por, igumeni Janjiq insiston që edhe besimtarët ortodoksë serbë kanë të drejtën që ta shfrytëzojnë këtë objekt dhe se sipas tij, kjo e drejtë duhet të sigurohet.

“Për besimtarët ortodoksë duhet të sigurohet liria e shfrytëzimit të këtij objekti, i cili është ngritur në tokën, e cila sipas kadastrës edhe më tej është pronë e Kishës Ortodokse Serbe. Kjo është zgjidhja e vetme e drejtë që ne e shohim. Thirrja për shembjen e këtij objekti ose marrjen e tij nga kisha jonë, thjeshtë është e dëmshme dhe kundër produktive”, tha Janjiq.

Në anën tjetër , zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Abdullahu, thotë se në gjithë këtë situatë të elektrizuar rreth këtij objekti, e rëndësishme është që çështja t’i lihet në duar ligjit.

“Me rëndësi është që krejt kjo të mos politizohet. Po aq e rëndësishme është që të mos ngatërrohen kompetencat, por të respektohen ligjet dhe parimet, mbi të cilat funksionon shoqëria jonë”, thotë Abdullahu.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Hasani. Sipas tij, kontesti lidhur me objektin ortodoks serb në kampusin universitar duhet shikuar nga prizmi ligjor, në pikëpamjen procedurale dhe kohore, se si është arritur deri te ngritja e këtij objekti në kampusin universitar.

Megjithatë, ai shpreh mendimin se çështja e këtij objekti është, siç e ka quajtur ai, ‘bombë e kurdisur” në kuptimin politik, ndaj së cilës kërkohet qasje e kujdesshme e institucioneve, por edhe e gjithë shoqërisë në Kosovë.

“Ajo ngrehinë është e kurdisur në kohën e regjimit të Millosheviqit, si bombë, për të cilën sigurisht që regjimi i Millosheviqit ka menduar që dikur do të vijë koha dhe do të pëlcas. Do të thotë, edhe njëra edhe pala tjetër, pa asnjë arsye, bëjnë përpjekje që t’i politizojnë gjërat, të ngritin gjëra të paqena, ndërkohë që çështja e statusit të asaj godine aty duhet t’i lihet ligjit dhe vetëm ligjit”, thotë Hasani.

Në kohën kur ka filluar ndërtimi i kësaj kishe, rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, kishte dërguar kallëzim penal në gjykatë, duke kontestuar ndërtimin e objektit fetar në hapësirën e universitetit.

Tashmë, që nga viti 2012, çështja e faltores ortodokse “Krishti Shpëtimtar” është në gjykatë, për të shqyrtuar legjitimitetin e kërkesave të të dyja palëve, Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës. (REL)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat