Thaçi: Në Ditën e Paqes, le ta refuzojmë dhunën

Aktuale

Thaçi: Në Ditën e Paqes, le ta refuzojmë dhunën

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 11:46
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes, ka kërkuar nga kosovarët që të reflektojnë e ta refuzojnë dhunën.

Ai ka thënë se populli i Kosovës ka plagë të hapura nga lufta e fundit, dhe nga kjo duhet ta dijë se sa e vlefshme është paqja.

“Dita Ndërkombëtare e Paqes, e cila shënohet anembanë botës për të dhënë mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve. Ne si popull që ende kemi plagë të hapura nga lufta e dimë më së miri se sa e shtrenjtë është paqja, prandaj le të ndalemi një moment e të reflektojmë mbi ato vlera që kultivojnë dhe forcojnë paqen”, shkruan Thaçi në profilin e tij në Facebook.

“Le të na shërbejë kjo ditë për t’u vetëdijesuar për nevojën që kemi për të refuzuar dhunën, jo-tolerancën, diskriminimin, gjuhën e urrejtjes e të tjera sjellje të ngjashme të dëmshme që kërcënojnë paqen dhe harmoninë mes nesh”.

I pari i shtetit, në këtë ditë që i dedikohet paqes në botë, nuk ka lënë pa i përmendur as vendet e botës që aktualisht janë në gjendje lufte.

“Në këtë ditë po ashtu kujtojmë me dhembshuri e keqardhje të gjithë ata njerëz që gjenden në mes të flakëve të luftës, në Lindje të Mesme, Afrikë e kudo tjetër, duke shpresuar që vuajtjet e tyre të marrin fund sa më shpejt dhe paqja të kthehet e të mbretërojë në vendet e tyre”, ka shkruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat