Kosova vend transit i trafikimit të drogës

Aktuale

Kosova vend transit i trafikimit të drogës

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 17:06
Ilustrim

Kosova është vend transit për trafikimin e drogës dhe jo destinacion i drogës, thonë autoritetet e rendit, një pohim i bazuar edhe në raportet ndërkombëtare për aktivitetet e grupeve të njohura si trafikues me substanca narkotike.

Sipas shënimeve zyrtare vetëm brenda vitit janë konfiskuar mbi 420 kilogramë marihuana dhe autoritetet e rendit thonë se kanë arrestuar 562 persona për trafikim me substanca narkotike.

Ato thonë se veç tjerash, janë kapur lloje të ndryshme të narkotikëve duke përfshirë marihuanë, kokainë, heroinë e të tjera.

Kosova në raportet ndërkombëtare e ato të Departamentit të Shtetit është cilësuar si një vend transiti dhe jo burim i i drogës dhe as vend destinimi, megjithëse së bashku me vendet e tjera të rajonit të Balkanit është shndërruar edhe në vend shfrytëzues.

Bahri Shala, nga njësia antidrogë në Policinë e Kosovës, ka thënë se Kosova,për shkak të pozitës strategjike është ndërmjet vijave të komunikimit mes Lindjes dhe Perëndimit, si dhe bën pjesë në rrugën Ballkanike të transportimit të substancave narkotike, qoftë me origjinë nga Lindja drejt Perëndimit apo anasjelltas.

‘’Kosova më shumë pra është vend transit sesa që është vend i konsumimit të këtyre substancave. Viteve të fundit në bazë të statistikave vërehet një rritje e lehtë sidomos e llojit marihuana, derisa ato me origjinë prej lindjes dhe që njihen si droga më të rënda kanë shënuar rënie deri në 70 për qind, ka thënë Shala".

"Ne si institucione kemi ngritur kapacitetet tona, në parandalimin e narkotikëve. Doganat e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërrmarëaksione që janë të bazuara në strategjinë nacionale dhe në situata të ndryshme në bazë të informacioneve që pranojmë, ndërmarim plane operative në parandalimin e futjes së substancave në teritorin tone”, ka thënë Shala.

Qeveria e Kosovës ka të miratuar strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, të drogave si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Por, zyrtarët e Policisë se Kosovës thonë se luftimi i trafikimit me drogat për Kosovën është bërë më e vështirë, për faktin se ajo nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe as EUROPOL-it, si dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë jo vetëm në rajon.

Kosova ende nuk është as anëtare e OKB-së dhe rrjedhimisht është e kufizuar në nënshkrimin e marrëveshjeve me disa shtete në mënyre që të ketë një luftë me të ashpër në trafikimin e narkotikëve

‘’Më problematike paraqitet pjesa e zonave kufitare ku nuk ka mundësi të monitorimit më të mirë të kësaj zone. Por, ne kemi bashkëpunuar me KFOR-in që na ka asistuar me fluturime e që kemi monitoruar me helikopterë ato pjesë nëse ka trafikim apo jo”, thotë Shala.

Trafikimi i drogave nëpërmjet Kosovës e ka shndërruar vendin edhe në një bazë të shfrytëzimit të tyre, dhe numri i përdoruesve të drogave thuhet se ka shënuar rritje të lehtë nëpër vite.

Defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në vitet e fundit Kosova ka shënuar rënie në përdorimin e llojit të drogës heroinë duke i lënë vendin marihuanës.

“Interesimi për të përdorur ka rënë, por edhe çasja deri tek kjo drogë është vështirësuar. Dëmet e këtij lloji të drogës janë të mëdha. Marihuana ka shënuar rritje të madhe të përdorimit. Edhe llojet e reja të drogave si GHB e të ngjashme po përdoren shumë sidomos në kryeqytet. Kokaina është duke shënuar rritje në përdorim, vitin e fundit’’, ka thënë Blakaj.

Blakaj thotë se ‘narko-dilerët’ që veprojnë në Kosovë janë të një niveli të ulët dhe ata të cilët vetë e përdorin edhe e trafikojnë si doza ditore”.

“Por mund të them se përdoruesit e drogave tashmë janë mjaft kreativë dhe sigurimi i disa llojeve të drogave bëhet edhe përmes postave të shpejta’’, ka thënë Blakaj.

Sidoqoftë, sot në botë llogariten rreth 200 milionë njerëz që përdorin për herë të parë droga. Sipas statistikave në botë, trendi i përdorimit të drogave, sidomos te shkollarët, është në rritje e sipër, që nuk e përjashton as Kosovën. (REL)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat