KQZ-ja e Kosovës anëtarësohet në ACEEEO

Aktuale

KQZ-ja e Kosovës anëtarësohet në ACEEEO

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 09:39
Foto arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është anëtari më i ri i Shoqatës ndërkombëtare të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve (ACEEEO).

Pranimi i Kosovës është bërë në konferencën e 25-të të shoqatës, që po zhvillohet në Tiranë, si dhe pas një lobimi mjaft të rëndësishëm që ka bërë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Lefterije Luzi.

Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së së Kosovës, ka falënderuar homologen shqiptare dhe vendet që votuan “pro”, si dhe ka shprehur pritshmëritë nga anëtarësimi në këtë shoqatë.

“Nga kjo organizatë presim të kemi përfitim nga eksperienca e të gjitha trupave menaxhuese të zgjedhjeve të Europës, Europës Juglindore dhe Lindore, nga të cilat do të përfitojmë edhe ne. Kemi mundësi që të trajnohemi, kemi mundësi që të vëzhgojmë zgjedhjet kudo në Europë e botë”, deklaroi Valdete Daka.

Konferenca e 25-të e Shoqatës së Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve është vizituar edhe nga deputetë të Kuvendit, si dhe nga kryetari Ilir Meta, që vlerësuan shkëmbimin e eksperiencave në këtë aktivitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat