Mustafa kërkon përkrahjen e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për Kosovën

Aktuale

Mustafa kërkon përkrahjen e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për Kosovën

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 16:36
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, po zhvillon takime me drejtues të shteteve të ndryshme të botës.

Gjatë qëndrimit atje Mustafa, ka takuar presidentin e Naurusë, Baron Waqa, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme, duke kërkuar mbështetje të mëtejme për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, Mustafa, po ashtu, mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gambisë, e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Jashtme e Gambias, Neneh MacDouall-Gaye.

 “Gjatë një takimi me sekretaren të përgjithshme të Frankofonisë, Michaelle Jean, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahjen e Frankofonisë për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për procese tjera zhvillimore”, thuhet në njoftim.

 Mustafa u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për të drejtat njerëzore të personave LGBTI, Randy Ë. Berry, ku u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për garantimin e të drejtave të të gjithë njerëzve pa asnjë dallim.

 Ai ka mbajtur edhe një ligjëratë në Universitetin prestigjioz St.John’s, ku para shumë studentëve dhe profesorëve ka folur për Kosovën, të kaluarën e saj, zhvillimet e fundit si dhe për progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës.

 “Kryeministri Mustafa ka diskutuar dhe është përgjigjur në interesimet e shumë pjesëmarrësve, duke sqaruar proceset kryesore që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike e shumë procese të tjera”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat