Reagon LDK: Sondazhi është porositur nga VV dhe është bërë nga një kioskë që s’ka lidhje me hulumtim

Aktuale

Reagon LDK: Sondazhi është porositur nga VV dhe është bërë nga një kioskë që s’ka lidhje me hulumtim

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 21:32
ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas një sondazhi të publikuar në media. Sipas këtij sondazhi, partia e Isa Mustafës radhitet partia e tretë pas PDK-së dhe Vetëvendosjes. Mirëpo, LDK vlerëson se sondazhi është i porositur.

“Një medium kosovar është vënë 24 orë me 24 në shërbim të një partie politike. Përveç propagandës së përditshme mediale në shërbim të kësaj partie, ajo sot e paska publiku një sondazh të porositur e të blerë në një ‘kioskë’ .UBO Consulting është kioska e cila më së paku ka të bëjë me hulumtimin e opinionit. Uliks Osmani (burri i Arlinda Osmanit) është pronar i UBO Consulting apo sondazheve me tenderë, përveç kësaj është mik dhe rregullon leje së bashku me Ilir Gjinollin, mikun e Shpend Ahmetit. Ilir Gjinolli dhe Arlinda Osmani (gruaja e pronarit të UBO) dy pronarët e Studios së Arkitekturës Urban Plus e cila studio vazhdimisht shpërblehet me tenderë nga Komuna e Prishtinës. Sondazhi i vetëm për neve si parti qeverisëse dhe me parime institucionaliste janë zgjedhjet dhe vota e qytetarëve. Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të kryej detyrën e saj , që qytetarët i’a kanë besu (jo sondazhet) – qeverisjen e vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së. 

Sondazhi i ‘Ubo Consulting’: PDK e para, VV e dyta, LDK e treta

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme, 48 % e qytetarëve të Kosovës do të votonin.

Në një sondazh të bërë këtë muaj, 24.1 % e qytetarëve kanë thënë se do të votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Siç raportojnë disa portale, sondazhi shpjegon se 23.3 % e tyre, kanë thënë se do të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje, kurse LDK ka dalë e treta me 19.7 %.

Papunësia, luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik, janë tri prioritetet kryesore.

Sipas qytetarëve, partitë politike duhet të fokusohen në këto pika, gjatë përpilimit të programeve zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.

Sondazhi është bërë nga kompania vendore ‘Ubo Consulting’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat