Gjobat e larta sipas ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor, tanimë janë në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, ku në shumicën e rasteve janë kthyer në barcoleta sa qesharake aq edhe ironike. Vetë KMDLNj-ja, ka vlerësuar se oferta për pagesën e gjobës është sikur ofertat e supermarketeve në vendin tonë.
Gjobat më të lartë parashihen për tejkalim shpejtësie në zonat urbane të cilat janë prej 280-900 euro për tejkalim të shpejtësisë mbi 50km/h, por gjithashtu edhe gjobat për tejkalim shpejtësie në zonat jo urbane janë shumë të larta deri në 600euro.
Pasi që Republika e Gjermanisë njihet si vendi me rrugët më të sigurta në Evropë dhe i ka shoferët më të disiplinuar në botë, atje gjobat janë shumë më të ulëta sesa në Republikën e Kosovës, edhe pse standardet dhe rrogat e tyre janë 7-8fish më të larta sesa në Republikën e Kosovës.
Tejkalimi i shpejtësisë në zonat urbane në Kosovë mbi 50 km/h, gjoba është nga 300 euro deri në 900 euro, në Gjermani është nga 280 e deri në 680 euro. Në këtë rast të kundërvajtjes, Kosovë vozitësit i hiqen 5 pikë nga patentë shoferi kurse në Gjermani 2. Ndërsa vozitësit në Kosovë mund t’i pezullohet patentë shoferi për 1 vit kurse në Gjermani nga 1-3 muaj.
Për tejkalimi të shpejtësisë në zonat jo urbane në Kosovë gjobat fillojnë me 20euro për tejkalim shpejtësie prej 10-20km/h e arrijnë deri 600euro nëse shpejtësia e zhvilluar nga shoferi është mbi 50km/h mbi normën e lejuar. Vozitësve në Kosovë iu hiqen 3 pikë kurse në Gjermani 2. Pezullimi për patentë shoferit në Kosovë është parashikuar të jetë 3 muaj e në Gjermani është nga 1-3 muaj.
Ndërsa për vozitësin i cili nuk e respekton semaforin e kuq në Kosovë gjoba është 150 euro, kurse në Gjermani është 90 euro. Pikët që hiqen nga patentë shoferi në Kosovë janë 3 kurse në Gjermani është 1, teksa në këtë rast në Gjermani nuk ka ndonjë pezullim në Kosovë ky pezullim shkon deri në 3 muaj
Tek përparësi e kalimit për këmbësorë kemi një dallim sa i përket dënimit dhe nuk ka asnjë pezullim të patentës nga asnjëri shtet. Pasi që, në Kosovë vozitësi dënohet 40 euro dhe nuk i hiqet asnjë pikë, në Gjermani është 80 euro dhe heqje të 1 pike nga patentë shoferi.
Për përdorim të telefonit duke vozitur, vozitësi mund të dënohet me 40 euro, kurse, në Gjermani me 60 euro.
Për vendosjen e rripit të sigurisë nga vozitësi apo udhëtari në automjet, të dy palët mund të gjobiten me 40 euro derisa në Gjermani shuma është 30 euro.
Kurse, në Kosovë nëse nuk e mbanë distancën e nevojshme ndërmjet mjeteve gjoba është 40 euro kurse në Gjermani gjoba për këtë shkelje është 25 euro.
Edhe për automjetin që jep sinjalizim të gabuar vozitësi mund të gjobitet me 40 euro kurse në Gjermani për të njëjtën shkelje, gjoba është 10 euro.
Në mesin e atyre që e kundërshtojnë ligjin e ri për trafik rrugor është hartuesi i këtyre krahasimeve në të njëjtën kohë, juristi Rinor Kryeziu.
Ai tha se është rregull bazikë në drejtësi për ligjet të cilat nuk mund të zbatohen në një vend ose ligjet të cilat merren dhe kopjohen nga një vend tjetër, janë të pazbatueshme në vendin ku implementohen, prandaj, ai tha se ky ligj është shumë i vështirë sepse ka një diskrepancë mes standardit jetësor dhe gjobave të cilat janë vëne prej ligjvënësit.
Kryeziu shtoi se Policia e Kosovës mund t’a bëjë disiplinimin e qytetarëve me anë të gjobave të larta të cilat janë të papërballueshme dhe qytetarët nuk mund t’i paguajnë. Sipas tij, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të interesohen më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve me kampanja vetëdijesuese lidhur me atë se çfarë rrezikimi mund t’iu bëhet të tjerëve në trafikun rrugor.
Kryeziu: Diskrepancë mes standardit jetësor dhe gjobave
“Në Kosovë ka shumë vend për rregullimin e sinjalistikës rrugore e cila do t’i bënte shoferët më të vetëdijshëm dhe shumë më të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të komunikacionit rrugor...është shumë e udhës që të vendosen pajisje statike siç janë blicat në rrugë të cilët shumë në mënyrë më efektive e kishin parandalua hyrjen në semafor të kuq sesa policia mobile që mundet t’i has vozitësit kundërvajtës apo të cilët nuk mund t’i has, e cila është në dorën e fatit.... është rregull bazike në drejtësi se ligjet të cilat nuk mund të zbatohen në një vend ose ligjet të cilat merren kopjohen nga një vend tjetër janë të pazbatueshme në vendin ku implementohen, prandaj edhe ky ligj është shumë i vështirë sepse ka një diskrepancë mes standardit jetësor dhe gjobave të cilat janë vëne prej ligjvënësit” tha Kryeziu.
Juristi Rinor Kryeziu, tha se përkundër gjobave të larta, ky ligj i ka sjellë edhe disa risi të rëndësishme vendit, vozitësit të cilët kanë fëmijë duhet të kenë kujdes edhe për ulëset e fëmijëve, kjo për siguri tëfëmijëve edhe pse gjobat janë shumë të larta deri në 300 euro për këtë lloj kundërvajtje, kurse në Gjermani gjoba për këtë është 60 euro, si dhe heqjen prej 1 pike dhe pezullim të patentës për 3-6muaj, ndërsa, në Kosovë nuk hiqet asnjë pikë, mirëpo, ka pezullim të patentës prej 3-6muaj.
Ai po ashtu përmendi përparësinë tjetër që ka ky ligj për kontrollet mobile të automjeteve, sepse, sipas tij, në Kosovë ka shumë mjete të vjetërsuaradhe evitimi i këtyre automjeteve do të ndikojë në zvogëlimin e aksidenteve.
Kryeziu: Përparësitë e këtij ligji
“Unë besoj shumë që ligji ka sjell edhe shumë risi tjera p.sh janë ulëset e sigurisë për fëmijë të cilat janë shumë të dobishme në këtë ligj, edhe pse gjobat janë shumë të larta deri në 300 euro për këtë lloj kundërvajtje...Risi shumë e dobishme është edhe kontrolli i jashtëzakonshëm i mjetit edhe kontrollet mobile, pasi që ne shumë mirë e dimë që shumë mjete në Kosovë janë të stërvjetëruara dhe nuk i përmbushin kriteret teknike për me dal në rrugë, në këto raste Policia e Kosovës kanë të drejtë të ndalojë automjetin dhe ta detyrojnë shoferin të rregullojë mjetin dhe kjo do të ndikojë në zvogëlimin e aksidenteve” tha Kryeziu.
Ndryshe, janë shprehur qytetarët e Kosovës në një anketë të realizuar nga Kp. Disa prej qytetarëve e përkrahin ligjin për siguri rrugore, e disa të tjerë nuk e pranojnë këtë ligj, pasi që këto gjoba janë të papërballueshme për ta.
Mërgimtari Nexhmi Graca, tha se jeta e njeriut është më e rëndësishme sesa gjobat e larta, pasi që sipas tij,njerëzit duhet të disiplinohen me ligj dhe kur ligjet janë më të ashpëra njerëzit janë më të kujdesshëm.
Graca: Njerëzit duhet të disiplinohen me ligj
“Gjobat nuk janë të larta sepse është në pyetje jeta e njeriut, njerëzit duhet të disiplinohen me ligj, meqenëse, ligjet janë të ashpra,atëherë njerëzit janë më të kujdesshëm. Mendoj që është dashtë të merret diçka sepse numri i të vdekurve është jashtëzakonisht i madh, unë edhe pse jetoj jashtë unë i përcjell këto përmes lajmeve dhe për neve është shqetësuese brenda 24orevë një ditë tha 41 ndeshje, kjo është e tepërt. Edhe mendoj që njerëzit ngadalë do të adaptohen... s’paku do të jetë një kujdes më i madh nga njerëzit sepse ligjet dihet si funksionojnë këtu në Kosovë, diçka duhet të ndërmerret ose policia të qëndroj në rrugë të jenë mobil sepse çdo shofer kur e sheh policinë e ngadalëson shpejtësinë ajo është e natyrshme” tha Graca.
Arbëri, një qytetar tjetër, është shprehur pro gjobave të larta sepse qytetarët e Kosovës nuk marrin vesh ndryshe, mirëpo, tha se policia duhet t’i edukojë vozitësit edhe në forma tjera.
Arbëri: Policia duhet t’i edukojë vozitësit
“Unë mendoj se gjobat duhet me qenë në funksion se siç duket qytetarët tanë nuk marrin vesh ndryshe, ma mirë kish me qenë qeveria me mendu që përmes policisë me i edukua, me qenë prania e policisë më e shpeshtë në rrugë sepse me gjoba, t’i e dënon me një gjobë të madhe ai nuk ka mundësi me pagu”,tha Arbëri.
Edhe qytetari Afrim Metaj, tha se e përkrah vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për gjobat e larta dhe ky ligj do të ketë funksion bazuar në informacionet që ka se Policia e Kosovës ka shqiptuar rreth 700 tiketa që në ditën e parë, atëherë ai theksoi se ky ligj do të jetë efektiv.
Metaj: Ky ligj do të jetë efektiv
“Gjobat e shqyrtime janë të arsyeshme sipas mendimit tim sepse një jete e njeriut është më e vlefshme sesa një gjobe e lartë, nëse respektohen rregullat e komunikacionit të cilat janë të parapara me ligj atëherë nuk ka gjobë... ligji ka me pas funksion nëse zbatohet në mënyrë të rregullt pasi edhe janë shqiptuar 700gjoba qysh në ditën e parë, mirë është, se nëse një herë dy here dënohet një person , ai ka me qenë më i vetëdijshëm, sepse xhepi i tij e sheh një paravlerë që e humb dhe ai do te jetë më i kujdesshëm” tha Metaj.
Ndryshe është shprehur qytetari Xhevdet Dakaj. Ai tha se gjobat janë më të larta sesa në shtetin e Gjermanisë dhe të Italisë, dhe sipas tij, kjo nuk ka kuptim dhe do të sjellë vetëm konflikte.
Dakaj: Ky ligj do të sjell konflikte
“Janë më të larta se në shtetin e Gjermanisë dhe Italisë edhe më lartë se gjithkund në botë, kjo nuk ka kuptim, ligji nuk ka me funksionu, kjo veq ka me kriju konflikte kurgjo ma shumë”thaDakaj.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka vlerësuar se nëse ky ligj mbetet i tillë siç është, mund të ketë efekte afatshkurtëra por pasoja afatgjata.
Sipas KMDLNj-së, dënimet e larta janë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të cilët, në rast se nuk i paguajnë dënimet mund të përballen me përmbaruesit ose dënimin me burg.
“Nëse nuk instalohet sistemi i kamerave apo nuk sigurohet një mbikëqyrje , ky ligj i ri për komunikacionin mund dhe do të rrisë korrupsionin e policëve të trafikut rrugor sidomos nëse kemi parasysh rrogat e ulëta të policisë dhe interesit të shkelësit të rregullave të komunikacionit që në vend të një dënimi të supozuar prej 600 Eurove dhe marrjes së lejës së vozitjes në kohëzgjatje prej një viti , ai i jep policit 200 apo 300 euro si kusht që t’i mos shqiptojë dënimin. Ligji i ri për Komunikacion , ndonëse ka për qëllim parandalimin e shkeljeve të rregullave të komunikacionit fitohet përshtypja se ka për qëllim edhe mbushjen e arkës me para të shkelësve dhe një formë po shëndrrohet në një ofertë më shumë të karakterit të përfituesit material të stilit të ofertave të supermarketeve që janë në Kosovë, të cilat ofrojnë zbritje të mëdha, ende pa dalë malli në shitje”, thuhet në komunikatë.