“Në Kosovën e pasluftës, është instaluar një logjikë korruptive, e cila, për fat të keq ka qenë e prirur nga krimi i organizuar, nepotizmi, klientelizmi e dukuri tjera të shëmtuara, të cilat e kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e vendit, por edhe mirëqenien e qytetarëve duke keqpërdorur pozitat zyrtare”. “Është më se e domosdoshme dhe shumë lehtë e arritshme që në të ardhmen të caktohet një kriter nga të gjitha subjektet politike, që njerëz me probleme me ligjin të mos kandidohen për asnjë pozitë publike” shprehet analisti Leon Duhanaj.
Numri i zyrtarëve komunalë dhe institucionalë që janë nën hetime është 256. Këtu përfshihen 17 kryetarë të komunave, ministra, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm, kryeshefë ekzekutiv, drejtorë të drejtorive të komunave, drejtorë të ndërmarrjeve publike. Edhe pse këto zyrtarë janë nën hetime ata vazhdojnë të udhëheqin postet e tyre dhe paguhen për këtë.
Njohësi i punës së organeve të rendit dhe drejtësisë, Armend Ibrahimi, thotë se ligji vetëqeverisës është ai që e rregullon përfundimin e mandatit apo edhe shkarkimin e kryetarit të komunës ka konfuzitet ngase po në të njëjtin ligj thuhet, se mandati i kryetarit të komunës pushon nëse gjykata jep vendim për ndonjë vepër penale që mund të ketë kryer.
“Për kryetarët e komunave , sipas ligjit mbi vetëqeverisje, i cili ligj rregullon edhe pushimin apo përfundimin e mandatit apo edhe shkarkimin e kryetarit të komunës, ka konfuzitet, ngase po në të njëjtin ligj thuhet se mandati i kryetarit të komunës pushon, nëse gjykata jep vendim për ndonjë vepër penale që mund ta ketë kryer. Ndërsa, me nenin tjetër, ky ligj e obligon Qeverinë e Kosovës që ta shkarkojë kryetarin e caktuar i cili cënon kushtetutën apo ligjet e vendit, domethënë nëse veç dyshohet se ai ka kryer vepër penale”.
Sipas Ibrahimit, duke parë këtë paqartësi kemi edhe situata të papërgjegjësisë ndaj ligjt. Ai shton, se shërbyesit civil që kanë procedurë penale duhet të pezullohen me pagesë deri sa të mirret vendimi nga gjykata. “Sipas ligjit për shërbyesit civil vendimtare është që ata persona që kanë të inicuar procedurë penale duhet të pezullohen me pagesë prej 50% deri sa gjykata të jep fjalën përfundimtare” potencon Ibrahimi.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, thotë se duhet të respektohet principi i pafajësisë përderisa të akuzuarit apo ata që janë nën hetime nuk marrin verdiktin nga gjykata.
(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)