Hajredin Kuçi priti shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou

Aktuale

Hajredin Kuçi priti shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 16:30
Hajredin Kuçi dhe Alexandra Papadopoulou

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim njoftues shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou. Zëvendëskryeministri Kuçi, njëkohësisht, e uroi për marrjen e detyrës. 

Zëvendëskryeministri Kuçi e njoftoi shefen e EULEX-it lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit, si shtyllë qendrore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

Lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me EULEX-in, Zëvendëskryeministri u shpreh: “Sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe, si të tilla, ato janë në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Republikës së Kosovës”.

Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, theksoi se EULEX do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë në fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit.

Zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim përmes Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, si platformë e përshtatshme për të vlerësuar progresin në fushën e sundimit të ligjit. 

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat