“Veteran nuk të bën fakti që i ke dërguar një gotë ujë një luftëtari”

Aktuale

“Veteran nuk të bën fakti që i ke dërguar një gotë ujë një luftëtari”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 shtator 2016 Në ora: 17:45
Ilustrim

Organizata e veteranëve dhe invalidëve të Luftës ka paralajmëruar protestë që nga dita e nesërme për mos përmbushje të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. Ndërkohë, numri i madh i veteranëve ka ndikuar që Qeveria të mos arrij t`i përmbush këto kërkesa.

Madje, fryrja e listave i ka paraqitur problem qeverisë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Për analistin Kushtrim Kadriu, fryrja e listave ka bërë që të vonohet edhe procesi për verifikimin e statusit të kategorive të luftës.

“Është numër tepër i fryrë po t’i kishte këta mijëra veteranë( luftëtarë) gjatë luftës Kosova, nuk do të kishte fare nevojë për me intervenimin e faktori ndërkombëtar, por ne do të çliroheshim vet dhe do të ndërtonim një shtet të fortë, e të ngjashëm me atë Kroat. Mendoj se fyerja e listave ka bërë që ky proces të vonohet dhe të ketë problem. Qeveria e Kosovës është e pafaj në këtë proces pasi që është një ngarkesë e madhe për ti paguar ata mijëra njerëz pa punuar ndonjë gjë”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe propozimet për prekjen e trustit pensional për plotësimin e kërkesave të veteranëve janë të gabuara.

“Mendoj që edhe propozimet për prekjen e trustit pensional janë të gabuara dhe do të ketë një pakënaqësi të madhe të qytetarëve taksapagues të shtetit që paguajnë trusin pensional për pleqërinë e tyre, këto ide nuk guxojnë as të ndodhin e as të përmenden si ide”, ka nënvizuar ai.

Kadriu ka sugjeruar që veteranët të shkojnë të protestojnë para komisionit për verifikimin e kategorive të dala nga lufta.

”Veteranë duhet të protestojnë tek komisioni për fryrje të listave sepse Komisioni duhet t`i rregulloj këto probleme dhe të del veteran vetëm ai qe ka luftuar me të vërtetë e jo ata që i kanë dërguar një gotë ujë një luftëtari apo diçka e tillë”, ka thënë ai. Ndryshe, protesta e Shoqatës së Invalidëve dhe Veteranëve të Luftës fillon nesër nga ora 12.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat