Ymeri për Ligjin për Trepçën: Pse po iu ngutet Mustafës e Veselit?

Aktuale

Ymeri për Ligjin për Trepçën: Pse po iu ngutet Mustafës e Veselit?

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 17:10
Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, po dyshon shumë se Ligji për Trepçën është në të mirë të Kosovës e ekonomisë së saj.

Dyshimet e Ymerit, vinë, siç thotë ai, nga ngutia që po tregojnë Kryeministri Isa Mustafa e Kryeparlamentari Kadri Veseli që ta procedojnë e votojnë atë kaq shpejt.

“Është e vërtetë se Trepça rrezikon të futet në proces të likuidimit më 2 nëntor nëse ajo mbetet nën AKP-në”, shkruan Ymeri në llogarinë e tij në Facebook, por “me tepër më shqetëson, dhe më bën të dyshoj, ngutia e trajtimit të projektligjit”.

“Kryesia e Kuvendit sot paska vendosur që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta shqyrtojë të premten në lexim të parë Projektligjin për Trepçën, dhe pastaj të hënën ta përfundojë leximin e dytë, dhe të miratohet ligji në tërësi”.

“Ndërkohë që projektligji ende nuk është diskutuar as në Qeveri dhe nuk ka asnjë informatë të vetme për përmbajtjen e tij. Përveç deklarimeve të kota të Kadri Veselit e Isa Mustafës se ligji do të jetë në përputhje me interesat e Kosovës”, shkruan Ymeri.

“Historia na mëson që duhet të jemi tejet të shqetësuar dhe të vëmendshëm sa herë që këta të dy pretendojnë se po e mbrojnë interesin e Kosovës”.

“Aq me tepër më shqetëson, dhe më bën të dyshoj, ngutia e trajtimit të projektligjit. Është e vërtetë se Trepça rrezikon të futet në proces të likudimit më 2 nëntor nëse ajo mbetet nën AKP-në. Tërheqja qyqare e Mustafës, Thaçit e Veselit në janar të vitit 2015 nuk e shpëtoi Trepçën, siç pretendojnë, por ia vazhdoi asaj amullinë dhe kërcënimin”.

“Kjo nguti e trajtimit të shpejtë të projektligjit në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet”.

“Përveç nëse po duan ta miratojnë Ligjin për Trepçën shpejt e shpejt për ta fshehur përmbajtjen e tij. Çka po fshehin? Prej kujt po e fshehin? Më mirë thënë, prej kujt po frikësohen?”, pyet Ymeri.

“Nëse projektligji qenka në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës, ekonomisë sonë, në interes të minatorëve, atëherë pse po u dashka të fshihet?”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat