Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë frymëzim për shumë lëvizje kundër komunizmit dhe monizmit në Ballkan

Aktuale

Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë frymëzim për shumë lëvizje kundër komunizmit dhe monizmit në Ballkan

Më: 5 tetor 2016 Në ora: 20:00
Pamje nga ceremonia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të përvjetorit të 26-të të bashkimit të Gjermanisë, e cila u organizua nga ambasada gjermane në Kosovë.

Para shumë përfaqësuesve diplomatikë dhe të institucioneve të Kosovës, Thaçi tha se kjo festë nuk është vetëm e popullit gjerman, por edhe e Evropës dhe të gjithë popujve që e duan lirinë. 

“Bashkimi i dy Gjermanive ishte festë për popujt e Evropës Lindore, sepse ishte sinjali më bindës se koha e sistemit një-partiak, koha e ndalimit të mendimit ndryshe, kishte marrë fund. Ishte sinjal se epoka e lirisë, demokracisë dhe barazisë po fillonte edhe për Evropën Lindore”, ka thënë Thaçi.

 Sipas tij, kështu u përjetua kjo ditë edhe ndër popujt e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën. 

 “Bashkimi i Gjermanisë u shndërrua në shpresë për liri dhe demokraci. U bë frymëzim për shumë lëvizje kundër komunizmit dhe monizmit në Ballkan”, shtoi ai.

 Sipas njoftimit për media Thaçi ka folur edhe për mbështetjen që populli dhe shteti gjerman i kanë dhënë Kosovës në periudha të ndryshme. Ai ka thënë se vlerat e shoqërisë gjermane, qytetarët e Kosovës i kanë njohur qysh në vitet e 60-ta, me valën e gastarbajterëve të parë.

 “Sot nga kjo valë ka mbetur diaspora më e madhe e Kosovës, urë e rëndësishme që lidhë Kosovën me Gjermaninë, por edhe një nga ushqyesit kryesorë të Kosovës. Përkrahja për Kosovën vazhdoi edhe në vitet e 90-ta kur Gjermania hapi dyert për qindra mija qytetarë të Kosovës, të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se Gjermania, pas luftës, ishte një nga përkrahëset kryesore të përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

 “Duke shfrytëzuar përvojën historike të pajtimit francezo-gjerman, diplomacia gjermane dhe personalisht kancelarja Merkel janë mbështetës të palëkundur të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar ndër të tjerash Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat