'Serbët u ftuan në të gjitha takimet për Trepçën, por nuk u përgjigjen'

Aktuale

'Serbët u ftuan në të gjitha takimet për Trepçën, por nuk u përgjigjen'

Më: 6 tetor 2016 Në ora: 11:26
Komisioni

(E plotësuar) - Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, e ka miratuar sot në lexim të parë projektligjin për Trepçën, i cili nesër do të procedohet në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesi nga Lista serbe, Sasha Milosavljeviç, edhe në takimin e sotëm të Komisionit e ka bërë të qartë që këtë formë të projektligjit e kundërshtojnë dhe si të tillë nuk do ta votojnë. Ai ka kritikuar Qeverinë që gjatë diskutimeve të projektligjit, nuk kanë ftuar për diskutim përfaqësuesit nga komunitetit serb. Mirëpo, ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se në çdo takim janë ftuar edhe përfaqësuesit serb, madje ai tha se i ka me shkrim ftesat të cilat e dëshmojnë se janë ftuar edhe serbët si nga Qeveria edhe nga AKP-ja, mirëpo kanë qenë vetë serbët ata që nuk u janë përgjigjur ftesave.

Milosavljeviç: Ne do të jemi kundër këtij ligji

“Ne do të jemi kundër në parim të këtij ligji. Nëse gjatë amendamentit nuk i harmonizojmë qëndrimet e punëtorëve të Trepçës, të cilët i përkasin komunitetit serb, ne do të jemi kundër dhe kundër këtij ligji do të jemi edhe në leximin e dytë. Ne mendojmë se punëtoret e Trepçës janë përjashtuar nga vendimmarrja, dhe për fatin e Trepçës nuk janë marrë parasysh qëndrimet tona në Qeverinë e Kosovës. Përfaqësuesit serb nuk kanë marrë pjesë gjatë hartimit të këtij ligji dhe mendojmë se një ligj i rëndësisë kaq të madhe siç është ky ligj shumë shpejtë është fut në rendin e ditës. Pasi ligji është kaq i rëndësishëm është dashur kohë për të punuar në të. Nuk ka pasur mjaftë kohë për tu harmonizuar të gjitha qëndrimet…Unë jam kundër dhe gjithashtu edhe në parim në Kuvend do të jemi kundër këtij ligji“, tha Milosavljeviç.

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), nuk e ka bërë të ditur se çfarë qëndrimi ka VV për këtë projektligj. Përndryshe, Ymeri nuk ka pasur të drejtë vote pasi nuk është anëtar i rregullt në Komisioni për Zhvillim Ekonomik. Ai ka paraqitur disa vërejtje në projektligj duke thënë se në hartimin e tij Kuvendi ka mbetur jashtë vendimmarrjes për Trepçën, përveç Qeverisë e cila do të jetë 80 përqind aksionare e saj.

Ymeri: Qeveria e sjell ligjin për Trepçën pa strategjinë dhe studimin e fizibilitetit

“Në këtë rast po e diskutojmë ligjin para se të kemi strategjinë, edhe para se me pas një studim fizibiliteti për Trepçën...Të gjitha ato propozime për të ardhmen e Trepçës janë pak a shumë forma të ndryshme të saj, ose të njësive të veçanta banesore që krijohen në të. Mendoj që kjo është e gabuar në dy rrafshe... Në këto vendime siç parashihet me ligj pak a shumë Kuvendi përjashtohet. Çfarë do vendimi për të ardhmen e Trepçës pas miratimin e këtij ligji do të bëhet në nivel të bordit të Trepçës dhe natyrisht meqenëse Qeveria është 80 përqind aksionare, bëhet me vendim të Qeverisë por Kuvendi nuk pyetet më. Mendoj që kjo është e pa pranueshme, natyrisht që Kuvendi do të duhej të jepte vendime e veta siç i ka këto të drejta të garantuara karshi ndërmarrjeve të tjera publike”, tha Ymeri. 

Ndërsa Rrustem Berisha , anëtar i Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se në parim e përkrahin ligjin, por kanë disa vërejtje të cilat do ti paraqesin gjate diskutimeve publike.

Berisha:  Në parim e përkrahim projektligjin

“Në parim e përkrahim këtë ligj, por i kemi edhe vërejtjet tona të cilat besoj që mes leximit të parë dhe të dytë do t’i prezantojmë. Kryesisht vërejtjet që i kemi kanë të bëjnë me çfarë shoqërie do të jetë Trepça, a do të jetë shoqëri aksionare me përgjegjësi të kufizuar apo të pa kufizuara, sepse nuk janë të cekura përgjegjësitë. Pastaj kur bëhet fjalë tek aksionet, ajo pronësia 80 përqind e Qeverisë dhe 20 përqind e punëtoreve, mendoj se këtu duhet me analizua pak më mirë dhe kjo të shkon 75 -25 për punëtorët, dhe të përfshihen edhe punëtoret që nga viti ‘89 e këndej”, tha Berisha.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i ka dhënë disa sqarimet për vërejtët që deputetët kanë paraqitur gjatë prezantimit të ligjit për Trepçën. Duke përmendur edhe njëherë që pala serbe është ftuar në të gjitha takimet ku është diskutuar për Trepçën, Stavileci tha se ligji është bazuar edhe në disa ligje të tjera për të cilat nuk ka pasur nevojë të parashihen me këtë ligj.

Stavileci: I kemi ftuar dhe i kemi me shkrim ftesat e komunitetit në takime me grupet punuese

“Në një rast i referohemi njërit ligj, në rastin tjetër i referohemi ligjit tjetër... Pra tash për Trepçën ka tre dokumente referuese ligjore. Ligji bazik për Trepçën, Ligji për ndërmarrjet Publike dhe Ligji për ndërmarrjet Tregtare...Është edhe më mirë që e kemi në këtë mënyrë. Unë pajtohem që të jetë para-fizibiliteti, strategjia, ligji, mirëpo po të bëheshin të gjitha këto, atëherë do të mund të jepet një rekomandim që ne ta bënim ligjin dhe pasta ndoshta pas tre vitesh të ndryshonin rrethanat dhe do të duhej që përsëri t’i rikthehemi ligjit. Me ketë ligj kemi lënë shumë dyer të hapura dhe nuk e kemi mbyllur asnjërën... Ne i kemi edhe në formë të shkruar të gjitha ftesat që janë bërë pjesëtarëve të kolegëve edhe të ministrit edhe përfaqësuesit nga AKP-ja...ka qenë ftesa mirëpo kolegët në këtë rast nuk kanë ardhur në këto takime”, tha Stavileci.  

Muhmate Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit që të përgatisin amendamentet dhe t’i paraqesin ato të hënën gjatë dëgjimit publik të ligjit.

Përndryshe, nëse nuk krijohet baza ligjore për Trepçën deri në fillim të muajit të ardhshëm kombinati Trepça falimenton.

Stavileci prezanton projektligjin për Trepçën, serbët do të votojnë kundër Ligjit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri sot ka mbledhur anëtarët e saj për të përcjellur si pikë më të rëndësishme të ditës shqyrtimin në parim të Projektligjit Nr. L- 120 për Trepçën.

Me këtë rast, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik projektligjin për Trepçën. Ai tha se në këtë projektligj parashihet që Trepça pasi të bëhet shoqëri aksionare t’i ndryshohet statusi. Nga statusi i ri, Qeveria e Kosovës do të ketë 80 përqind të pronësisë së saj dhe 20 % të punëtorëve, ka thënë Stavileci.

Sasha Milosavljeviç, nga Lista serbe, tha se do ta kundërshtojnë këtë ligj dhe nuk do ta votojmë. Ai tha se Lista serbe nuk ka marrë pjesë fare në hartim të këtij projektligji. Nga ana tjetër, Rrustem Berisha, anëtar i Komisionit nga AAK-ja, tha se në parim e përkrahin ligji edhe pse i kanë disa vërejtje të cilat do t’i paraqesin në dëgjimet e ardhshme publike.  

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur shumë vërejtje në lidhje me këtë  projektligj ku sipas tij Kuvendi nuk ka kurrfarë roli në Trepçë. Ai tha se Qeveria prapë nuk ka nxjerrë një strategji për Trepçën para se të sjell projektligjin. Diskutimi për Trepçën është duke vazhduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat