“Veprimi i Thaçit i vonuar, tendencë për përmirësim imazhi”

Aktuale

“Veprimi i Thaçit i vonuar, tendencë për përmirësim imazhi”

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 22:08
Hashim Thaçi

Iniciativa e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i adresuar zyrtarisht rastet e vrasjeve të gjatë e pas luftës, është cilësuar veprim i vonuar nga analistët e Zonës B në Klan Kosova.

“Veprimi i sotëm i konferencës së Thaçit, është i vonuar. Aty shihet se është bërë me kujdes një përzgjedhje e ekuilibruar”, ka thënë Ilir Mirena.

Sipas Mirenës ekziston një arsye për gjithë pompozitetin që i dha Thaçi këtij momenti.

“Është një tentim për të krijuar një lloj simpatie për presidentin ndaj asaj se çfarë ka të rrënuar. Ka mund të mos i lë gazetarët në një mënyrë të tillë, Prandaj e shoh përpjekje të Thaçit për përmirësimin e imazhit të tij”.

Ndërsa Dardan Gashi deklaroi se “nuk ka ndonjë arsye të fortë pse bash pas 16 vjetësh janë paraqitur në Prokurori katër letra për hetime të krimeve para dhe pas luftës”, duke aluduar se ky veprim ka mundur të bëhej shumë më parë.

Sipas Gashit është vonë, sepse “Gjykata Speciale, tashmë e ka marr rrugën e vet”.

“Sa do që është e mirëseardhur që institucionet tona të merren me këto krime, a ka koordinim me gjykatën nuk e di, por nëse është kështu siç po shihet nga jashtë është e vonuar dhe nuk do të ketë shumë ndikim. Pikërisht për këto raste të katër letrave, është formuar Gjykata Speciale. Kjo për shkak se ne i kemi mohuar më parë këto çështje”.

Megjithatë Gashi tha “nëse merret seriozisht, kjo sigurisht që do të ketë efekte pozitive”.

Në anën tjetër ish-zëvendësministri, Ilir Mirena, shtoi se nëse kjo kërkesë e Thaçit të përcillje edhe me kërkesën për hetim të aferave korruptive do të ishte shumë më e efektshme dhe kuptimplotë.

“Kërkesa e Presidentit për hetimin e tyre, do të ishte pritur shumë më mirë sikur sot do të ishin përmendur, aferat korruptive, rastet e ndryshme ekonomike”.

“Ndërkaq me këto çështje merret Gjykata Speciale, e këtu qëndron rivaliteti po edhe një përpjekje për një lloj simpatie. Nëse ka qenë përpjekje për të fituar një simpati në opinion, shumë më mirë do të pritej sikur do të thoshte se do hetohej afera ‘Pronto’”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat