Bajrami: Thaçi e ka fundin afër – Veseli: Vetëm Zoti e di fundin e secilit

Aktuale

Bajrami: Thaçi e ka fundin afër – Veseli: Vetëm Zoti e di fundin e secilit

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 07:18
Kadri Veseli

(E plotësuar) -  As në seancën e sotme nuk munguan debatet e akuzat ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës. Këta të fundit akuzuan Qeverinë e Kosovës për siq thanë ata ‘kapje të shtetit.

Deputetja e LDK-së Njomëza Emini  a në fillim të seancës kërkoi  nga deputetët dhe udhëheqësit institucional për një zgjidhje  sa i përket Demarkacionit, përtej interesave të ngushta, në interes të shtetit dhe qytetarëve të tij. Emini ftoi  dhe liderët e partive opozitare, që të tejkalojnë çdo bojkot dhe kusht dhe të ulen me kreun e Qeverisë,  për të gjetur një zgjidhje.

Emini: Të gjejmë një zgjidhje

“Pra kriteri i cili na është vënë, ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, për mendimin tonë është i padrejtë. Tanimë ai është një kush që ne duhet ta përmbushim, përderisa lufta kundër korrupsionit është një kusht i vazhdueshëm sepse realizimi i tij nuk mund të bëhet sot për nesër, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është kusht thelbësor, pa të cilin liberalizimi nuk do të ndodh. Tani dështimi nuk mund t’i vishet askujt përveç neve që jemi në këtë sallë....Duke bërë thirrje për një zgjidhje përtej interesave të ngushta, në interes të shtetit dhe qytetarëve të tij, më lejoni që sot tu drejtohem deputetëve dhe liderëve të partive politike që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje”, tha ajo.

 Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca  akuzoi Qeverinë duke thënë se  “Klani Pronto” po kontrollon Policinë dhe gjyqësorin që sipas tij po sajojnë prova të rrejshme, duke arrestuar aktivistë të VV-së, të cilët po akuzohen për terrorizëm.

Konjufca:’ Klani Pronto’ kontrollon policinë dhe drejtësinë

“Se sa e kontrolluar është policia dhe drejtësia tek ne nga klani Pronto, mjafton të shihet se si po përdoren këto dy institucionet të shtetit kundër lëvizjes ‘Vetëvendosjes’. Ky është vazhdim i luftës kundër ‘Vetëvendosjes’, me mjete të tjera,  meqë nuk po mund të na luftojnë me argumente dhe fakte, në debate në rrafshin e politikës, tash me mashtrime e me procese të montuara gjyqësore, po duan të na shpallin terrorist. Kjo është shenjë që këta njerëz e kanë humbur diskutimin në rrafshin politik dhe politika nuk është më fusha e betejës. Tash janë arrestimet, burgjet dhe persekutimet, e kanë manipuluar policinë që të montojë prova të rrejshme ashtu që të sajohet fajtori.... Aktivistë të VV-së po mbahen me akuzën e fabrikuar për terrorizëm. Vetëm një javë pasi policia i sajoi provat dhe gjashtë aktivistët  tanë u burgosën, pasoi shpërblimi nga Qeveria e dhe për një mandat pesë vjeçar  për Shpend Maxhunin në krye të Policisë së Kosovës. Ai u shpërblye për keqpërdorimin e Policisë kundër lëvizjes Vetëvendosje”, tha Konjufca.

Akuza të rënda në drejtim të presidentit Hashim Thaci drejtoi shefja e Grupit Parlamentar të Nismës Valdete Bajrami

Ajo tha se  me dëshminë e ish guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi,  doli në pah ana e errët e presidentit Thaçi. Ndërsa kërkoi  nga Prokuroria e Shteti, që të trajtojë me urgjencë, dëshminë apo deklaratën e ish guvernatorit, ku është i implikuar Thaçi, e ku flitet për manipulime dhe ndikimin e tij, në financat e shtetit dhe të qytetarëve.

Bajrami: Thaçi e ka fundin afër

“Ku ishit qe sa vite zotëri Thaçi, pse nuk e keni bërë këtë veprim edhe më herët, kur ishit kryeministër, apo ishit të zënë se si t’i uzurponi institucionet e pavarura ashtu siç patët bërë me BQK-ën...E Ne kërkojmë nga Prokuroria e shteti që të trajtojë me urgjencë, dëshminë apo deklaratën e ish guvernatorit e që këtu është i implikuar Hashim Thaçi, ku flitet për manipulime dhe ndikimin e tij në financat konkretisht në financat e shtetit dhe të qytetarëve. Është e kotë se nuk do të funksionojë kjo metodë e juaja për ndreqje të imazhit tuaj, duke shfrytëzuar pjesën historike që ju takon qytetarëve, atyre që dhanë më të dashurit për liri, sepse e tërë bota e ka kuptuar se çfarë njeriu jeni ju dhe çfarë jeni në gjendje që të bëni vetëm e vetëm, që ta ruani veten dhe kolltukun tuaj. Nuk do të mund t’i ikni përgjegjësisë, ndoshta do të bëhet dikur vonë por ju e dini që fundin e keni afër”, tha Bajrami.

E në lidhje me këtë deklaratë të Bajramit ka reaguar krye parlamentari Kadri Veseli. Ai ka kërkuar sqarim nga Bajrami se si po mendon së e ka afër fundin presidenti Thaçi.

Veseli: Fundin na jep vetëm Zoti

 “Fundin e keni afër, si po mendon që e ka afër presidenti aktual. Ne jemi deputetë të Kuvendit. Shpeshherë po dëgjohen akuza që kanë të bëjnë me natyrën krejtësisht penale. Ftoj kryeprokurorin e shtetit që të mos jetë i heshtur, kur ka kësi akuza të drejtpërdrejta edhe të veprojë, për arsye se këtu u përmendën dhjetëra akuza,  që kanë të bëjnë me natyrën penale. Por edhe nga njerëz që mund të kenë pasur aktakuza. Sido që të jetë ne është mirë që të mbajmë konotacionin politik edhe të kritikën edhe të gjykimit ndaj njëri tjetrit. Fundin vetëm zoti ia jep secilit prej neve, asnjë njëri nuk mund të vendos”, tha Veseli.

Ndërkaq deputetja Time Kadriaj nga AAK, ia numëroi disa nga dështimet e kësaj Qeverie, për të cilën tha se nuk mund të flas as për së afërmi, për dështimet e tyre, të cilat janë të shumta.

Kadriaj: As për së afërmi s’mund t’i numëroj dështimet e Qeverisë

“As për së afërmi nuk do të mund ti paraqes të gjitha dështimet e kësaj qeverie. Por do të provoj  vetëm disa më kryesore. Të ia rikujtoj kësaj ushtrie qeveritare më e madhja në botë me 21 ministra e plot 50 zëvendësministrja, e ajo me çka po ballafaqohet Kosova sot, është vërtetë e dhimbshme. Dhe pse jemi vendi më i pasur nën tokë me xehe e mbi tokë me strukturë shoqërore me të re në evropër ne vazhdojmë vendi më i varfër edhe se Somalia”, tha  Kadriaj.

Ndërsa Rexhep Selimi kërkoi nga ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, të informojë për punën që është bërë për vjedhjet që kanë ndodhur vite me parë në Dhomën e Dëshmive në Policinë e Kosovës. Ndërsa tha se Policia gjithmonë është e gatshme të dal në konferenca shtypi,  kur arreston aktivistë të VV-së, por jo dhe për të dal për të treguar deri ku kanë shkuar hetimet e këtyre rasteve.

Selimi: Policia e gatshme për arrestime të VV-së, por jo dhe për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve në polic

 “ Ne kemi parë gatishmëri  ekstreme të zyrtarëve të PK për të dalë në konferenca shtypi, për shpëejgu rrjedhjen gjatë  arrestimeve të aktivisteve të VV dhe akoma s’kemi parë një gatishmëri të tillë nga PK, të cilën ju  e keni nën domenin e udhëheqjes të kenë dalur dhe ta kenë sqaruar qytetarëve deri kur kanë arritur ato..Meqë ju thatë se ka rinisur kur mund të iu shohim shpejtë ju dhe PK në një konferencë shtypi që ju nxirrni rezultatet e para që qojnë drejtë arrestimet  të autorëve të këtyre vjedhjeve”, tha ai.

E ministri Hyseni duke iu përgjigjur Selimit tha se ai nuk i cakton konferencat e Policisë dhe se nuk i ngatërron kompetencat.

Hyseni: Unë nuk i caktoj konferencat e policisë

“ Shumë i nderur deputet Rexhep Selimi. Të siguroij që as që kam qenë në dijeni as që duhet të jem në dijeni kur Policia e Kosovës organizon konferenca për media. Unë iu siguroj, është çështje jotja  beson apo s’beson. Andaj përgjigjja është se nuk e di, ngase policia e Kosovës vendos nëse duhet  të mbajë konferencë apo jo. PK vendos për mënyrën e komunikimit me publikun. Absolutisht për aq kohë sa do të jem ministër i brendshëm, nuk ngatërrohem me kompetencat dhe veprimet profesionale të Policisë së Kosovës”, tha Hyseni.

Deputetja e VV-së Donika Kadaj Bujupi kishte një porosi për kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, për të cilin tha se e “lëshoi seancën për të dalë dhe bërë fushatë”.

Kadaj-Bujupi: Po shkojmë në zgjedhje ose po e ndërrojmë kryetarin e Kuvendit

 “Ky vend fare s’po funksionon. Kryetari i Kuvendit pasi dha një urdhër për një prokuror, e mori në pyetje një deputete, e lëshoi seancën dhe shkoj me ba fushatë.... e sa për kryetarin e Kuvendit, nëse nuk mundet me qëndrua në seancë por don me shku në fushatë,  ose po shkojmë në zgjedhje ose po e ndërrojmë kryetarin e Kuvendit, se kështu nuk funksionon”, tha Kadaj-Bujupi.

Kuvendi në këtë seancë  miratoi Raportin  mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015. Deputetët po ashtu kishin kritika sa i përket Shërbimit Civil të Kosovës, për të cilin  u tha se shërbimi civil,  vazhdon të jetë skajshmërisht i politizuar.  E në lidhje me gjendjen në shërbimin civil foli dhe deputeti Sabri Hamiti. Ai tha se gjendja në shërbimin civil nuk është e mirë.

Hamiti: Problemi është te zbatimi i ligjit e jo ligji

“Qeveria jonë i ka 21 ministri. Ka mund t’i ketë 11. I ka dyfish zv/ ministra ose trefish për shkak të komuniteteve. Kuvendi nëse e shihni administratës edhe 1/3 me shku në pushim edhe iu garantoj që pak a shumë funksionon njësoj.. Sondazhet thonë se në administratë njerëzit në Kosovë prej 8 orëve rrinë 2 deri në 3 orë...Mendoj që tek ne,  në këtë sektor nuk është problem papunësia, por është problem koncepti i atij që është i punësuar, por është i papunë. Ky është] fenomen në gjitha strukturat sidomos në këtë lëmi. Punësimet shkojnë aty ku nuk ka punë. Ky është slogan i përditshëm që hala funksionin, e ka  gjetë një punë që s’bënë gjë”, tha Hamiti.

Kuvendi në seancën e mbajtur,  nuk ka arritur ta miratojë Raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2015, pasi që kishte shumë vota kundër këtij raporti, për të cilin pati kritika të shumta.

Deputetët thanë se raporti ishte i ngjashëm me të një viti më parë. Ndërsa u tha se  nuk mund të pritet punë profesionale nga një agjencion, i cili udhëhiqet nga njerëz politik dhe jo profesional.

E deputetja Melihate Tërmolli tha se nuk ka si të jetë raporti më i mirë, duke pasur parasysh që kjo agjenci udhëhiqet nga njerëz jo profesional, jo kompetent dhe politik.

Tërmkolli: Me ASK-në udhëheqin njerëz jo profesionalë

Nuk munguan kritikat për Agjencinë e Statistikave derisa, po shqyrtohet raporti i kësaj Agjencie për vitin 2015.

Deputetja e LDK-së Melihate Tërmolli tha se nuk ka si të jetë raporti më i mirë, duke pasur parasysh që kjo Agjenci udhëhiqet nga njerëz jo profesional, jo kompetent dhe politik.

“Kur dihet se kush e drejton këtë Agjenci, raporti po më duket tepër i mirë. Fatkeqësisht jo vetëm në këtë Agjenci, por dhe në agjencitë tjera udhëhiqen nga njerëz totalisht politik, jo profesional dhe jo kompetent. Prandaj s’ka qysh të jetë gjendja ndryshe dhe në ASK kur udhëhiqet nga njerëz jo profesional dhe jo kompetent. Kemi të bëjmë me punësime politike, në vende ku kërkohet punë profesionale. Pse Qeveria nuk po merret me këtë çështje. Në fakt e di, por nuk e di”, tha Tërmkolli.

Kuvendi miratoi raportin mbi gjendjen e Shërbimit Civil

Me 33 për, 23 kundër, dhe 7 abstenime Kuvendi miratoi Raportin mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015.

Shqipe Pantina nga VV tha se shërbimi civil vazhdon të jetë skajshmërisht i politizuar.

“Ne nuk mund ta votojmë pozitivisht këtë raport”, u shpreh Pantina.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se në procesin e rekrutimit dominon nepotizmi dhe politizimi.

“Jemi larg synimeve tona dhe standardëve të BE-së. Ka shkelje drastike sa i përket procesit të rekrutimit. Në sistemin e procesit ë rekrutimit dominon nepotizmi dhe politizimi i skajshëm. Ne jemi larg të asaj çka jemi zotuar si qeveri”, tha Lekaj.

E Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën tha se raporti pavarësisht disa lëvizjeve pozitive, ende nuk i plotëson kushtet për të marrë votat e deputetëve.

“ Edhe pse ka nuanca pozitive në raport me vitet e kaluara, ky raport nuk i plotëson kushtet me marre zotimin e deputeteve. Ka vazhdimësi shkelje në shërbimin civil. Nga papërgjegjësia e shërbyesve civil kemi dëmtim të buxhetit të shtetit. Ne do të votojmë kundër këtë raport”, tha Berisha.

Ndërsa Sabri Hamiti nga LDK-ja tha se gjendja në shërbimin civil nuk është e mirë, ku  sipas tij, shteti është punësuesi kryesor. Ai hodhi kritika për numrin e madh të ministrive që sot ka ekzekutivi i vendit.

“Kjo i kap nivelet e pushteteve qendrore dhe komunat. Qeveria jonë i ka 21 ministri ka mund ti ketë 11. I ka dyfish zv ministra ose trefish për shkak të minoriteteve. Kuvendi nëse e shihni administratës edhe 1/3 me shku në pushim mund të funksionoj njësoj. Kjo i bjen mbipopullim”, tha ai.

Sipas tij sondazhet kanë treguar se në administratë njerëzit në Kosovë prej 8 orëve pune, rrinë 2 deri në 3 orë.

“Nuk është problemi ligji, por zbatimi. Sepse ligji do zbatim dhe të detyrimit të punonjësit dhe përgjegjësisë. Mendoj që tek ne në këtë sektor nuk është problem papunësia, por është problem koncepti i atij që është i punësuar, por është i papunë. Punësimet shkojnë aty ku nuk ka punë. Ky është slogan i përditshëm që thonë e ka gjet një punë që s’bënë gjë. Ne kemi shumë ngarkesa në ndërmarrje publike dhe shërbim civil”, u shpreh Hamiti

Miratohet në parim Projektligji për Akreditim

Me 62 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Akreditim.

Ky projektligj ishte njëra nga pikat e rendit të ditës ndërsa para disa minutash deputetët votuan Ligjin për Investime Strategjike.

Kuvendi nuk kalon dy Rezolutat e VV-së

Me 29 vota pro, 37 kundër dhe 6 abstenime Kuvendi nuk ka arritur të miratojë Propozim-Rezolutën lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës, të propozuar nga Visar Ymeri.

Po ashtu me 25 vota pro, 35 kundër dhe 7 abstenime Kuvendi nuk miratoi Rezolutën nga Ismail Kurteshi lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Miratohet Ligji për Investime Strategjike

Me 57 vota për, 14 kundër dhe 11 abstenime Kuvendi miratoi Projektligjin për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës .

Lëvizja VV tha se do të votojë kundër këtij ligji. Ndërsa Nisma dhe AAK t kanë abstenuar.

 Glauk Konjufca nga VV tha se Ligji nuk mbron në mënyrën më të mirë të interesin ekonomik përball investitorëve. Ne do ta votojmë kundër.

 Ndërsa deputeti Zafir Berisha tha se me këtë ligj nuk mbrohet interesi i qytetarëve dhe interesi i shtetit prandaj do të abstenojnë. Gjithashtu edhe Pal Lekaj nga AAK tha se kjo parti do të abstenojë pasi që kanë paqartësi për ligjin.

Kadaj-Bujupi kërkon përgjegjësi për largimin e 300 punëtorëve të KEDS-it

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj-Bujupi është shprehur se asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk është duke dhënë llogari për largimin e 300 punëtorëve nga puna në KEDS.

Sipas saj, premtimet e ish kryeministrit Hashim Thaçi, dhe ish ministrit të zhvillimit ekonomik Besim Beqaj kur morën vendimin për privatizimin e KEK-ut,  ishin se punëtorët nuk do të largohen nga puna, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Kryetari i kuvendit mori pyetje një deputete e lëshoj seancën dhe shkoj me ba fushatë. Ministrat mungojnë. Pyetja ime ishte për përgjegjësinë dhe llogaridhënie dhe vendimin padrejtë, për vitin 2012 kontrata për shitjen e distribucionin e KEK-ut, u premtua se nuk do të ketë largim të punëtorëve që u pat bërë nga ministri Beqaj dhe Hashim Thaçi. Jo që nuk u investuan 300 milionë por u larguan 300 punëtorë me kontrata të përhershme”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo ka kritikuar largimin e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli nga seanca, duke thënë se nëse ai nuk mund të qëndroj në seancë, atëherë le të shkojmë në zgjedhje të reja.

Hyseni: Rastin për vjedhje në Dhomën e Dëshmive e ka marrë EULEX-i

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi gjatë kohës së pyetjeve parlamentare ka ngritur rastin e vjedhjes së Dhomës së Dëshmive e cila ka ndodhur në prill të vitit 2009.

 Ai ka pyetur ministrin Skender Hyseni deri ku kanë arritur me zbulimin e këtij rasti.

 Ministri Hyseni tha se mund të ketë pasur deklarime që këto raste janë afër zbulimit por e ka siguruar atë se ai asnjëherë nuk ka deklaruar një gjë të tillë.

Hyseni tha se sa i përket vjedhjes së dëshmive në Dhomën e Dëshmive  ky rast ka kaluar në kompetencë të EULEX-it.  

 “Sa i përket vjedhjes në dhomën e dëshmive në Pejë, Inspektorati i Policisë kanë ndërmarrë veprime me rast është ngritur kallëzim penal. Lidhur me këtë rast janë paraqitur prova të reja dhe rasti është në progres”, tha Hyseni.

Kurteshi: Nxënësit serbë në librat e tyre mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë

Deputeti i VV-së Ismajl Kurteshi ka ngritur çështjen e teksteve të historisë që nxënësit serbë mësojnë në Kosovë.

Sipas Kurteshit, Komisioni për Arsim ka konstatuar se një numër i madh i teksteve të serbëve janë në kundërshtim dhe paraqesin shkelje të Kushtetutës së Kosovës, pasi që  tekstet e historisë mësojnë se Kosova është krahinë e Serbisë.

Kurteshi e ka pyetur ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami se çka kanë bërë për këto tekste që përhapin urrejtje.

Ministri Bajrami tha se ë bazë të ligjit shkollat serbe kanë të drejtë të përdorin tekstet e Serbisë por të verifikohen në Ministri të Arsimit.

Sipas tij Ministria ka bërë rishikimin e teksteve dhe ka ardhur në përfundim se nuk janë në pajtim me sistemin arsimor të Kosovës dhe janë dhënë rekomandime që të përmirësohen tekstet.

“MASHT është në koordinim me faktorët ndërkombëtar sepse kjo çështje i tejkalon kompetencat e Ministrisë dhe jemi në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për integrimin e plotë të këtyre shkollave. Analiza  e përgjithshme në shkollat serbe po bëhen që të përfshihen këto shkolla brenda sistemit arsimor të Kosovës”, tha ministri Bajrami.

Edhe deputetja e Nismës Shukrije Bytyqi ka akuzuar ministrin Bajrami se në Ministrinë e tij ka të punësuar familjarë dhe pa asnjë kriter.

Por Bajrami tha se në Ministrinë e Arsimit ka më së paku të punësuar me kontratë mbi vepër.

Kadrijaj: Sistemi shëndetësor në Kosovë, para kolapsit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj, ka numëruar një serë problemesh me të cilat ballafaqohet sot Kosova.

Ajo ka thënë se vendi ynë vazhdon të jetë vendi më i varfër, me një papunësi prej 50 përqind të popullatës.

“Për zhvillimin ekonomik nuk keni zgjedhje të qëndrueshme. Ky është alarm për Kosovën dhe qytetarët. Sistemi arsimor është i kapur nga partitë më të mëdha. Sistem i plotizuar skajshmërish”, tha Kadrijaj.

Sipas saj, sistemi shëndetësor është para kolapsit, duke shtuar se vendet kyçe të institucioneve janë të kapura nga militantë partiak.

“Nepotizmi është shtrirë dhe në polici dhe AKI. Shteti është i dobët”, tha ajo.

Ajo shtoi se  arrestimi i Nehat Thaçit tregon se Kosova përballet me pasiguri, për faktin se ende nuk ka krijuar ushtrinë e saj.

Nis seanca e Kuvendit

Nis seanca e parë e Kuvendit për ditën e sotme

Është duke u mbajtur seanca me vazhdim nga java e kaluar, që në rend dite ka 12 pika.Kuvendi mban dy seanca, diskutohet për Thaçin

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca, në njërën prej të cilave do të mbahet debat parlamentar me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga autoritetet serbe.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se seanca e parë do të fillojë në ora 10:00, ndërsa seanca e jashtëzakonshme për Thaçin do të fillojë në orën 14:00.

Seanca plenare do të ketë këtë rend dite:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Votimi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore,

5. Votimi i Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës,

6. Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës,

7. Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-117 për Akreditim,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta,

10. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës,

11. Shqyrtimi i Raportit mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015,

12. Shqyrtimi i Raportit të Agjencisë së statistikave të Kosovës për vitin 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat