Pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, përbëjnë rrezik të vazhdueshëm

Aktuale

Pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, përbëjnë rrezik të vazhdueshëm

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 tetor 2016 Në ora: 12:47
Foto ilustrim, Mitrovica

Duke folur rreth asaj se a është ligji për Trepçën një model mbi bazën e të cilit mund të koordinohen me maturi pozita dhe opozita në rrafshin nacional edhe për demarkacionin dhe asociacionin, politologu Nexhemdin Mustafa ka thënë se Ligji për Trepçën nuk është ai më i miri i mundshëm dhe si i tillë është shumë i vonuar. 

Ai ka thënë se kur gjendesh para kolapsit të një gjiganti ekonomik siç është Trepça dhe kur gjërat bëhen me nguti për ta shpëtuar nga likuiditeti, si rrjedhojë edhe bëhen lëshime dhe gabime që më vonë pastaj do të mund të shkaktojnë telashe tjera. 

“Kur në pyetje është interesi nacional, në një shoqëri normale, interesat partiake do të duhej të lihen anash dhe të përqendrohej e fokusohej si dhe të flitej njëzëri, pozitë-opozitë, për interesin kombëtar. Fatkeqësisht, ka një kohë të gjatë që faktori politik në vend, pozitë-opozitë, nuk po gjen vullnetin e mjaftueshëm që të ulen në një tryezë dhe të bisedojnë për një konsensus nacional”, ka thënë politologu Mustafa. 

Sipas tij, vendi ynë ka shumë punë për të bërë dhe pretendimet e Serbisë në raport me Kosovën janë të vazhdueshme dhe si të tilla përbëjnë rrezik të vazhdueshëm. 

“Është për tu habitur nga fakti se si këta lider politik Kosovar i lejojnë vetës gjithë këtë komoditet karshi gjithë këtyre problemeve me të cilat ballafaqohet qytetari i këtij vendi. Konsensusi politik mbi rrafshin nacional është më se i domosdoshëm, përveç kësaj është edhe obligator. Qytetari i këtij vendi nuk duron më sjellje kaprroçi të këtyre dy taboreve politike në pafundësi’, ka thënë Mustafa. 

Ai ka theksuar se ka me muaj e muaj të tërë që kuvendi i Republikës së Kosovës nuk funksionon normal dhe për këtë duhet të ndihemi të turpëruar.

“Duke vazhduar kështu, do ta humbasim edhe përkrahjen e miqve tanë dhe po krijojmë përshtypjen se menaxhimi me institucione shtetërore po behët sfidë për vendin. Jo vetëm për demarkacionin dhe asociacionin, por për çdo çështje nacionale duhet lënë anash mosmarrëveshjet e brendshme dhe "luftën" mes pozitës e opozitës, në të kundërtën, çështjet madhore, të pazgjidhura për vendin do mbesin peng i kryeneçësisë dhe pasojat mund të jenë të rënda dhe të pariparueshme për vendin”, ka thënë politologu Mustafa.

Ai ka pohuar se kjo formë e funksionimit të shtetit do të duhej të ishte model se si mbrohen interesat nacionale të vendit. “ Duke arritur koncenzus nacional mbi çështjet madhore ndërmjet taborëve të kundërta politike në vend dhe një progres i tillë politik në vend do hapte rrugë dhe alternativa të reja të funksionimit të shtetit”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat