Vetëvendosje: Vazhdon propaganda e RTK-së kundër nesh

Aktuale

Vetëvendosje: Vazhdon propaganda e RTK-së kundër nesh

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 21:11
RTK

Lëvizja Vetëvendosje përmes një kumtese ka theksuar se sonte, në edicionin qendror të lajmeve, menaxhmenti i RTK vazhdoi të keqpërdorë mediumin publik që paguhet nga qytetarët e Kosovës, për të shpifur kundër kësaj partie.

Siç thotë kumtesa, në një reagim, përplot me fjalë shpifëse dhe ofenduese ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, RTK keqinformoi publikun duke thënë të pavërteta rreth videos së paraqitur nga Vetëvendosje para dy ditësh.

“Në atë video, Vetëvendosje ka treguar se si në lajmet qendrore të RTK, lajmet e para në shumicën absolute të rasteve ndahen për pushtetin. Ne askund nuk kemi thënë që RTK nuk ka raportuar fare për opozitën, por që në lajmet e para dhe kryesore, prej datës 20 shtator deri më 4 tetor, as një ditë të vetme lajm kryesor nuk është opozita. Ndërsa nga këto 15 ditë, në 13 ditë, lajmet e para dhe kryesore i janë ndarë pushtetit. Kjo nuk u mohua nga RTK dhe nuk ka se si të mohohet. Prandaj, në mungesë të argumentimit menaxhmenti i RTK-së kishte përgatitur atë kronikë përplot me shpifje” thotë kumtesa e cila përfundon: 
“Sonte menaxhmenti i RTK, për të disatën herë, e rikonfirmoi që ky televizion është shndërruar në mjet propagande për klanin "Pronto" dhe qeverinë e Isa Mustafës”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat