Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit

Aktuale

Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 08:06
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar)  -  Me 51 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime, është miratuar rezoluta e paraqitur nga Armend Zemaj në emër të grupit parlamentar të LDK-së dhe PDK-së, përmes së cilës kërkohet lirimi i menjëhershëm i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ndërkohë, vota të mjaftueshme nuk mori rezoluta e Gëzim Kelmendit, i cili edhe e kishte dhënë propozimin për miratimin e një rezolute për Nehat Thaçin, ditë më parë.

Rezolutën e cila u miratua me 51 vota e lexoj Armend Zemaj.

Zemaj: Ish pjesëtarët e UCK-së të largohen nga fletarrestet e Serbisë

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit. BE si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj detyruese kërkohet të ndërhyj te Qeveria e Serbisë që të lirohet Nehat Thaçi. Çdo komunikim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për rastin e arrestimit të Nehat Thaçit,  deri në lirimin e tij, të bëhet vetëm përmes zyrës së Shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federika Mogerini, si përfaqësuese e lartë e BE-së. Qeveria e Republikës së Kosovës t’i bëjë me dije BE-së se veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës po i rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe dialogun në mes të dy vendeve, duke na detyruar në reciprocitet. Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e z.Thaçi, njëherit kërkojmë angazhimin e drejtpërdrejt si mision me kompetenca të veçanta. Kërkojmë nga Interpoli që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherit insistojmë që fletarrestet politike të shpallura nga Serbia të largohen nga sistemi i tyre ligjor”, ka deklaruar Zemaj.

Nga ana tjetër, rezoluta e paraqitur nga Gëzim Kelmendi, që u përkrah edhe nga partitë opozitare e që kërkonte ndërprerjen ose pezullimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Nehat Thaçit, nuk u përkrahë nga shumica parlamentare.

Kelmendi: Të ndërpriten bisedimet me Serbinë

“Projekt rezoluta jonë i përmban katër rekomandime. Rekomandimi i parë është: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, drejtorit rajonal të Rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçit. Pika e dytë është: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Thaçit dhe pezullimin e të gjitha fletarresteve dhe aktakuzave të ngritura për ish pjesëtarët e UCK-së. Pika e tretë: BE si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut të deritashëm në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes mekanizmave të saj të kërkoj nga qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi. Dhe pika katërt: EULEX-i të deklarohet për rastin Thaçi, njëherit kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë prej tij si mision me kompetenca të veçanta dhe pika e pestë kërkojmë nga qeveria e Kosovës të ndërmarrë ët gjitha veprimet në raport m e BE dhe Interpolin që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit dhe njëherit kërkojmë që fletarrestet politike nga gjykata e Serbisë të largohen nga sistemi i tyre”, ka deklaruar Kelmendi.

Para se të votoheshin projektrezolutat, në Kuvend kishte disa debate në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës, ku të parët kërkonin lirimin e Thaçit dhe disa kushte për Serbinë, kurse opozita kërkonte ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, gjë që nuk u pajtua shumica dhe kjo e fundit nuk kaloi. 

Për Thaçin Kuvendi votoi rezolutën e deputetit Zemaj 

Rezoluta e propozuar nga koalicioni qeveritar ka marrë 51 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenime. Ndërsa, rezoluta e propozuar nga deputeti Gëzim Kelmendi, ka marrë 19 vota pro, 38 kundër dhe 18 abstenime.

Rezoluta e opozitës për Thaçin, e cila nuk kaloi

Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi si iniciues i debatit ka propozuar edhe rezolutën e partive opozitare,e cila nuk ka kaluar në votimin e deputetëve. Vetëm 19 deputetë kanë votuar pro kësaj rezolute, 38 kanë qenë kundër, ndërsa 18 deputetë të tjerë kanë abstenuar. 

Rezoluta e propozuar nga opozita, e cila nuk kaloi, përmbante këto pika:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit të Policisë për rajonin  Mitrovicës, Nehat Thaçin

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria pezullimin e bisedimeve me Serbinë dhe pezullimin e fletëarresteve për zyrtarët e Kosovës

3. Bashkimi Evropian si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi

4. EULEX-i të deklarohet për rastin e Thaçit

5. Qeveria të ndërmarr te gjitha veprimet në raport me BE dhe Interpol që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit

Kurti: Të bëhemi si Kroacia në raport me Serbinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e parlamentit ka theksuar se në draft-rezolutën për lirimin e kolonelit Nehat Thaçi duhet të përfshihen edhe dy pikat: lirimi i menjëhershëm i Nehat Thaçit dhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij.

Ai ka thënë se Serbia duhet të ketë kosto nga ky veprim.

“Të mos harrojmë që BE-ja ndërhyn kur ne jemi serioz, ndërsa nëse ne lutemi ata na kategorizojnë si lutës. Askush nuk po thotë që të e anashkalojmë BE-në, por nuk duhet të lejojmë që ajo të na anashkalojë neve. Reciprociteti dhe kushtëzimet ndaj Serbisë, tregojnë seriozitet”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Kosova duhet ta ndjek shembullin e Kroacisë, duke e kushtëzuar Serbinë, dhe rrjedhimisht ky vend sipas tij ka arritur aty ku është.

“Nuk kalon rruga për në Bruksel kah Beogradi, sepse ajo është rrugë qorre. Ta ndjekim rrugën e kushtëzimit dhe jo rrugën e koncesioneve. Serbia duhet të ketë kosto. Ndërprerja e bisedimeve është leva jonë”, ka thënë ndër tjerash Albin Kurti.

Osmani: Nëse pezullojmë dialogun me Serbinë, Nehat Thaçi s’mund të lirohet

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, vlerëson se pezullimi i dialogut me Serbinë, nuk do ti ndihmonte lirimit të nënkolonelit Nehat Thaçi nga autoritetet serbe.

Sipas saj, lirimi i këtij të fundit atëherë mund të bëhet vetëm me ndërmjetësimin e BE-së, me të cilën dëmtohet dialogu në rast pezullimi.

“Pra nëse ne sot e pezullojmë dialogun me Serbinë nuk  ka më mënyrë se si të lirohet Nehat Thaçi përveç përmes BE-së dhe pezullimi i dialogut e dëmton dialogun me BE-në. Ky kuvend duhet të ketë mesazhe të qarta”, tha Osmani.

Ajo tha se Kuvendi i Kosovës ende ka një rezolutë në fuqi e cila është miratuar para disa vitesh edhe e cila kërkon pezullim të dialogut me Serbinë ,derisa të zgjidhet çështja e të zhdukurve, por qeveria nuk e ka implementuar.

Brovina: Edhe pozita pajtohet që të ketë rezolutë

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina tha se rezoluta e propozuar nga deputeti Armend Zemaj është në rregull, vetëm se asaj duhet t’i shtohet edhe pika se Kuvendi i Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të nënkolonelit Nehat Thaçi.

Ajo ka thënë se edhe pozita po pajtohet që të ketë rezolutë, por duhet të arrijnë që të gjejnë një rezolutë të përbashkët.

Ymeri: Me këtë rezolutë, po mohohet shtetësia e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se me këtë draft-rezolutë, Kuvendi i Kosovës nuk është duke kërkuar lirimin e Nehat Thaçit, por se është duke e mohuar shtetësinë e Kosovës.

Ymeri deklaroi se një rezolutë e Kuvendit sot do të duhej të votohej me këto kërkesa.

“Së pari Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Nehat Thaçit. Të ndërpritet dialogu deri në lirimin e Nehat Thaçit, dhe zhvlerësimin e të gjitha aktakuzave të zyrtarëve të shtetit të Kosovës që figurojnë në listat e Serbisë”, tha Ymeri.

Shala: Rezoluta nuk ka kuptim pa ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Edhe deputeti i Nismës për Kosovën në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala ka thënë ka kërkuar që rezolutës të i shtohet edhe pika ku kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e nënkolonelit Nehat Thaçi.

Shala tha se bazuar në fjalimet e deputetëve të pozitës në seancën e djeshme, kuvendi ka ardhur në përfundim për nevojën e krijimit të kësaj rezolute. Ai thotë se kjo e fundit nuk do të kishte kuptim, nëse si pikë nuk përfshihet ndërprerja e bisedimeve me Serbinë.

“Nëse dikush po bënë politikë dhe patriotizëm këtë e kemi parë dje, procesverbalet kanë incizimet. Është mirë  t’i lëshojmë dhe ti dëgjojmë fjalimet e deputetëve, duke i dëgjuar fjalimet e deputetëve të pozitës ne jemi ardhë në përfundim që të pezullohen bisedimet me Serbinë, nëse kjo pikë nuk hyn në rezolutë nuk e di çfarë kuptimi ka rezoluta”, tha Shala.

Pajaziti: Provuam të bëjmë një tekst të unifikuar, nuk arritëm

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se debati për lirimin e Thaçit nga burgu i Serbisë është bërë dje, andaj sot nuk është e arsyeshme që të dalim me diçka më shumë.

Ai ka thënë se është provuar që të bëhet një tekst i unifikuar, por nuk është arritur, ashtu siç edhe u tha.

Ai ka thënë se propozimi i nënkryetarit të Kuvendit, Sabri Hamiti, duhet të përfshihet automatikisht, të vihen edhe propozime të tjera dhe të votohet një rezolutë.

Hamiti: Kuvendi kërkon lirimin e menjëhershëm të Thaçit, pikë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka deklaruar se pikë numër një e draft-rezolutës duhet të jetë që Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, dhe pikë.

Ai ka thënë se të gjitha të tjerat janë variante politike që mund të bëhen çdo ditë.

“Opozita tha se kjo është perfekte, por i mungon një fjali. Unë po e them atë fjali, ndonëse nuk jam propozues, por është arrestuar një funksionar i Policisë së Kosovës, andaj pika numër një, Kuvendi i Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit nga burgu i Serbisë dhe pikë”, tha Hamiti.

Haradinaj: Kërkesa e vetme e rezolutës është ndërprerja e dialogut me Serbinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se kërkesa e vetme draft-rezolutës rreth arrestimit të Nehat Thaçit, është ndërprerja e dialogut me Serbinë.

Sipas tij, pushteti po keqinterpreton kërkesat e kësaj rezolute.

“Kërkesa është ndërprerja e dialogut me Serbinë, pushteti thotë se ne e kërkojmë vazhdimin e dialogut se nuk është asgjë kjo. Kërkesa e rezolutës e ka vetëm një pikë dhe nuk ka asgjë të paqartë këtu, është ndërprerja e dialogut me Serbinë”, tha Haradinaj.

Zemaj: Çdo komunikim për lirimin e Thaçit, të bëhet përmes zyrës së BE-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me arrestimin e nënkolonelit, Nehat Thaçit, ka deklaruar se çdo komunikim për lirimin e Thaçit, të bëhet përmes zyrës së BE-së.

Ai ka thënë se Qeveria duhet t’i bëjë me dije BE-së se arrestimi i Thaçit po rrezikon dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zemaj tha se Bashkimi Evropian duhet të jetë ndërmjetësues dhe garantues i dialogut.

Kelmendi: S’ka draft-rezolutë për Thaçin, PDK dhe LDK refuzuan të ndërpresin bisedimet me Serbinë

Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Kosovës Gëzim Kelmendi, i cili njëherësh ka propozuar debatin rreth arrestimit të nënkolonelit Nehat Thaçi nga autoritet e Serbisë.

Kelmendi tha se Kuvendi nuk ka arritur që të ketë harmonizim të draft rezolutës, për shkak  të refuzimit të PDK-së dhe LDK-së, për tu pajtuar me pikën që kërkohet ndërprerja e dialogut me Serbinë, 

“Nuk e kemi arritur një harmonim të qëndrimeve kryesisht të qëndrimeve që lidhet me ndërprerjen e bisedimeve Kosovë- Serbi. AAK, VV,  Nisma dhe deputeti i Shaip Muja, kemi qenë njëzëri që kjo të jetë pjesë e rezolutës deri në lirimin e Thaçit dhe të gjitha aktakuzave të ushtarëve të c UÇK-së, por këtë nuk e ka mirëprit PDK, LDK dhe unë si propozues, ju njoftoj se nuk kemi rezolutë”, tha Kelmendi.

Fillon seanca për Nehat Thaçin

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçit.

Në këtë seancë pritet që të miratohet draft-rezoluta në lidhje me arrestimin e Thaçit.

Ende në pritje për fillimin e seancës për Nehat Thaçin

Kuvendi i Kosovës ka me shumë se gjysmë ore që po pret fillimin e seancës në të cilën pritet të votohet një rezolutë pas debatit të djeshëm për arrestimin e Nehat Thaçit nga Serbia.

Seanca e djeshme u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit.

Vazhdon seanca për Nehat Thaçin

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancën e jashtëzakonshme, në të cilën pritet të miratohet draft-rezoluta në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë, Nehat Thaçi.

Seanca do të filloi në orën 10:00, ndërsa paraprakisht përfaqësuesit e  Grupeve Parlamentare do të takohen me deputetin Gëzim Kelmendi për harmonizimin e kësaj draft-rezolute, që do të paraqitet në Kuvend.

Në seancën e sotme, pikë e rendit të ditës do të jetë vetëm draft-rezoluta për arrestimin e nënkolonelit, Nehat Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat