Beqaj: Thaçi me katër letrat akuzoi drejtësinë dhe veten

Aktuale

Beqaj: Thaçi me katër letrat akuzoi drejtësinë dhe veten

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 10:46
Belul Beqaj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ditën e hënë gjatë një adresimi për media prezantoi katër letra të cilat më pas i drejtoi në Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në këto letra, i pari i shtetit ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve gjatë dhe pas luftës në vend.

E analistit politik, Belul Beqaj ka thënë për mediat vendore se me këtë veprim, kreu i shtetit e ka akuzuar sistemin e drejtësisë njëkohësisht dhe veten.

“Drejtësinë,  ngase ajo nuk duhet të veprojë sipas letrave të askujt por sipas ligjit, ndërsa veten ngase ka qenë zyrtar me pushtet dhe fuqinë më të madhe gjatë tërë kësaj periudhe.”

“Nuk thonë kot se i mbyturi shpëtimin e kërkon edhe duke  u kapur për kashtë”, ka thënë ai.

“Rrjedhimisht kjo  nënkupton se ka pasur mundësi  që të gjitha këto kërkesa ti realizonte me estabilishmentin e vet dhe ndërkombëtar, por  nuk e ka bërë…”

“ Paradoksalisht z.Thaçi ishte shumë pragmatik kur ishte në pyetje interesi i tij, ndërsa përmbysës dhe idealist kur ishin martirët e rënë.”

Beqaj ka potencuar më tutje se ky hap i presidentit po ndodh tash ngase “ai po dëshiron t`i bindë ata që e kanë dosjen e tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, se ky gjoja nuk është mes atyre që ka pasur ndonjë lidhje implicite dhe eksplicite me krimet politike që janë bërë”.

“Latinët e vjetër nuk thonë rastësisht se “Gjarpri, gjarprin nuk mund ta mashtrojë.”

“Ka ardhur koha të ndahet shapi prej sheqerit” shton ai.

“Ndërkombëtarët e kanë të qartë se nëse vazhdojnë të  bëjnë politikë me njerëz  të këtillë do të metastazojnë krimin politik edhe  jashtë Kosovës.”

Sipas Beqajt, fatkeqësisht, numri një i Kosovës po përpiqet të “blejë drejtësi” nga ndërkombëtarët derisa vet ka qenë  i padrejtë ndaj tjerëve.

“Në këtë mënyrë, ai po shpreson se në sistemin e drejtësisë   ndërkombëtare do të gjejë individ të korruptuar (nuk  përjashtoj) që mund  ta shpëtojnë nga gremina.”

“Thaçi i mpirë nga pushteti autoritar  ka menduar se nuk do të krijohet GJND, nuk do të përfshihet edhe emri i tij në raportin e Dick Martit.”

“Unë kam shumë rezerva edhe ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por ai më në fund, do të bie viktimë e konceptit të politikës egoiste që e ka sajuar vet”, ka pohuar Beqaj.

Ky i fundit ka theksuar poashtu se bashkësia ndërkombëtare mund të shtjellojë shumë gjëra nëse dëshiron për të vendosur drejtësi në Kosovë, por sipas tij jo nëse destabilizimi është  koncept se si e mban gjendjen nën kontroll.

“Atëherë  vetëm sa do të kemi komplikim të  mëtejmë” pohoi ai.

“Një çështje  është plotësisht e qartë, Prokuroria e Kosovës mund të aktivizohet vetëm nëse ka mbështetje të amerikanëve, përndryshe kjo mund të përfundoj në fillim, vetëm si një ngjarje interesante mediale.”

Por nëse eventualisht, këto krime zbardhen, pas letrave, Beqaj thotë se meritat nuk do t’i mbesin Thaçit.

“Përkundrazi, ai dëshiron  publikisht  t`i aktualizoj disa ngjarje për t`i bërë veprimet e tij më konfidencale.”

“ Ai ka bërë kërkesë të hapur , për ti mbyllur gjërat si i ka bërë deri më tashti.”

“Por, besoj se kjo nuk mund të ndodhë ngase zbardhja e ngjarjeve nuk varet vetëm nga prokuroria shtetit të Kosovës.”

Sipas tij çështje tjetër është, vlerësimi ndërkombëtarëve se cilat pasoja mund të shkaktohen nëse Thaçi bëhet objekt i trajtimit të drejtësisë.

“Mendoj se afera “Pronto” e ka zhveshur “mitin” e udhëheqësve të luftës. Prandaj, nuk mund të ketë reagime që mund të rrezikojnë seriozisht sigurinë.”

Në fund Beqaj i pyetur nëse Thaçi deshi më këto letra ta pastrojë veten, theksoi:

“ Ka shumë vende për strehim, por vetëm  një vend për shpëtim – drejtësinë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat