Fotot e hotelit ku do qendrojë Rama. Vuçiç thyen rregullat

Aktuale

Fotot e hotelit ku do qendrojë Rama. Vuçiç thyen rregullat

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 23:56
Hoteli

Qendra e qeverisë së përkohshme të qeverisë së Serbisë për ditët e ardhshme do të jetë Nishi. Kryeministri Aleksandër Vuçiç dhe ministrat e kabinetit do të diskutojnë për disa ditë me radhë në këtë qytetet me homologët e tyre nga Shqipëria. Bëhet fjalë për forumin ekonomik serbo­shqiptar që do të nisë më 13 tetor dhe do të mbyllet me 19 tetor. Kjo është hera e parë që kryeministri serb organizon punën në këtë formë, raportojnë mediat serbe. Kjo pasi gjatë kësaj kohe, Vuçiç do të qëndrojë në Nish dhe kjo do të jetë hera e parë që punon jashtë Beogradit.

Mediat në Serbi kanë publikuar dhe fotot e hotelit ku do të qëndrojnë zyrtarët e lartë që do të marrin pjesë në Samit si dhe ambientet ku do të zhvillohet takimet.

Një nga ngjarjet kryesore të forumit më 14 tetor, që do të ndiqet dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të marrin pjesë 200 kompani nga Serbia dhe rreth 100 kompani të tjera nga vende të ndryshme.

Kreu i Bashkisë së Nishit, Darko Bulatoviç thotë se bisedimet do të mbahen në prezencë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve.

Gjatë Samitit të Nishit, qeveria e Serbisë dhe ajo e Shqipërisë do të diskutojnë për ekonominë, bashkëpunimin ndërkombëtar, politikat e tregtisë por edhe për paqen, stabilitetin dhe një marrëdhënie më të mirë në rajon.

Blindohet Nishi, policia serbe merr masa për takimin

Masa të shtuara sigurie nga policia serbe, për mbarëvajtjen e punimeve të Forumit. Mediat serbe raportojnë se nesër rrugët kryesore të Nishit dhe Beogradit do të bllokohen, si masë për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Rama, që do të takohet me homologun Vuçiç në Nish.

Nga axhenda është zbuluar se pas takimit në Nish, kryeministrat do të shkojnë në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë së Beogradit, shkruan Panorama. Mësohet se rrugët kryesore në Nish do të bllokohen duke nisur që nga ora 07:30 e mëngjesit të 13 tetorit e deri në mesnatën e 15 tetorit dhe për këtë janë lajmëruar gjithë të interesuarit për të shmangur kaosin.

Në forumin e Nishit do të flitet për të ardhmen e rajonit dhe për mundësitë e kooperimit në fushën e ekonomisë e tregtisë, e po ashtu edhe për ndërmarrjen e masave që do ta lehtësonin të bërit ekonomi në mes të dyja vendeve. “Do te flasim për të ardhmen e përbashkët të rajonit dhe potencialet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në të mirë të sipërmarrjeve e të popujve tanë. Një sërë masash që do të lehtësojnë shumë shkëmbimet tregtare dhe ekonomike e do të rrisin ekonominë e vendeve tona”­ ka thënë Rama, kohë më parë kur ka zbardhur detaje nga takimi./ Panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat