Demarkacioni ende pezull, vazhdon ‘lufta’ e kundërshtimeve

Aktuale

Demarkacioni ende pezull, vazhdon ‘lufta’ e kundërshtimeve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 tetor 2016 Në ora: 13:41
Faton Abdullahu, Muharrem Nitaj, Islam Krasniqi

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, Demarkacioni ka qenë temë shumë e diskutuar, që ka ngjallur polemika, bojkot e dhunë në Kuvend.

Ka më shumë se 1 vit që është nënshkruar, por ratifikimi i saj ende nuk është bërë.

1 shtatori ishte data kur u mendua se do të kalonte, pasi dhe u soll në Kuvend për ratifikim, por nuk ndodhi, çka bëri që të shtyhej për një datë të pacaktuar.

Përderisa opozita dhe disa deputetë e kundërshtojnë, qeveria thotë se Marrëveshja me Demarkacionin me Malin e Zi duhet të ratifikohet sa më shpejt, e kjo edhe konsiderohet si një nga kushtet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, i ka thënë gazetës Bota Sot se besojnë që ratifikimi i Demarkacionit të bëhet brenda këtij viti.

“Ne duam të besojmë se duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji si dhe afatet kohore të ndërlidhura me punën e subjekteve përkatëse në Bruksel ai nuk do të shtyhet për vitin e ardhshëm. Interesi i qytetarëve të Kosovës për të lëvizur më në fund lirshëm, interesi i bizneseve tona për të shfrytëzuar tregjet dhe mundësitë e reja, si dhe proceset e shumta dhe shumë të rëndësishme si, integrimet evropiane, normalizimi i raporteve ndër fqinjësore dhe shumë të tjera të ngjashme si këto, janë ato që do t’i bëjnë të gjithë të reflektojnë dhe demarkacioni i riproceduar tutje do të kalojë”, ka thënë Abdullahu.

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, ka thënë për gazetën Bota Sot, se Demarkacioni do të ratifikohet, por një tjetër version.

‘Parimi i paprekshmërisë së territorit është parim i shenjtë dhe ai nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Nuk besoj se do të ratifikohet ky version i demarkacionit, sepse as deputetët, as populli nuk janë budallenj. Demarkacioni po, por kur të bëhet i saktë dhe pa gabime. Kjo punë bëhet shpejt, veç nevojitet të kemi liderë të përgjegjshëm’, ka thënë Nitaj.

Ai ka shtuar se demarkacioni dhe liberalizimi i vizave janë çështje të ndara dhe fajtor për mos liberalizim është Hashim Thaçi, që e ka futur vendin që qorrsokak.

‘Kosova duhet t’i ketë kufijtë e vet, pa humbur asnjë pëllëmbë territor të vetin. Nëse kjo nuk ndodhë të realizohet shpejt, gjithë përgjegjësitë i ka klasa qeverisëse në krye me Hashim Thaçin, i cili së bashku me Komisionin e vet qeveritarë për kufijtë e ka futur vendin në qorrsokak. Është nonsens te thuhet a duhet te ratifikohet një marrëveshje e cila nuk është e saktë, nuk e mbron territorin e Kosovës dhe për më tepër shkel tërësinë territoriale te saj{, ka thënë zëdhënësi i AAK-së.

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi thotë se qeveria po blen kohë për demarkacionin, pasi nuk ka caktuar datë dhe nuk i ka numrat.

“Është shumë e vështirë të besohet se qeveria do të mund të arrijë që ta ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit, pasi në njërën anë nuk i ka numrat dhe në anën tjetër nga presionin publik. Në rast së ratifikimi është në të mirë të vendit dhe mungojnë numrat për Demarkacion, atëherëë si opsion duhet të merren zgjedhjet. Pa një konsensus të gjerë edhe mes tri partive opozitare LVV-së, AAK-së e NISMA-s, një gjë është e pa mundshme, sepse mund edhe të acarohet gjendja që nuk përjashtohet mundësia edhe ndonjë incident i mundshëm në kufirin me Malin e Zi”, ka thënë Krasniqi për gazetën Bota Sot.

Ai tutje thotë se marrëveshja e demarkacionit mund të ratifikohet nga një qeveri e re.

“Marrëveshja e Demarkacionit besoj që do të ratifikohet nga një qeverie e re, pasi që t’i rishikon dhe vërteton faktet konkrete të cilat e tregojnë të vërtetën rreth vijës kufitare me Malin e Zi. Kjo marrëveshje mund të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias, sepse Bashkimi Evropian po na kushtëzon me liberalizimin e vizave dhe qeveris i mungojnë numrat, dhe që të mos 

prish marrëdhëniet me Malin e Zi, zgjedhjen e Demarkacionit ja beson Komisionit të Venecias!”, ka thënë ai.

Mes kërkesash për ratifikim, si kusht për të marrë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kundërshtimin e vazhdueshëm si një marrëveshje e dëmshme për Kosovës, Demarkacioni vazhdon të jetë çështja që ngjall shumë debat dhe ende nuk dihet se kur do të kthehet në Kuvend./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat