Arrihet marrëveshje për pakësimin e hidrofluorokarbureve

Aktuale

Arrihet marrëveshje për pakësimin e hidrofluorokarbureve

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 23:55
ilustrim

Gati 200 vende të botës arritën një marrëveshje historike të shtunën për të pakësuar gazet që shkaktojnë efektin serë që përdoren në frigoriferë dhe kondicionerë; një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Marrëveshja për të pakësuar hidrofluorokarburet, apo HFC-të u njoftua në një takim për klimën në Kigali të Ruandës. Sipas Departamentit amerikan të Energjisë, HFC-të mund të kenë ndikim që është mijëra herë më i madh sesa ka i njëjti volum i dioksidit të karbonit që lëshohet në atmosferë.

Në një deklaratë, presidenti Obama e quajti marrëveshjen mes 197 vendeve dhe qeverive "një ambicje dhe zgjidhje në rrugën e duhur për këtë krizë që po afrohet."

"Ajo tregon se ne mund të veprojmë për të mbrojtur planetin tone në një mënyrë që ndihmon të gjitha vendet të përmirësojnë jetët e qytetarëve” tha presidenti.

"Është një hap i rëndësishëm përpara," tha sekretari i Shtetit John Kerry.

Pakësimi fillon më 2019

Marrëveshja i ndan vendet në tre grupe me afate të ndryshme kohore për të filluar pakësimin e HFC-ve. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Evropës janë angazuar të pakësojnë përdorimin e këtyre gazeve në mënyrë të vazhdueshme, duke filluar me 10 përqind ulje deri në vitin 2019 dhe 85 përqind deri në vitin 2036.

Dy grupet e vendeve në zhvillim do të ngrijnë përdorimin e tyre të këtyre gazeve deri në vitin 2024 ose 2028 dhe më pas do të vazhdojnë gradualisht. India, Irani, Iraku, Pakistani dhe vendet e Gjirit do të përmbushin afatet më vonë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat