Kërkohet ligj për mbrojtjen e UÇK-së

Aktuale

Kërkohet ligj për mbrojtjen e UÇK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 tetor 2016 Në ora: 09:36
Ilustrim

Të shtunën është mbajtur kuvendi i katërt zgjedhor nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kuvend përveç zgjedhjes së kryetarit të ri është zgjedhur edhe Këshilli Drejtues.

Veteranët e luftës gjithashtu kërkuan që të formohet një ligj për ndëshkim të atyre që flasin kundër UÇK-së.

Ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Dukagjinit dhe tashmë anëtar i Këshillit Drejtues, Shkumbin Demaliaj, kërkoi që të bëhet ligji për UÇK-ën.

Sipas Demaliaj, përmes këtij ligji do të mbrohet lufta si një gjë e shenjtë dhe me vlerë kombëtare.

“Kam kërkuar që të bëhet menjëherë kërkesa nga kryesia e re për ligjin për UÇK, që lufta jonë dhe UÇK-ja të mbrohet si luftë e shenjtë dhe vlerë kombëtare, duhet të mbrohet me ligj” u shpreh Demalija për gazetën Bota sot.

Ai tregoi se përmes këtij ligj do të përshihet edhe pjesa sanksionuese që të gjithë ata që e shkelin këtë ligj, e shpifin apo akuzojnë pa fakte duhet të ndiqen penalisht.

“Dhe në kuadër të këtij ligji të përfshihet edhe pjesa sanksionuese që të gjithë ata që shkelin këte ligj shpifin apo akuzojnë pa fakte të ndiqen penalisht” theksoi Demalija.

Që të formohet një ligj i tillë është i mendimit edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Shefki Abdullahu.

Sipas Abdullahut, ky ligj duhet të kalojë në kuvend dhe të konsiderohet si ligjet tjera.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka vështirë të hartojë ligje, sipas tij ajo duhet t’i shikojë si modele ligjet e vendeve tjera.

 “Të gjitha ligjet përpilon qeveria përmes ekspertëve përkatëse dhe në bazë të nevojave që  i kërkon koha dhe i harmonizon me ligjet tjera të cilat janë në fuqi. Edhe ligji i propozuar në këtë kuvend, duhet të konsiderohet si të gjitha ligjet tjera dhe të kalon përmes rrugës zyrtare. Kosova nuk e ka veshtirë të hartojë ligje sepse mundet të merr modele të ligjeve dhe ligjit për mbrojtje të vlerave të luftës nga shtetet demokratike perëndimore, të cilat kaherë i kanë në shtetet e tyre” u shpreh Abdullahu.

Edhe sipas analistit, Nexhmedin Spahiu, është mirë të formohet një ligj në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe kështu në mbrojtje edhe të UÇK-së.

Spahiu shtoi se me ligj duhet të mbrohet edhe flamuri dhe himni kombëtar i Kosovës dhe çdo person i cili i ofendon këto duhet të ndiqet penalisht.

“Po duhet të formohet një ligj i cili duhet m’i mbrojtë vlerat kombëtare, në kuadër të kësaj natyrisht edhe për UÇK-në, por natyrisht kjo nuk duhet t’i amnestojë ata përgjegjësit të cilët kanë kryer ndonjë vepër të pahijshme, ose ndonjë krim lufte apo çfarë do qoftë, por si një vlerë kombëtare do të duhet të mbrohet, natyrisht me ligj do të duhet të mbrohet edhe flamuri kombëtar i Kosovës edhe himni kombëtar i Kosovës përderi sa ata janë në fuqi dhe jo të fyhen siç kanë ndodhë shumë edhe nga personalitetet publike” pohon Spahiu.

Në Kuvendin e mbajtur nga veteranët, ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Dukagjinit, Shkumbin Demaliaj, tha se duhet të largohen gjitha pensionet sepse nuk kanë luftuar për pensione, por të njihet statusi dhe kontributi të luftëtarëve që kanë ndihmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

I pyetur nga gazeta Bota Sot, pse ka dhënë një deklaratë  të  tillë, Demaliaj u shpreh se më mirë të ndërpriten pensionet me një shumë siç është 170 euro që nuk i përmbush as vlerat e një asistence sociale.

“Deklarimi im ka qenë se më mirë është të ndalen krejt këto pensione se ne nuk kemi luftuar që të marrim pension, në radhë të parë por të kemi një shtet me një ekonomi të qëndrushme dhe me politika përparuese dhe që vlerat e luftës t’i respektojnë . Dhe jo që ti thuhet pension një vlere prej 170 euro që nuk përmbush as vlerën e një asistence sociale” u shpreh Demaliaj.

Ai kritikoi qeverinë duke thënë se ata krenohen që e kanë rritur buxhetin në vlerë 2 miliardëshe mirëpo në fakt sipas tij ata duhen t’i rrisin pagat dhe pensionet.

Demaliaj shtoi se më mirë duhet të largohen pensionet sesa të luajnë me veteranët dhe me pagesa minimale që sipas tij janë qesharake.

“Në  vend se qeveria të del të flet se do t’i rrisin pagat dhe pensionet ata dalin dhe të vetmen vërejtje që e japin në raport me FMN  janë buxhetin për kategoritë e luftes, eh në anën tjetër krekosen se buxhetin e kemi rritur në vlerë 2 miliardeshe. Më mirë hiç pension sesa te luhet me veteranët me kësi lloj pagesash qesharake me vlera banale” theksoi Demaliaj.

Mirëpo, kundër këtij propozimi, është ish-eprori i lartë i UÇK-së, Shefki Abullahu dhe analisti, Nexhmedin Spahiu.

Abullahu tha se propozimi i tij është i pa menduar mirë, mirëpo ai shton se urgjentisht duhet verifikuar numri i veteranëve dhe pastaj pasi bëhet pastrimi i listave atëherë qeveria mund të ketë buxhet të mjaftueshëm në mënyrë që t’u dhurohet një pension përafërsisht 400 euro.

“Sa i përket propozimit për refuzim të pensionit aktual të veteranit të UÇK-së, konsideroj se këtë e tha aty per aty, pa e menduar mirë dhe nën  dozën e frustuar. Sidoqoftë qeveria urgjentisht duhet verifikuar numrin e veteranëve të UÇK--se dhe do e shohim se diku rreth 50% janë persona të cilët nuk ishin pjesëtar të UÇK-së që nënkupton se diku 20000 do jetë numri real dhe nga këta 20000, afërsisht 50% punojnë apo kanë pension që  kanë shërbyer si pjesëtar në TMK-së, i bjen afërsisht 10000 veteran të cilëve bazuar në ligjin aktual ju takon të marrin pesionin e veteranit. Jam shume i sigurtë se po të pastrohet lista e veteranëve dhe afërsisht të vjen në këtë numër që e potencova më lart, edhe qeveria do kishte buxhet të mjaftueshëm dhe këtyre veteranëve do t’i bënte një pension diku 400 euroë” theksoi Abdullahu.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu, tha se nuk do të ishte një gjë e mirë të largohen pensionet pasi që ata kanë luftuar dhe shoqëria duhet në një mënyrë t’u kthejë atyre.

“Jo, nuk duhen mu largu pensionet, pasi që ata kanë luftu dhe në një mënyrë shoqëria duhet t’u kthejë atyre” theksoi Spahiu.

Sipas veteranëve , ligji për mbrojtjen e UÇK-së nënkupton që askush nuk do të ketë mundësi as nuk duhet të ketë mundësi të flasë në emër të UÇK-së. Kurse ata marrin pensione prej tetorit të vitit të kaluar shumë prej 170 eurosh edhe pse  fillimisht kishin kërkuar të paguhen 220 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat