Atentati ndaj Rugovës, Hashim Thaçi në panik nga Gjykata Speciale

Aktuale

Atentati ndaj Rugovës, Hashim Thaçi në panik nga Gjykata Speciale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 17 tetor 2016 Në ora: 11:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Naser Rugova, anëtarë i LDK-së dhe familjarë i ish Presidentit Rugova, ka thënë për “Bota sot”, se  atentati ndaj Presidentit Rugova ishte një nga ngjarjet më të këqija në prag të shpalljes së pavarësisë.

“Bëhet fjalë për vitin 2005, kur Kosovën po atë ditë e vizitonte ish Sekretari Gjeneral i paktit të NATO-s Havier Solana. Në këtë kuptim ka qenë dështim dhe organet e drejtësisë së Kosovës ose organet e protektoratit, organet e drejtësisë ndërkombëtare por edhe organet e shtetit të Republikës së Kosovës  konsideroj që në këtë rast kanë rënë në provim. Të bëhet një tentim atentat në mënyrë aq të sofistikuar, me eksploziv me telekomandë dhe tani pothuajse 11 vite të mos ketë ide reale që rasti po zbardhet, vërtet është dështim i organeve të drejtësisë dhe i sistemit të gjyqësisë në vend”, ka thënë Rugova.

Në këtë kuptim sipas tij, deklarata e Presidentit Thaçi ishte një konferencë demode, pasi ai për 7 vite sa ishte kryeministër i Kosovës së pavarur dhe zëvendëskryeministër e Ministër i Punëve të jashtme nuk kërkoi zbardhjen e këtij rasti. 

Ai ka thënë se Thaçi, me këto veprime ka tentuar të luaj rrolin e shenjtorit para funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

“Në këtë kuptim deklarata e Presidentit Thaçi, apo më mirë të themi një konferencë demode e stilit ballkanik dhe kur dihet që z. Thaçi për 7 vite ishte Kryeministër i Kosovës së pavarur dhe ishte për dy vite zv/kryeministër dhe Ministër i Jashtëm dhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës, 2 vite zëvendëskryministër dhe Ministër i Jashtëm dhe partia e tij ka drejtuar gjithmonë Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka udhëhequr, tregon që kjo është një demagogji dhe tregon që shpata politike e drejtësisë godet mbi kriminelët e të gjitha natyrave që kanë qenë kanë pasur përgjegjësi qoftë militare qoftë politike qoftë institucionale, thjeshtë po tentojnë që para se Gjykata Speciale të filloj punën e vet po tenton që ta luaj rrolin e shenjtorit”, është shprehur Rugova për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Naser Rugova ka theksuar se konferenca e Thaçit tregon që klasë politike ka rënë në provim dhe është në panik dhe më në fund organet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre.

“Mendoj se qytetarët e Kosovës e dinë mirë backgroundin veprimtarinë por edhe përgjegjësinë e secilit politik dhe institucional. Në këtë kuptim ajo konferencë për shtyp e cila ishte vetëm një shfaqje post mortum dhe demagogjike se sa e vullnetit politik dhe institucional dhe pa lejuar që gazetarët të bëjnë pyetje të caktuara tregon që kjo klasë politike ka rënë në provim dhe është në panik dhe më në fund organet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre dhe uroj që drejtësia të shkoj në vendin e duhur sepse mos të harrojmë, jo vetëm tentim atentati ndaj Presidentit Rugova dhe vrasjet e tjera nga viti 98-2002 janë vrarë njerëzit, intelektualët gazetarët më të shquar dhe Komandantët më të shquar të cilët kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit raste këto për të cilat ishim mësuar me pothuajse 17 vite me refrenit Hetimet vazhdojnë”, ka potencuar ai.

Si përfundim ai ka potencuar se më së paku i takon presidentit të vendit që të merret me rastet specifike që kanë ndodhur, të vrasjeve tentim antantave dhe krimeve të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat