Viktimat e krimit të pashpresa, drejtësia e kapur nga ''fortit'' e politikës

Aktuale

Viktimat e krimit të pashpresa, drejtësia e kapur nga ''fortit'' e politikës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 tetor 2016 Në ora: 12:24
Disa prej viktimave të vrasjeve poltike

Raste të shumta të vrasjeve, vjedhjeve dhe krimeve të ndryshme, kanë ndodhur në Kosovë, por nuk janë zbardhur ende.

Krimet e luftës, vrasjet politike, krime të ndryshme ekonomike, por edhe krime brenda institucioneve siç është vjedhja në dhomën e dëshmive vite më parë, që kanë mbetur të pandriçuara tregojnë se Kosova vazhdon të ketë një sistem joefikas të drejtësisë.

Ndërsa Kosova po shënon javën viktimave të krimit, sistemi i drejtësisë në Kosovë po vazhdon të jetë në krizë të thellë.  

Ky të paktën është mendimi i analistëve sipas të cilëve, organet e drejtësisë janë të kapura nga politika dhe grupet kriminale.

Sipas analistit Arbër Gashi, organet e drejtësisë vendore ndonëse kanë kuadro profesionale, hapësira e tyre për punë është e ngushtuar nga interesat politike.

”Drejtësia vendore është në krizë të thellë dhe fajtore për këtë gjendje është politika jonë, sepse ajo nuk ka arritur të respektoj ndarjen e pushteteve. Kosovës nuk i mungojnë kuadrot profesionale, juristët dhe njerëzit tjerë që duan të japin kontribut cilësor në fushën e drejtësisë. Megjithatë, hapësira për punë është e ngushtuar nga interesat politike, të cilat, jo rrallë i ngjajnë kapjes së shtetit dhe shoqërisë nga ndonjë dorë e zezë mafioze. Prandaj, për ta ndryshuar këtë gjendje, kërkohet që ne vet të ndryshojmë dhe të ballafaqohemi me sfidën, duke marrë guxim dhe duke adresuar problemet dhe dukuritë negative, duke identifikuar përgjegjësinë dhe duke kërkuar nga institucionet tona që ato të japin zgjidhje”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, sipas analistit Faik Krasniqi, mos zbardhja e qindra vrasjeve dhe krimeve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë, është treguesi më i mirë se institucionet e drejtësisë, janë të korruptuara dhe nuk e kanë bërë punën e tyre siç duhet.

“Mos zbardhja e qindra vrasjeve dhe krimeve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë, kryesisht me motive politike dhe ekonomike, është treguesi më i mirë se institucionet tona të drejtësisë, janë të korruptuara dhe nuk e kanë bërë punën e tyre siç duhet. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Këto organe janë të kapura dhe në shërbim të mafio-politikës dhe grupeve të ndryshme kriminale. Prandaj, mafio-politika dhe grupet kriminale në Kosovë, nuk lejojnë që këto raste të zbardhen, sepse mbrapa këtyre krimeve qëndrojnë të ''fortit'' e politikës dhe para politikës”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, java për të drejtat e viktimave të krimit, po mbahet nën patronazhin e kryeprokurorit të shtetit, do të organizohet në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat