Hoxhaj në Suedi, merr mbështetjen për vizat dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Aktuale

Hoxhaj në Suedi, merr mbështetjen për vizat dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Më: 18 tetor 2016 Në ora: 16:07
Pamje nga takimi

Ministi i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Stockholm homologen e tij suedeze, Margot Wallström, me të cilën ka diskutuar për një sërë temash që ndërlidhen me agjendën euroatlantike të Kosovës dhe atë bilaterale.

Hoxhaj e ka falendëruar ministren Wallström për përkrahjen e Suedisë, dhe njëherësh ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme në procesin e liberalizimit të vizave, implementimin e MSA-së dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
 
Një çështje tjetër e bisedës ka qenë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, veçmas në fushën e ekonomisë ku Suedia mund të luaj një rol të rëndësishëm.
 
“Gjatë ditës së sotme kisha një vizitë të veçantë në një shtet të rëndësishëm evropian sikurse Suedia ku takova Kryetarin e Kuvendit, Ministren e Jashtme dhe Komisionin për Punë të Jashtme. Me ta biseduam se si të sigurojmë mbështetjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, dhe se si Suedia ta mbështes Kosovën në anëtarësimet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Njëkohësisht kemi bisduar se si të hapet një kaptinë e re e bashkëpunimit ekonomik mes Suedisë dhe Kosovës” ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e saj, ministrja Wallström ka vlerësuar lartë raportet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
 
“Jam shumë e lumtur të takoj sot kolegun, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Sërish nënvizuam rëndësinë e miqësisë dhe mbështetjes për Kosovën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne po ashtu kemi diskutuar për çështje që janë të rëndësishme për të dyja palët, sfidat dhe mundësitë që dalin nga partneriteti dhe miqësia e jonë e përbashkët” ka thënë Wallström.
 
Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin me të cilin ka diskutuar për nevojën e mbështetjes në agjendën multilaterale të Kosovës veçmas në organizatat ku parlamentarët suedezë janë të pranishëm.
 
Po ashtu, kryediplomati Hoxhaj ka takuar mbi dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike në Suedi, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme.

Hoxhaj i ka njoftuar me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, rajon dhe nivelin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat