Një anonim kërkon shkarkimin e Hisen Berishës nga Bordi i RTK-së

Aktuale

Një anonim kërkon shkarkimin e Hisen Berishës nga Bordi i RTK-së

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 13:42
Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

Një letër anonime me anë së cilës kërkohet shkarkimi i anëtarit të Bordit të RTK-së Hisen Berisha ishte pikë diskutimi në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Anëtarët e Komisionit nga opozita kanë vlerësuar jo serioze këtë mbledhje e cila merret me letra  pa vulë dhe të panënshkruara.

 Ata lëshuan mbledhjen pasi që dhanë vërejtjet e tyre ndaj letrës të cilën e ka lexuar kryetarja e Komisionit Xhevahire Izmaku.

 Deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina, kërkoi që kjo çështje të mos shqyrtohet fare pasi që sipas saj kjo letër që nuk dihet nga kush është dërguar duhet së pari të shqyrtohet nga Bordi i RTK-së që të merret një vendim e më pas të sillet në Komision.

 Pasi paraqiti vërejtjet ajo e  lëshoi mbledhjen e Komisionit.

 Pantina: Një letër e tillë nuk mund të shqyrtohet

 Nuk kemi një letër apo vendim nga bordi, kemi letër nga një anonimus që nuk e dimë se si me besu që është vërtetë anëtar i Bordit , nuk ka emër as mbiemër. Nëse ka pas shkelje të tillë që unë nuk po dua me paragjykua a ka pasur a jo kjo çështje është dashur të shtrohet në bordin e RTK të diskutohet atje të merret vendimi dhe ai vendim të na vije këtu. Nëse këto procedura nuk janë ndjek pa  marrë parasysh kush është anëtar i Bordit nuk dua me ditë po besoj që ne nuk mund me shqyrtu si të tillë”, tha Pantina.

 Zafir Berisha nga Nisma kërkoi që Komisioni të bëjë një verifikim për anëtarët e Bordit për të parë se a kanë ata ndonjë konflikt interesi.

 Sipas tij ka anëtarë të bordeve që po e vjedhin shtetin.

 Berisha: Po vidhet buxheti, anëtarët e bordeve me nga dy paga

“Unë jam në dijeni se kryetari i Bordit për ankesa Hysen Avdyli merr paga si shërbyes civil në Ministri të Punëve të Brendshme, në të njëjtën kohë është edhe kryetar i bordit.. Nuk ka rendësi kush është por me rëndësi është duke e vjedhur shtetin deri në palcë, është pjesë e krimit të organizuar dhe ne o do të merrmi për të gjithë ose kështu qe unë po mendoj që nga ky takim ne nuk duhet me u marr me letra anonime kush na dërgon por ne me u mare seriozisht . Për me pasur qasje serioze edhe për rastin në fjalë edhe për raste të tjera unë mendoj që duhet me ju drejtuar këshillit të pavarur të shërbyesve civil dhe ne me pasur një pasur për të gjitha bordet “, tha Berisha. 

 Njëjtë ka vepruar edhe kolegu i tyre nga AAK-ja Lahi Brahimaj i cili tha se prej dikujt s’po i konvenon emërimi i Hisen Berishës në Bordin e RTK-së.

Brahimaj: Është ofendim për deputetët të shqyrtojnë letra anonime

“Prej ditës së parë që ka shkuar Hisen Berisha atje, njerëzit kanë qenë të shqetësuar, ka pasur edhe telefonata pse e keni emëruar këtë se jau ka prishë rahatinë”, tha Brahimaj.

 Heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës e kërkoi edhe deputeti nga LDK-ja Sadri Ferati.    

 Por, Zenun Pajaziti kritikoi veprimin e kolegëve nga opozita  për të cilët tha se nuk po bëjnë mirë duke e lëshuar mbledhjen. Pajaziti propozoi që  të kërkohet nga bordi i RTK bashkëpunim për Ligjin e RTK-së.

 Pajaziti: RTK të bashkëpunojë në hartim të ligjit për RTK

 “Është mirë që kjo të adresohet kjo. Është mirë t’i thuhet Bordit të fokusohet në ligjin për RTK-në...Në situata të tilla ne duhet të marrim përgjegjësinë në dorë . Kjo letër ka kohë të gjatë që po qarkullon në Kuvend”, tha Pajaziti.

 Në lidhje me këtë letër dhe çështje tjera, kryetarja e Komisionit vendosi që të diskutohen në një mbledhje tjetër.

 Në fund kryetarja e Komisionit vendosi të mbetet të diskutoj për këtë çështje dhe shumë të tjera që lidhen me bordet në një mbledhje tjetër.

 Në letrën anonime që ka ardhur në komision thuhet se Hisen Berisha ka shkelur Ligjin për RTK-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat