Kosova dhe Shqipëria me konsullatë të përbashkët në Mynih

Aktuale

Kosova dhe Shqipëria me konsullatë të përbashkët në Mynih

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 18:15
Kosova dhe Shqipëria

Kosova ka mirëpritur Shqipërinë në Mynih, në Konsullatën e Përbashkët që është hapur nga të dyja shtetet, ku kanë marrë pjesë ministrat e jashtëm të të dy vendeve, Enver Hoxhaj dhe Ditmir Bushati.

Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, nga sot do të fillojë së funksionuari edhe ajo e Shqipërisë, në një objekt të përbashkët, ndërsa prerjen e shiritit pos Hoxhajt dhe Bushatit, e ka bërë edhe Ministrja për Çështje Evropiane e Bavarisë, Beate Merk.

Në përurimin e konsullatës Kosovë-Shqipëri në Mynih, ka marrë pjesë edhe Rifat Jashari.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, në fjalën e tij, Hoxhaj e ka falendëruar Bacën Rifat për praninë duke thënë se pa sakrificën e familjes Jashari, asgjë nuk do të ishte e mundur, as shteti i Kosovës e as Konsullata e Përbashkët.

“As unë si ministër i Jashtëm i Kosovës, as ministri i Jashtëm i Shqipërisë, por askush tjetër nuk do të ishte këtu në këtë konsullatë pa rolin dhe kontributin e Bacës Rifat dhe familjes Jashari. Këto janë dëshmia më e mirë se sa rrugë të gjatë kanë bërë shqiptarët, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri për ta bërë një shtet të pavarur të Kosovës, që ka qenë projekt i krejt shqiptarëve, edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne do të hapim edhe ambasada e konsullata të përbashkëta, por prania e Bacës Rifat i jep një kuptim tjetër kësaj konsullate”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Bushati ka falendëruar ministrin Hoxhaj për mundësinë që edhe Shqipëria të përfaqësohet nga sot me shërbime konsullore në Konsullatën e Përbashkët, duke paralajmëruar edhe aktivitete tjera të këtij karakteri.

Nga ana e saj, ministrja e Bavarisë për Çështje Evropiane, Merk ka falënderuar të pranishmit dhe është shprehur e lumtur që në Bavari po hapet një konsullatë e përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila do të jetë promotor edhe i bashkëpunimit në shumë fusha të tjera ndërmjet këtyre dy vendeve dhe Bavarisë.

Në përurimin e konsullatës kanë marrë pjesë shumë qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në Bavari dhe personalitete të rëndësishme gjermane të jetës publike.

Janë paralajmëruar edhe hapja e konsullatave të përbashkëta në Danimarkë dhe Turqi, ndërsa më herët janë hapur në Milano dhe Bari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat