Emri Bushi: Nuk luftova për ISIS-in

Aktuale

Emri Bushi: Nuk luftova për ISIS-in

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 21:56
ilustrim

I akuzuari Emri Bushi mohoi të ketë qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist. Si dëshmi ai ka ofruar dy video-incizime, të cilat sipas tij dëshmojnë se ka luftuar përkrah Ushtrisë së Lirë Siriane. Edhe i akuzuari tjetër Fitim Dema mohoi të ketë luftuar për ndonjë organizatë terroriste.

Emri Bushi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, gjatë marrjes së tij në pyetje tha se qëllimi i tij i shkuarjes në Siri ishte ta ndihmonte popullatën civile siriane, dhe se atje luftoi vetëm në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane.

Ky ish -ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Hani i Elezit akuzohet se me qëllim që t’i bashkëngjitej grupit terrorist ISIS, më 29 maj 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Stamboll e pastaj nga aty për në Gazientep e pastaj në KIlis, qytete këto në Turqi, e pastaj nga aty ka hyrë në territorin e Sirisë.

Sipas Prokurorisë, Emri Bushi, i njohur me nofkën “Ebu-Amar”, fillimisht ishte stërvitur me armë të ndryshme e pastaj kishte marrë pjesë edhe në frontet e luftës deri më 6 gusht 2013 kur ishte kthyer në Kosovë.

Bushi në seancën e sotme kur u mor në pyetje nga avokatja e tij, Labinota Qosaj-Ilazi dhe prokurori Ali Rexha, mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë organizate terroriste.

Mbrojtja gjatë shqyrtimit gjyqësor Gjykatës i dorëzoi edhe një CD me materiale, të cilat sipas Bushit përmbajnë dy video-materiale.

“Njëra është një video e një iftari në qytetin Haritan, në afërsi të qytetit të Alepos, ndërsa pjesa tjetër është një aksion në Rashidin, në rrethinën e Alepos, nga Ushtria e Lirë Siriane”, tha i akuzuari.

Emri Bushi përmes profilit të tij i ka dërguar monitoruesit të KALLXO.com edhe linqet e videove në të cilat ai pretendon se shihet duke luftuar krah Ushtrisë së Lirë Siriane:

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat