Prokuroria nuk ka guxim ta hetoj Thaçin!

Aktuale

Prokuroria nuk ka guxim ta hetoj Thaçin!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 tetor 2016 Në ora: 09:17
Hashim Thaçi

Ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i dërgoi katër letra organeve të drejtësisë së Kosovës, për të hetuar vrasjet që janë bërë para dhe pas luftës.

Lidhur me këtë, në seancën e të martës së 11 tetorit në Kuvend, deputetja Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, hodhi akuza në drejtim të presidentit, duke thënë se bashkë me katër letrat, ai është dashur ta dërgonte edhe një letër për veten, në të cilën do t’i adresonte keqpërdorimet që ka bërë sa ishte kryeministër i Kosovës.

Sipas deputetes, është e kotë që me një konferencë t’i hidhet hi qytetarëve për dështimet e tij.

“E tërë bota e ka kuptuar se çfarë njeriu jeni ju, nuk do të mund t’i ikni përgjegjësisë, ju e dini që fundin e keni afër”, tha ajo duke iu referuar presidentit.

Bajrami shtoi se Thaçi me ato letra ka fyer familjarët e viktimave, pasi, sipas saj, ai po barazon gjenocidin që ka bërë Serbia për të ndrequr imazhin e vet.

“Ku ishit deri tani, pse nuk bëtë një veprim të tillë sa ishit kryeministër”, ka pyetur Bajrami. 

Pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka thënë se kushdo që ka dëshmi për këdo qoftë t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Ftoj kryeprokurorin e shtetit mos të jetë i heshtur në raste të tilla ku ka akuza të drejtpërdrejta. Është mire me mbajt konotacionin politik. Fundin secilit prej neve ia jep veç Zoti”, tha Veseli.

Lidhur me këtë, gazeta Bota Sot ka kontaktuar me prokurorinë e shtetit, lidhur me këtë çështje, nëse janë paraqitur dëshmi për akuzat që janë bërë, apo ka filluar hetimin e kësaj deklarate, për çka kërkoi hetim edhe kryeparlamentari, por nuk kanë kthyer përgjigje as pas dy ditësh.

Ndërsa, analistët kanë ndarë mendimet e tyre, se a do të duhej të hetohej një deklaratë e tillë nga prokuroria.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën Bota Sot se çdo deklaratë publike do të duhej hetuar.

“Një prokurori e përgjegjshme do të duhej hetuar çdo deklaratë publike, e cila potencialisht do të mund të ndihmonte në gjendjen e elementeve të veprës penale. Vetëm po të merret me deklaratat e deputetëve, Prokuroria ka punë sa të dush. Por, deri më tash ka munguar gatishmëria për t’u marrë me këto çështje dhe dyshoj se situata mund të ndryshojë”. Është shprehur Mushkolaj për gazetën Bota Sot.

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi ka thënë për gazetën Bota Sot se një deklaratë e tillë, që hedhë akuza të rënda në drejtim të presidentit Thaçi, do të duhej të hetoj, por për këtë duhet të ekzistojë guximi.

“Sikur të ishte sistemi i drejtësisë në rregull dhe të punonte në bazë të ligjit dhe të drejtësisë, Prokuroria ishte dashur të fillonte hetimet pas deklaratës së deputetes së Nismës, Valdete Bajrami, e cila hodhi akuza shumë të rënda në drejtim të presidentit Hashim Thaçi, apo tash do të ishin pastruar të gjitha dyshimet apo edhe supozimet që rëndojnë mbi individë të caktuar, mirëpo lindë pyetje se kush do të marr një guxim të tillë?”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, ai shton se deklarata e konferenca për media duke ftuar prokurorinë për hetime ka çdo ditë, por veprimet e prokurorisë janë zero.

“Prokuroria e shtetit nuk e ka fuqinë që t’i hetojë liderët dhe as zyrtarët e shtetit, për të cilët kanë 1001 arsye që të hapin raste, por kush të guxojë të marr një veprim të tillë, kur politika e përdorë sistemin e drejtësisë së piuna shahu”, ka thënë analisti Krasniqi për Bota Sot.

Gazeta Bota Sot ka kontaktuar edhe me deputeten e Nisma për Kosovës, Valdete Bajrami lidhur me deklaratën që ka bërë, mirëpo nuk ka arritur të marrënjë qëndrim të saj në lidhje me akuzat që ajo i ka drejtuar ndaj presidentit, Hashim Thaçi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat