Lista Serbe ‘njeh’ Kosovën, serbët po zgjohen nga ëndrra e tyre

Aktuale

Lista Serbe ‘njeh’ Kosovën, serbët po zgjohen nga ëndrra e tyre

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 tetor 2016 Në ora: 10:57
Ilustrim, Gjykata Kushtetuese

Subjekti politik Lista Serbe për të cilën është thënë se po vepron me direktiva të Beogradit, tashmë ka filluar t`i njoh institucionet e Kosovës.

Ky subjekt politik, që është edhe pjesë e Qeverisë së Kosovës, ka dërguar dy lëndë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Lista serbe po kërkon sqarime nga Gjykata Kushtetuese rreth ligjit për Trepçën dhe Ligjit për Investime strategjike të miratuara së fundi në Kuvendin e Kosovës.

Faton Abdullahu, këshilltar politik i Kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë për “Bota sot”, se pavarësisht qasjes jo konstruktive sa i përket ligjit për Trepçën, Lista Serbe,  në forma të ndryshme është pjesë aktive edhe e Qeverisë së Kosovës në shtyrjen përpara të proceseve të ndryshme të cilat determinohen nga programi qeveritar.

“Lista serbe është pjesë e institucioneve të Kosovës tash sa kohë. Në forma të ndryshme ky subjekt politik është pjesë aktive edhe e Qeverisë së Kosovës në shtyrjen përpara të proceseve të ndryshme të cilat determinohen nga programi qeveritar. Sigurisht se ka edhe qasje që nuk janë konstruktive. Ne mendojmë se nuk është në rregull të mos votohet ta zëmë Ligji për Trepçën apo që ai të kundërshtohet. Por ne si Qeveri jemi të interesuar që me përfaqësuesit e komunitetit serb të punojmë sa më shumë që kjo është e mundur në të mirë të vendit tonë e me theks të posaçëm në të mirë të komunitetit serb, sidomos në shfrytëzimin dhe zgjerimin e mundësive që ata kanë dhe begatimin dhe jetësimin e të drejtave të tyre të cilat ju garantohen”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se, qasja e Qeverisë aktuale e cila është konstruktive dhe pragmatike, përkundër problemeve po vazhdon të jap edhe rezultate.

“Krejt kjo qasje e Qeverisë aktuale e cila është konstruktive dhe pragmatike, përkundër problemeve po vazhdon të jap edhe rezultate, sepse gjithnjë e më shumë kemi afrimin dhe pjesëmarrjen aktive komunitetit serb në institucionet tona, me përfaqësuesit e tyre dhe përmes formave tjera, si determite e vetëdijesimit se shtetndërtimi dhe demokratizimi në Kosovë janë edhe në të mirë të drejtpërdrejt për komunitetin serb”, është shprehur Abdullahu.

Sipas analistit Kushtrim Kadriu, serbet dhe Serbia ka kohë që njohin Kosovën duke u ulur në tavolinën e bisedimeve e po ashtu me përfshirje në Institucionet e Kosovës.

”Fakti tjetër është përfshirja në institucionet e Kosovës të minoritetit serb ku këta marrin rrogë dhe punojnë nën siglën e flamurit të republikës se Kosovës. Fakti tjetër është pse ju drejtuan serbet gjykatës kushtetuese të Kosovës, po që se nuk njohin Kosovën atëherë duhet të shkojnë në gjykatën kushtetuese të Serbisë të bëjnë një ankesë. Të gjitha pengesat që parashtrojnë serbët janë vetëm sa për të bërë loja politike e për të rrit pazarin e votave të tyre në institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Kadriu.

Sipas tij, zgjimin nga ëndrra e tyre për Kosovën, serbëve ua ka bërë aleanca veri atlantike e NATO-s me mijëra ton barut më vitin 1999.

Edhe analisti Zudi Xhelili e quan hap pozitiv, ankimimi i ligjeve për Trepçën dhe ai për investime në gjykatën Kushtetuese të Kosovës duke thënë se është mirë që problemet e Serbëve të Kosovës të zgjidhen brenda në Kosovë.

“Të jemi të sinqertë Serbia dalëngadalë po ftohet për Kosovën. Më kujtohet para dy vite Ivica Daçic në një emision televiziv Beogradas në pyetjen e gazetares se a janë duke e shit Serbinë qeveria e tij ai u përgjigj: Gabimet i bëri dikush para neve, kurse në mundohemi të mbrojmë atë që ka ngel nga Serbia.! D.m.th Serbia e ka të qartë se rruga e saj për në BE është përmes Kosovës. Dita ditës Kosova po funksionon si shtet, edhe ankimimi i ligjeve për Trepçën dhe ai për investime në gjykatën Kushtetuese është një hap pozitiv nga ana e listës Serbe që problemet e Serbëve të Kosovës të zgjidhen brenda në Kosovë, në institucionet e shtetit si të gjithë qytetaret e Kosovës” , ka nënvizuar ai.

Kurse, analisti Albrim Badallaj, ka thënë se ka kohë që Serbia, në disa procese, defakto e ka njohur shtetin e Kosovës mirëpo dejuro vazhdon të jete kundërshtare e fuqishme.

“Gjate gjithë kësaj kohe Serbia ka tentuar që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës dhe në sovranitetin e saj, duke u munduar të shkaktoj tensione përmes kartës më të fuqishme që e posedon, e që janë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, si dhe praninë e minoritetit serb ne veri. Lëvizjet e fundit të Listës Serbe, e cila është vartëse e politikave të Beogradit, duke e dërguan ligjin për Trepçën dhe investime në Kushtetuese, flet që ata po e njohin dhe po i besojnë edhe juridikisht shtetit të Kosovës, duke i njohur edhe institucionet e saja”, është shprehur Badallaj.

Ai ka përmendur faktin se Serbia pa i kënaqur apetitet e saj, përmes përfitimeve nga BE-ja, nuk do e njeh Kosovën si shtet, mirëpo, sipas tij në këtë pike siç po shihet ka lëvizje pozitive.

“Mjafton që Lista Serbe, si një parti me nacionaliste dhe jo aq liberale si partitë paraprake serbe, ka ndërmarr një hap të tillë edhe pse e ka bojkotuar Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Analisti Blerim Brujani, thotë se politika e Listës serbe me Gjykatën Kushtetuese i ka dy kahje. Sipas tij, serbët e dinë se me dërgimin në kushtetuese pezullohet ligji për Trepçën dhe hyrja e tij në fuqi.

“Po këtu është politikë me dy kahe, por nuk do të thotë se lista serbe po mësohet ngadalë me shtetin e Kosovës me respektuar, e para serbët e din se në raste se qohet ligji për Trepçën në Gjykatë Kushtetuese, pezullohet hyrja në fuqi e ligjit dhe i jepet rast Beogradit të kërkoj dialog për Trepçën në Bruksel”, ka thënë Burjani.

Burjani ka nënvizuar se kahja e dytë  ka të bëjë me atë se serbet kosovar janë plotësisht lojal ndaj Beogradit dhe jetën e tyre e konsiderojnë të ndarë nga Kosova.

“Kjo pra është politikë asgjë më shumë, apo ligjin për investime strategjike, kjo është  temë e qarte, asnjëherë serbet lokal nuk do ti njohin funskionalitetin e institucioneve te Kosovës përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat