Anton Quni flet për listat e vrasjeve, ja çka thotë për ato

Aktuale

Anton Quni flet për listat e vrasjeve, ja çka thotë për ato

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 tetor 2016 Në ora: 12:53
Anton Quni

Katër letrat e presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi drejtuar ditë më parë Kryeprokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë hapur debat ndërmjet zyrtarëve të ndryshëm në vend.

Por, ajo që po bën bujë është letra e dytë e Thaçit, e cila ka të bëjë me zbulimin e krimeve të pasluftës dhe më vonë, në mesin e të cilave përfshihet edhe atentati kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova, që ndodhi në vitin 2005, shkruan "Bota sot".

Lidhur me këtë çështje, dy ditë më parë është përfshirë edhe gazetari Milaim Zeka. Ky i fundit, dy ditë më parë, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, është shprehur i bindur se deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni e ka parë një listë me emra të atyre të cilët do të likuidoheshin, në mesin e tyre edhe ish-presidenti Rugova dhe Halil Bicaj.

“Anton Çuni, një luftëtar shembullor gjatë luftës, i cili ka qenë edhe komandant i Njësitit Special të UÇK-së në Koshare, bashkë me disa deputetë tjerë, thanë që “Thaçi ka informacione shumë për këto gjëra”?! Mirëpo, unë habitem pse Antoni bashkë me disa të tjerë nuk po flasin për informacionet që ata i kanë, jo Thaçi. Psh. Antoni, jam shumë i bindur që e di, edhe e ka pa një listë me emra të atyre të cilët do të likuidoheshin. Në mesin e tyre ka qenë edhe ish-presidenti Rugova, po edhe Halil Bicaj. Letra ekziston, edhe ka një nënshkrim të një ish shefi të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, shkroi Zeka në Facebook, duke thënë se këtë shkrim e ka bërë për të mos lejuar dezinformimin dhe devijimin e fakteve.

Por, i kontaktuar nga gazeta Bota Sot, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni thotë se ka parë listën sikur të gjithë qytetarët e tjerë të publikuar në media pas luftës.

Ai thotë se nuk e di nëse ajo listë është autentike, dhe se ai nuk ishte i afërt me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së  për të ditur diçka të tillë.

“Nëse Milaim Zeka mendon për listat që janë publikuar në media pas luftës, po. Atë listë e kam parë sikur të gjithë qytetarët e Kosovës. Tjetër listë nuk kam parë”, ka thënë ai për gazetën "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat