Promovohet libri me mrekullitë e titanëve të UÇK-së

Aktuale

Promovohet libri me mrekullitë e titanëve të UÇK-së

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 19:37
Promocimi

Libri i Dr. Ahmetit është një libër i cili e lufton harresën, një libër dëshmi e dorës së parë, për luftën dhe sakrificën njerëzore të luftëtarëve të UÇK-së, ku është dhënë edhe një segment i rëndësishëm që i trajton edhe krimet e luftës.

Të shtunën u promovua libri i Dr. Ibish  Ahmetit “Duke shëruar plagët e luftës”, që përmban shënime në formë ditari, të shënuara nga autori gjatë kohës së luftës 1998-1999, deri sa shëronte plagët e luftëtarëve të UÇK-së, ku shërbente si mjek.

Në promovimin  e librit, publicisti Sadri Ramabaja librin e Dr. Ahmetit e quan “Mrekullitë e titanëve të UÇK-së së vegjëlisë në Therandë”, duke theksuar se kur filloi ta lexojë librin, nuk mund të shkëputej nga ai.

Ramabaja: Libri i Dr. Ahmetit mrekulli në vete

“Librin e Dr. Ibish  Ahmeti e kam titulluar jo pa qellim “Mrekullitë e titanëve të UÇK-së së vegjëlisë në Therandë”. Gjatë krejt  leximit, gati thuajse në fakt, nuk mund të shkëputesha disa prej ngjarjeve krejtësisht njerëzore të thjeshta, por në fakt secila prej tyre ishte mrekulli në vete. Në fakt titulli i këtij libri flet për kufijtë periodik të një epoke, për të cilin për autorin tonë të hedhë dritë disa prej skutave që defakto krijojnë në të gjithë atë që është shikuar nga larg, krijon pra tërësinë që sot njihet me emrin Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Ne një vend të veçantë të kujtimeve të tij, autori flet edhe për faktin se kur në Drenicë bëhej luftë, pjesa tjetër bëhej sikur nuk po ndodhte asgjë. Nga 3 korriku i vitit 1998, kur filloi shërbimin mjekësorë në flakët e luftës, sa ishte duke punuar në ordinancën e tij e deri më 13 qershor 1999, ku përmbyll ditarin e luftà «s Dr. Ahmeti përmes kujtimeve si një kronist i mirëfilltë me një gjuhë të pastër, na e ka përshkruar rrjedhën e luftës nga Maqiteva e tij e dashur, në Buzhalë e Budakovë, e kudo ku shërbeu si mjek i luftës”, tha Ramabaja.

Botuesi i librit Xhemajl Kolegeci tha se ishte një nder i madh për të bashkëpunuar me Dr. Ahmetin, ndërsa thotë se në librin e tij rrëfimet, meditimet, ngjarjet janë përshkruar me ndjeshmëri artistike.

Kolgeci: Ky libër është dokumentar me vlera historike

“Libri i Dr. Ibish Ahmetit “Duke shëruar plagët e luftës”, është një dokumentar, libër historik, sepse përfshin ngjarje të vërteta nga koha e luftës e viteve 1998-1999, në një regjion të caktuar, njëherësh e konsideroj edhe si libër letrar, sepse rrëfimet, meditimet, ngjarjet janë përshkruar me ndjeshmëri artistike. Personazhet e këtij libri janë shokë të idealit që luftojnë duke rrezikuar jetën e tyre. Çdo gjë e thënë në këtë libër është e vërtetë, pra është një dokumentar me vlera historike, pa kurrfarë tendence apo anshmërie . Ndoshta vlen të thuhet një rast, se kur mjeku i luftës në mungesë të medikamenteve duhet të kursente, atëherë kur i kishte mbetur vetëm një serum, ai rrezikon pak me një pacient. Gjuha e përdorur, stili tërheqës, mënyra e sinqertë e të shprehurit, ta zgjon kureshtjen për ta lexuar pa ndalesë deri në fund”, tha Kolgeci.

Fetnete Rasmosaj ish reportere në Zonën e Dukagjinit, është shprehur se ky është një libër i rëndësishëm, për shkak se përmes  këtij libri zbulojmë shumë vrasje, plagosje, krime të ndryshme të kryera gjatë luftës.

Ramosaj: Libri që na ofron shumë dëshmi

“Duhet përgëzuar autorin e librit Dr. Ahmeti  për shkrimin e këtij libri, i cili në 177 faqet e tij e bënë dokumentimin real, të një pjese të historisë së luftës, ashtu siç e ka përjetuar dhe parë vet në mënyrë autentike, pa e zbukuruar dhe stilizuar në asnjë rast. Libri i Dr. Ahmetit është një libër i cili e lufton harresën, është një libër dëshmi e dorës së parë, për luftën dhe sakrificën njerëzore të luftëtarëve të UÇK-së. Në këtë libër është edhe një segment i rëndësishëm që i trajton edhe krimet e luftës. Dr. Ahmeti sjell edhe dëshminë e parë në këtë libër, të Shyhrete Berishës, e cila ishte e vetmja e mbijetuar nga familja e saj, pasi kishte par tek i vrisnin fëmijët dhe tërë familjen. Mbi të gjitha në këtë libër na ofrohen dëshmi të përballjes njerëzore me jonjerëzoren, na ofrohen dëshmitë e mbijetesës”, tha Ramosaj.

Kurse Ibish Ahmeti, doktor dhe ish luftëtar i UÇK-së, është shprehur se ky libër është një copëz realiteti, sepse ka ngjarje më të mëdha, të cilat nuk i ka cekur në libër, por vetëm ato që i ka parë dhe i ka përjetuar.

Ahmeti: Mu deshën njëmijë fjalë për ta zëvendësuar një fotografi

“Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë, por mua më është dashur të shkruajë njëmijë fjalë për ta zëvendësuar një fotografi, e cila më ka munguar edhe mua, por besoj se u ka munguar edhe gjeneratave të tjera të cilat nuk arritën ta përjetojnë luftën. Ky libër si dokumentarë, apo si ditar lufte është vetëm një copëz realiteti, një periudhe të lavdishme të popullit tonë. Ka pasur ngjarje më të mëdha, njerëz më të rëndësishëm, sesa ata që i ka  përshkruar në libër, por kam qenë i kufizuar  në kohë, në hapësirë, kam përshkruar ngjarje të cilat i kam parë, të cilat i kam përjetuar, kam shkruar për njerëzit me të cilët kam jetuar, kam bashkëvepruar. Librin e fillova rastësisht në luftë, në rrethanat kur ne duheshim të largoheshim nga objektet që shfrytëzonim për ambulanca, unë u detyrova ta mbaja një bllok xhepi ku regjistroja të plagosurit dhe fillova të shënoj për ndonjë ngjarje di tore dhe më vonë duke filluar me ditarë të rregullt dhe për ta kompletuar këtë pas përfundimit të luftës, këto shënime i mbajta të mbyllura për 16 vite herë pas here i lexoja, pastaj fillova t’i publikoj në rrjetin social në Facebook  dhe nga shumë miq mora inkurajim, nxitje, që t’i botoj”, tha Dr. Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat