Ismail Kadare: Nuk mund të ketë identitet të përgjysmuar

Aktuale

Ismail Kadare: Nuk mund të ketë identitet të përgjysmuar

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 21:41
Ismail Kadare

Pyetje: Zoti Kadare, sot bisedën po e zhvillojmë në një kohë kur shqiptarët në Kosovë, me kushtetutën e re që sapo ka hyrë në fuqi, vendosën themelet e një shtetit të ri. Pra, shqiptarët arritën të realizojnë ëndrrën e tyre për një Kosovë shtet të pavarur? Sa i rëndësishëm është ky fakt për kombin shqiptar?

Ismail Kadare: Sigurisht që përgjigjja ime si e çdo shqiptari do të jetë pozitive. Shqiptarët, kombi shqiptar, sigurisht që nuk ka marrë një favor, por është rregulluar diçka që ishte çrregulluar në vite, në shekuj. Tashmë shqiptarët kanë hapësirën e tyre në Ballkan, shumë të rëndësishme me atë shtat që ata e meritojnë prej kohësh. Prandaj, është gjetur një drejtpeshim, një ekuilibër për një drejtpeshim të prishur, pra është zëvendësuar ky i fundit që ka qenë. Dhe kjo është në radhë të parë për të mirën e kombit shqiptar dhe për të gjithë Ballkanin, kjo rigjetje e ekuilibrit. Natyrisht, që kjo do të luajë një rol të madh ndaj të gjitha pikëpamjeve, si nga pikëpamja politike, ekonomike, psikike e kombit shqiptar. Do ndryshojë gradualisht, dalëngadalë vetë ndjesia e tij për veten e tij. Dhe kur ndjesia e një kombi ndryshon për të mirë, siç është në këtë rast, atëherë pesha e tij e brendshme do të reflektojë në peshën e tij të jashtme. Sigurisht, që kështu ndodh në gjithë popujt. Pra, psikologjia shqiptare do të ndryshojë nga kahu i mirë i saj në të gjitha pikëpamjet.

Pyetje: Tani kemi dy shtete shqiptare. Por, pse disa i tremben një Shqipërie të madhe dhe nuk i tremben dy shteteve shqiptare, zoti Kadare? Si e shpjegoni ju këtë?

Ismail Kadare: Mendoj se është thjesht një frikë. Në botë zakonisht ka frikëra që kanë një bazë të vërtetë, por shpesh ato kanë një bazë virtuale. Një bazë të shpikur, siç janë edhe frikërat e fëmijërisë që krijohen nga fantazmat, nga gogoli. Dhe me sa duket këto ngelen edhe në jetën politike ndërkombëtare disa herë. E ashtuquajtura Shqipëri e Madhe ka qenë prej kohësh një motiv i preferuar, për të qenë një lloj alibie, për të justifikuar një prapambetje të çështjes shqiptare, një ngecje në vend. Në fakt prej shumë e shumë vitesh shqiptarët e kanë bërë të njohur vetë në gjuhën shqipe, në formën e të menduarit shqiptar që kjo shprehje të takohet shumë rrallë. Shqiptarët nuk thonë Shqipëri e Madhe. Asnjëherë. Thonë Shqipëria natyrale, ose Shqipëria etnike. Pra as e madhe, as e vogël, por ajo që është dhe që duhet të jetë. Në fund të fundit Shqipëri e Madhe, apo, siç kanë thënë, Rusia e Madhe, Gjermania e Madhe, Kroacia e Madhe, këto terma ndryjnë në vetvete një koncept negativ, pra, nënkupton një shtet i bërë i madh me dhunë, pa të drejtë, d.m.th. duke uzurpuar të drejtën e të tjerëve. Prandaj, të përdorësh këtë shprehje në këtë rast për atë që quhet Shqipëri e natyrshme, cenohet e vërteta. Kjo shprehje ka qenë një tingëllimë negative dhe është e përjashtuar për ne brenda vendit.

Pyetje: Zoti Kadare, kohë më parë ju keni zhvilluar një debat të gjatë lidhur me identitetin e shqiptarëve. A ka ndryshuar në parim ky pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, pra të shqiptarëve si komb me dy shtete?

Ismail Kadare: Besoj që shumica e shqiptarëve janë dakord që identiteti shqiptar është homogjen, është i njëjtë, është pjesë e identitetit europian. Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, të gjymtuar ose të modifikuar për shkak të një robërie të gjatë. Ne kemi njohur si të thuash një robëri klasike të jashtme, që ka qenë robëria otomane dhe një robëri të brendshme që ka qenë me dy fytyra: robëria komuniste shqiptare në Shqipëri dhe robëria komuniste serbe bashkë me robërinë e mbretërisë jugosllave në Kosovë. Ekziston një teori, e keqe do të thosha unë, që pretendon nga këto aksidente të rënda historike (njëra 5 shekuj e tjera më shumë se gjysmë shekulli) se identiteti shqiptar është modifikuar, është ndryshuar. Të thuash këtë gjë për një popull është t’i bësh fyerjen më të madhe. Një popull që i ndryshohet identiteti prej robërisë është mjeran, është thellësisht fatkeq dhe ka mungesa në dinjitetin e tij. Përse popujt e tjerë të Ballkanit nuk e ndryshuan identitetin dhe përse i paska rënë popullit shqiptar kjo fatkeqësi dhe ky cenim i rëndë? Pra, nuk është e vërtetë. Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane, kanë mbetur ata që janë të pamodifikuar. Të gjitha ato përrallat për identitetin e modifikuar mbeten vetëm përralla, dhe jo vetëm kaq, por ato janë edhe të dëmshme.

Pyetje: Por tani flitet për një problem tjetër që ka dalë pas krijimit të shtetit të ri shqiptar. A ka Kosova identitet tjetër apo ka identitetin klasik shqiptar?

Ismail Kadare: Bëhen shumë përpjekje për këtë gjë, ka shumë doktrina dhe lloj – lloj teoricienësh për të vërtetuar se Kosova ka identitet tjetër. Kjo nuk është gjë tjetër veç se versioni që thashë më parë, versioni se një populli robëria mund t’ia ndryshojë identitetin. Në qoftë se ne pranojmë që Kosova, për shkak të një qëndrimi 70 vjeçar nën sundimin jugosllav, paska krijuar identitet tjetër, ky është përsëri, siç thashë më sipër, një mjerim i madh për popullin tënd. Përse e paska ndërruar? Kosova ka qenë e bashkuar me Shqipërinë përpara. Ka qenë vazhdimi i hapësirës shqiptare. Nuk ka pasur kufij gjatë pesë shekujve që fola unë. Gjatë perandorisë otomane ka qenë e njëjta zonë, zonë që administrata turke e quante me emra të ndryshëm, por ka qene kjo zonë që është sot. Përse ndryshoi ky identitet për këto 70 vjet? Përse, ku janë arsyet, ku është ndryshimi? E folmja? E folmja në Kosovë është absolutisht më e afërt disa herë me gjuhën që flitet në përgjithësi në Shqipëri se sa në shumë pjesë, zona të Shqipërisë që kanë dialekte shumë të larguara nga pjesa e përgjithshme shqiptare. Unë kur flas me kosovarët apo kur lexoj shtypin kosovar, gjuha është shumë më e afërt se sa disa gazeta në Shqipëri, si në Gjirokastër, në Shkodër, në Kukës në Elbasan. Pra është tepër natyrale kjo, e, megjithatë, do të shtoja se nuk është vetëm gjuha që përcakton identitetin , edhe pse është një nga faktorët themelorë, por është një nga faktorët.

Identiteti është edhe historia e përbashkët, është të ndjerit e përbashkët, janë emocionet e përbashkëta si komb, të cilat janë të krijuara gjatë shekujve, të mijëvjeçarëve. Prandaj, nuk e kuptoj këtë këmbëngulje për ta deformuar identitetin e shqiptarëve. Një popull mund të jetojë në dy shtete, kjo nuk do të thotë asgjë. Në radhë të parë është e rëndësishme si ndjehet vetë kombi , çfarë kombësie ndjen ai në ndërgjegjen e vet historike, në moralitetin e vet historik. Me duket se kjo këmbëngulje, më duket përsëritje e tezave që nuk të çojnë askund.

Pyetje: Po vlerat shqiptare, zoti Kadare, a ka të bëjë kjo edhe me identitetin e shqiptarëve?

Ismail Kadare: Sigurisht, identiteti i një kombi ka të bëjë më vlerat që bart kombi por njëkohësisht edhe me cenet e tij. Por nuk duhet të kemi frikë të themi, siç flasim për vlerat me shumë të drejtë, me kurajë duhet të flasim edhe për cenet e tyre, për t’i korrigjuar ato. Ashtu sikurse njerëzit e fortë janë më të aftë të gjejnë mungesat e tyre se sa njerëzit e dobët, të cilët nuk flasin kurrë për mungesat e tyre.

Pyetje: Si i mendoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tani që kjo e fundit shpalli pavarësinë?

Ismail Kadare: Shteti më i ri i Europës ka disa veçanti. Lindja e tij ka qenë pas një buje të madhe, pas një lufte të armatosur të shqiptarëve, pas një bombardimi ndëshkues të aleatëve, pas një trazimi botëror, i cili pothuajse e ndau planetin në dy qëndrime të kundërta. Shteti i ri shqiptar pati një veçanti tjetër, ai nuk ishte jetim si Shqipëria historike e vitit 1912, por kishte në shpinë të tij pikërisht këtë Shqipëri të vjetër. Shqipëria, ajo që është bërë zakon të quhet “shteti amë”, është dhe do të mbetet vendi më i afërt i Kosovës-shtet, vendi që, sido që të vijnë punët, nuk do ta lejë kurrë në baltë tjetrin. Shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në altar të idealit europian hoqën dorë nga bashkimi shtetëror mes tyre, por kjo s’do të thotë kurrsesi se ata (më saktë, njëra gjysmë e tyre) do të heqë dorë nga të qenit shqiptar, sepse kështu mund t’i pëlqejë dikujt. Kombi shqiptar ka qenë dhe mbetet një. Një komb në dy shtete, një dukuri që bota e njeh. Ky komb, ashtu si më parë, gjithçka e ka të njëjtë: gjuhën, doket, ngrehën shpirtërore, kujtimet historike e të gjitha shenjat e tjera identifikuese.

Përpjekjet që bëhen aty-këtu , duke nisur nga ndarja e gjuhës, për të përfunduar në ndarje të gjithçkaje, në një identitet të ri, nuk mund të jenë veç me qëllime të mbrapshta. Është pak a shumë ideja e “Shqipërisë së madhe” në kah të kundërt. “Shqipëria e madhe” si spikamë, transferohet në kuptimin e saj mohues, te kombi shqiptar. Me fjalë të tjera, ashtu siç është quajtur “Shqipëria e madhe” e dëmshme dhe bezdisëse, ashtu bëhet tani me tërësinë e kombit shqiptar. Ky komb, ashtu siç është, natyral dhe i plotë, quhet i dëmshëm dhe i bezdisës. Për ta bërë të pranueshëm, duhet ta ndajmë më dysh. Kështu fillojmë nga gjuha, e më tutje është gjithmonë më lehtë. Një grup rimohuesish në Prishtinë dhe në Tiranë kanë kohë që u bien borive të tilla. Mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, sidomos tani që të dyja kanë përpara fjalët “shtet”, duhet të jenë model i marrëdhënieve të shkëlqyera. Mbi këtë harmoni duhet të vigjilojnë të gjithë.

Pyetje: Keni paralajmëruar prej kohësh se dy shtete shqiptare do ta qetësojnë rajonin. Tani që ky është fakt i kryer, si e shihni Ballkanin me dy shtete shqiptare?

Ismail Kadare: Kjo ka filluar të acarojë nervat e atyre që mezi e presin rastin për t’iu sulur Shqipërisë. Në një gazetë ruse, një farë ideologu jepte kushtrimin, duke u përpjekur të tmerrojë botën se së shpejti shqiptarët, si grykësa që janë, mund të kërkojnë pesë Shqipëri (Me sa duket, e sipas tij, një në Maqedoni, një në Mal të Zi e një në Greqi, – Çamëria, ndoshta). Gjithmonë sipas këtij ideologu, këto “pesë Shqipëri”, që drejtohen nga Al Qaeda dhe islamistët, do të përpiqen së shpejti t’i bëjnë gropën Europës. Gjithmonë sipas rusit, aleatja kryesore e “pesë Shqipërive”, SHBA, e përkrah këtë “tufë Shqipërish”, gjithmonë me të njëjtin qëllim, prishjen e Europës.

Që t’i kthehemi seriozisht çështjes, mendoj se dy shtete shqiptare do të rritin ndjeshëm faktorizimin shqiptar në Ballkan. Bashkë me këtë përgjegjësia shqiptare për punët në gadishull do të rritet, gjithashtu. Përveç kësaj, mendoj se kjo “dyshe shtetërore” do të ketë ndikim pozitiv të brendshëm në seriozitetin dhe moralin e shoqërisë, e sidomos të politikës shqiptare. Ajo do të zgjerojë vizionin për botën, kurse patriotizmin natyral tradicional, atë për të cilin ka aq shumë diskutime çoroditëse sot, do ta shoqërojë me një përmasë të re, atë që cilësohet “patriotizëm institucional”, brenda modelit të sotëm europian.

Intervistë me Ismail Kadare, qershor 2008.

(Nga libri “Kadare ndryshe” i autores Mimoza Cika-Kelmendi)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat